Realizuar më se 8 shekuj më parë, një dorëshkrim origjinal i Kuranit Famëlartë po zgjon gjithnjë e më shumë interesin e vizitorëve në Muzeun e Tokatit.

Adem Çakir, zyrtari më i lartë i Drejtorisë Rajonale të Kulturës dhe Turizmit në Tokat, një provincë turke me rreth 600 mijë banorë në veriperëndim të Ankarasë, deklaroi për mediat se në muzeun e tyre ekspozohen vepra të shumë qytetërimeve.

Mes veprave të llojllojshme të muzeut, vëmendje të madhe tërheq sidomos një Kuran i veçantë.

“Kurani në fjalë hyri në inventarin e muzeut tonë në vitin 2010, pasi u ble nga një koleksionist privat. Ai u restaurua në Konya dhe ky proces zgjati rreth 1 vit”, tha drejtori Çakir duke sqaruar se kjo vepër, një dorëshkrim origjinal i shekullit të 12-të, ekspozohet në Muzeun e Tokatit që prej 2011-s.

Në muzetë tona – theksoi ai – nuk ka një Kuran të shkruar në Anadoll më të vjetër se ky; pra, Kurani Famëlartë që ekspozohet në Tokat është më i lashti i shkruar me dorë në muzetë e Anadollit.

Pasi shpjegoi që turqit kanë nisur të vendosen në Anadoll duke filluar nga viti 1071, Adem Çakir vijoi me këto fjalë: “Tokati dhe rrethinat e tij janë një nga vendet e para ku turqit myslimanë kanë ndërtuar vendbanime. Në qytezën Niksar të provincës Tokat është themeluar medreseja e parë turke. Kurani në fjalë ka dalë nga Tokati. Ai daton në vitin 1190 dhe është një vepër shumë e rrallë.”

Sipas drejtorit rajonal të Kulturës dhe Turizmit në Tokat, Kurani Famëlartë i shekullit të 12-të kërkohet për t’u ekspozuar nga shumë muze të tjera në shkallë vendi dhe ky është një burim krenarie./ trt

25