Burokraci dhe lëmsh ligjor mbi pronësinë që lë në mjerim dhe të pastrehë një familje në Fier

Një familje me probleme të rënda sociale është në qiell të hapur për disa dimra rrjesht, pasi edhe pse kanë tokë në përdorim që i përjashton nga përfitimi i një banese sociale, nuk e ka atë në pronësi për të marrë një leje ndërtimi.

huajse asgjë prej shtëpie s’ka mbetur, në ngrehinën me çati të rrënuar pa dritare dhe me arna cope e mushamaje, ku jeton Tuni Ujaniku e shoqja dhe 3 vajza të rritura, në fshatin Petovë në Fier. Uji hyn brenda siç bie jashtë, ndërsa muret dhe tavanet e shqyera prej kohës rrezikojnë që të shemben pjesë-pjesë dhe tu marrin jetën antarëve të familjes.

Të pestë e kanë të pamundur të ndryshojnë diçka dhe ky mund të jetë dimri i disatë që kalojnë në qiell të hapur. Tre vajzat janë me aftësi ndryshe, dy prindërit duhet të kujdesen për to, por janë analfabetë dhe të pamundur edhe për të bërë vetë pazaret, ndërsa prej vitesh varen nga ndihma e të tretëve dhe pensionet që marrin si ndihmesë sociale.

Ndërkohë megjithëse një organizatë joqeveritare, xhamia e fshatit dhe disa biznese janë ofruar të ndihmojnë me rindërtimin e banesës, familja nuk mund të pajiset me leje ndërtimi pasi nuk ka tokë në pronësi. Po ashtu ajo sipas bashkisë së Fierit nuk mund të përfitojë as nga programi i banesave sociale sepse për paradoks zotëron një sipërfaqe prej gati dy hektarësh tokë buqësore “të bonitetit të lartë”.

Familja merr 50 mijë lekë të reja në formë pensionesh e asistence, por një pjesë e mirë e ndihmës shkon për ilaçe, ndërsa siç thonë fqinjë të tyre ata nuk janë në gjendje të menaxhojnë pjesën tjetër.

“Familja e Tunit është në gjendje mjaft të mjerueshme. Pak a shumë shteti nuk i ka ndihmuar. Me sa dimë, çatia po u bie. I ndihmojnë njerëzit, kush e ka patur mundësinë”, thotë Tefta Dashi banore e të njëjtit fshat. Gruaja thotë se anëtarët e familjes nuk dinë ta menaxhojnë paratë që marrin, pasi janë të paarsimuar që të gjithë. “Ka raste që persona të ndryshëm i gënjejnë dhe u keqpërdorin paratë. Me aq sa kam dëgjuar unë, me të ardhurat që kanë mund t’ia dilnin, të paktën me ushqimet”, thotë ajo.

Shtëpia e rrënuar e Tuni Ujanikut | Foto nga : Edmond Hoxha

Sidoqoftë OJF të ndryshme, njësia administrative dhe banorët i ndihmojnë ata më ushqime dhe me veshje, por nuk mund të bëjnë asgjë për banesën.

Për këtë Ujaniku megjithëse pohoi se ilaçet i kushtonin shtrejt i tha BIRN se nuk kishte nevojë për ndihmë shtesë financiare. Duke i shqiptuar fjalët me zor, për shkak të një problemi me të folurin ai thotë se “Nga shteti kërkoj ndihmë për një shtëpi”.

Banesa e tyre u shpall me procesverbal, të cilin BIRN e disponon,  e pabanueshme 4 vjet më parë nga komuna Mbrostar sëbashku me tre ndërtesa të tjera në të njëjtën komunë. “…ky procesverbal bënë fjalë për gjendjen e mjeruar dhe teje të vështirë të strehimit të familjeve; Hamet Faik Çepele nga fshati Kallm i Vogël, 2- Tuni Nasto Ujaniku, fshati Petovë. 3- Miranda Vangjel Prifti, fshati Vajkan”, shkruhet në procesverbalin e mbajtur me shkrim dore.

Komuna shpalli edhe se nuk kishte fonde për të ndihmuar riparimin apo rindërtimin e shtëpive. Njësia Administrative që zëvendësoi komunën i ka dërguar dy vjet rrjesht shkresa Bashkisë së Fierit për situatën. Sipas këtyre shkresave të katër familjet e kanë kaluar dimrin e fundit me temperatura që shkuan disa gradë nën zero në qiell të hapur.

Por bashkia e Fierit thotë se i ka duart e lidhura. Në një përgjigje kërkesës për informacion nga BIRN ajo thotë se nuk mund të ndihmojë me banesë sociale apo ndihmë financiare familjen e Tuni Ujanikut, pasi familja zotëron tokë bujqësore, gati dy hektarë siç u ka takuar me ligjin 7501 dhe anëtarët e saj marrin pensione. “Kryefamiljari merr pension pleqërie,  2 fëmijë trajtohen me pagesën e paaftësisë së kategorisë së dytë, ndërsa fëmija i tretë me pagesë paaftësie të kategorisë së parë, duke përfshirë edhe pagesën e kujdestarisë për nënën. Familja ka gjithashtu edhe 19 mijë m2 tokë të bonitetit të lartë. Në këto kushte familja përjashtohet nga ndihma ekonomike”, thuhet në përgjigjen e bashkisë.

Bashkia as mund t’i lëshojë leje ndërtimi familjes së Ujanikut pasi ata nuk kanë në pronësi në fakt tokën që zotërojnë.  “Aktualisht jemi në kushtet kur shoqata “Dhuro Dashuri”, e cila së bashku me xhaminë e fshatit Rreth Libofshë dhe dy biznese të qytetit të Fierit janë ofruar për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës, duke rindërtuar banesën, por pengesë është mungesa e çertifikatës së pronësisë së truallit, pasi zona nuk është azhornuar”, thuhet në të njëjtën përgjigje.

Edhe përfaqësuesja e fondacionit “Dhuro dashuri” për Fierin, Matilda Haska, ka sqaruar për “BIRN” se tentativa për të zgjidhur strehimin e familjes së Tuni Ujanikut është bërë e pamundur për shkak të mungesës së çertifikatës së pronësisë së truallit.

Shtëpia e rrënuar e Tuni Ujanikut | Foto nga : Edmond Hoxha

“Neve pamë mundësinë edhe për të bërë një restaurim të shtëpisë të tyre apo ndërtimin e asaj banese. Por, herë pas here, jo vetëm në rastin e Tuni Ujanikut, por edhe në raste të tjera, kemi hasur disa problematika ligjore, të cilat nuk është se varet nga fondacioni apo nga biznesi i cili është donatori i drejtëpërdrejtë”, thotë ajo.

Por sipas juristet, Votjona Mile, avokate në Fier, situata mund të mos jetë aq e pashpresë ligjërisht. Ajo thotë se në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.408, të 13 majit 2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, disa ndërhyrje të pjeshme nuk duan leje. Juristja thotë se po ashtu mund të shihet mundësia e strukturave të përkohshme që janë të çmontueshme, por që mund të zgjidhin situatën emergjente të familjes Ujaniku dhe të tjerave në zonë, për sa kohë këto nuk kanë certifikata të pronësisë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne