Bota Islamofobi

Fotografia e një muslimaneje që pozon para një proteste anti-muslimane bën bujë në media

Shaymaa Ismael, një terapiste nga Uashingtoni, u bë e njohur si fenomen i përhapur në masë në internet pasi një foto e saj tregonte sesi kishte dalë duke buzëqeshur para një turme protestuesish islamofobë amerikanë.

Ismael, një muslimane me hixhab, postoi në mediat sociale një foto të saj duke buzëqeshur dhe duke bërë me gishta shenjën e simbolit të paqes para demonstruesve islamofobë, të cilët mbanin slogane ku thuhej se “Islami është fe e gjakderdhjeve dhe vrasjeve” dhe “Muhamedi është një gënjeshtar”.

24-vjeçarja po merrte pjesë të shtunën në konventën e Islamic Circle of North America (ICNA), një tubim ndërkombëtar i mijëra muslimanëve.

Ajo tha për BuzzFeed News se gjëja e parë që pa kur shkoi në konferencë ishin një grup njerëzish me pankarta që po protestonin jashtë.

“Shumica e njerëzve ishin shumë të mërzitur dhe nuk po dinin sesi të reagonin me praninë e tyre. Disa adoleshentë të irrituar u përpoqën tu afroheshin protestuesve,” tha ajo për mediat.

Ismael vendosi t’u përgjigjet protestuesve në një mënyrë jo-konfrontuese, duke buzëqeshur në një foto teksa ata vazhdonin të ngrinin para muslimanëve sloganet islamofobe.

Ajo tha për The Guardian se e kishte marrë frymëzimin nga një panel në konferencë që diskutoi mbi sulmet terroriste në Zelandën e Re, gjatë së cilës folësi përmendi se viktima e parë e sulmit e kishte përshëndetur terroristin duke i thënë “Përshëndetje, vëlla”.

“Më 21 prill unë buzëqesha përpara fanatizmit dhe u largova duke ndier një arritje”, shkroi ajo në Twitter së bashku me foton e saj.

Fotoja ka marrë më shumë se 183,000 pëlqime në Instagram dhe mbi 200,000 pëlqimeve në Twitter. Po ashtu, fotoja është shpërndarë jashtëzakonisht shumë, madje ka pasur kërkesa që fotografia të vendoset edhe në muze.

“Kjo është gjëja më e madhe që kam parë ndonjëherë në historinë e internetit,” tha për postimin e myslimanes Ismael përdoruesi i Twitterit Sarki./yenisafak/Gazeta Impakt

OPINIONE