Rita Ora, Nënë Havaja dhe Nënë Eminja

Shkruan: Fjolla SPANCA, Mitrovicë

Shkurti është stinë kujtimesh. Sidomos për shqiptarët. Kushdo që kalon nëpër Kosovë gjatë këtij muaji, nuk shpëton pa dëgju dy a tre rrëfenja. Secili ka diçka për të kallzuar. Ndoshta nga dehja e “Rilindjes” ose nga ndjesia që t’përthekon sa herë ndërmend pafuqinë e fjalës kundrejt gufimit të zemrës. Për ta thënë më ndryshe: le ta kujtojmë vitin 2008. Dimër i egër. Dimër i ftohtë sa më s’ka. Ngrinte loti n’qerpik! Të gjithë qemë ulur e po prisnim … e pritëm atë dakikun kur nuk pipëtin më as fryma! Një shekull të mbledhur në disa sekonda! Një jetë pezëm që po i kallte gjithë kandilat e shpresës! Me kokën naltë, e kthyen shikimin për Toke dhe ashtu mallëngjyeshëm e copëtuam strajcën e pritjes, prej ku doli mes buzëqeshjes e përqafimeve, ajo fjala magjike “Kosova, shtet Sovran dhe i Pavarur”. Në aso rastesh, nuk maten gëzimet me fjalë, as këndohen nëpër vargje. Të tilla data, deri dje, ishin himn! Agshol për shpirtin e paepun të shqiptarit besnik, që mbahej gjallë prej andrrës dhe amanetit të të parëve. Kosova e shkurtit të ftohtë ishte zani i naltë i jetëve të shkuara që në amshim i paqtuan shpirtat! Shkurti ishte poema e ringjalljes që perëndonte dhimbjen në bojnat e dëshirave!

Shkurt 2018

Në dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës shqiptarët nuk dalldisin në emocione e as janë fortë të gëzuar. Mbase për faktin se shtetin e Kosovës në këtë dekadë e karakterizoj ajo çfarë prof. Abdi Baleta e quan “hipotekim i pavarësisë dhe gjymtim i shtetshmërisë”. Premtimet për sovranitet, demokraci, zhvillim, integrim e barazi do mbetën për t’u rimenduar. Prandaj mu kjo datë shënon momentin qenësor, i cili më shumë se çdo kremte tifozërie, kërkon urgjentisht reflektim mbi rrugën e ndjekur për të ardhur deri këtu dhe mbi atë që mbetet në vijim. Se shtetësia e Kosovës ende nuk është punë e kryer, këtu nuk ka dyshim, por akoma dhe më e ngatërruar është e ardhmja e paqartë e shqiptarëve që s’rreshtin së projektuari veten jashtë kufijve të vendit, pa e ditur se si e qysh.

“Çikat tona”

Edhe një here: Shkurt 2018!

Për të festuar dekadën e parë të një shteti gjysmak nuk është krejt e kollajtë. Duhen menduar shumë detaje, përmes së cilave populli doemos ka me u hutu dhe ka për të kujtu sikur çdo gjë është në binarët e vet! Po ashtu, populli duhet hallakatur me emra personazhesh që, dorën në zemër, nuk shquhen për lidhje të forta me atdheun, por mjafton që atdheu imagjinar të jetë lidhur pandashëm me emrin e tyre. Nevojiten edhe fjalime t’prekshme. Fjalë që lëvizin kodra e male. Tek-tuk ndonjë plis a xhamadan, një palë mustaqe dhe një gërshet. Ç’patriotë që jemi! I pari i vendit, s’do mend, se ka me e çelë odën e si burrë i mirë e ka me i prit miqtë, të cilët flasin vetëm “llafe të mëdha”. Flasin sikur n’Kosovë njerëzit po plasin prej t’mirave e begatisë. Këto deklarata boshe janë një soj justifikimi për dështimet e panumërta të politikanëve shqiptarë dhe pluhur që mbulon pazaret politike. Por, nuk mbaron me kaq!

Ndonëse një “industri” e tërë ka punuar kaherë për përdhosjen e figurës së gruas shqiptare, si për ironi të këtij moti Kosova përfundon e përfaqësuar në arenën ndërkombëtare prej grave, të cilat kanë punuar pa pushim për të kapur majat e suksesit, në fusha të ndryshme. Bie fjala, gjatë koncertit të Pavarësisë, i cili qe dhuratë e një artisteje për vendin e saj të lindjes, nuk mund të mos vihej re ekzaltimi dhe krenaria e rreme e burrave t’vegjël, që ditëve të tjera s’përtojnë me i ofendu a mohu gratë e veta dhe gratë e Kosovës.

Pra, ky dhjetëvjetor i turbullt nuk arriti t’i shpëtonte mendësisë provinciale të atyre që sot përfaqësojnë gratë e burrat e heshtur të një shteti, të brishtë. Provinciali është ai që kujton se populli mbetet kope delesh t’buta, që veç barishteve nuk ndjejnë as dinë gjë. Thënë pak më ndryshe, koncerti i Rita Orës, ani se i realizuar me kujdes të shtuar, nuk arriti t’i tejkalonte dyshimet, zhgënjimet, problemet, hallet e dertet e popullit liridashës! Tej përpjekjes së Qeverisë për ta qorruar syrin kritik të atyre pak njerëzve, që sot e jetojnë çdo ndryshim të sforcuar në tokën e vet. Kësaj here fiton vëmendja qytetare, që dëfton hilet e politikanëve. Pra, numri i qytetarëve në sheshin e Prishtinës nuk ka qenë shënjues i gëzimit të shqiptarëve për datën e madhe! E kuptuam të gjithë se ata qytetarë u mblodhën për të ndjekur shfaqjen muzikore të Rita Orës, një grua kjo që shquhet për punën dhe vullnetin e hekurt! Për më tepër që Rita, si grua e njohur tashmë botërisht, nuk e korri suksesin veç se është shqiptare! Ajo, mbi të gjitha, është një artiste e talentuar, së cilës vendi ku është rritur e brumosur i ka dhënë mundësinë e ngritjes profesionale dhe lirinë e të jetuarit bashkë me pasionin, gjë që nuk ndodhë shpesh ose rrallëherë ndodhë në Kosovë a gjetiu nëpër Ballkan. Kështu që, slogani i famshëm “Çikat tona”, që qarkulloi gjithë shkurtin nëpër rrjete sociale, ishte një kallëzues i patjetërsueshëm se gratë e këtij vendi kanë dhënë e nuk rreshtin së dhëni për Botën ku jetojnë. Kurse, Kosova mund të kishte përfaqësues të mirë nga të dyja gjinitë, por, me sa duket, burrat janë marrosur prej pushtetit dhe famës, derisa gratë e kanë nxjerrë katundin prej vetës e përpiqen me e ndrru ajrin ku jetojnë.

Havaja, Emineja dhe Rita

E përmenda në krye të fjalës Pavarësinë e Kosovës. Jo pa shkak. Duke qenë se popujt e vegjël priren për t’u identifikuar me data dhe figura që simbolizojnë diçka të çmuar në mbamendjen e tyre, nuk mund të anashkaloja 18 shkurtin dhe Rita Orën, si sinonim i “shqiptarit të Ri” ose kosovarit të izoluar që mëton Europën përmes instagramit.

Të kuptohemi drejt, edhe për mua ky është moment i rëndësishëm dhe goxha domethënës. Fundja, shkurti rrumbullakos datën për të cilën më kishin folur gjyshet e mija dritëshumë! Me mall e kujtoj se si më mbante në prehër nënë Havaja e duke ma përkëdhelur flokun më fliste për ditët kur dielli do shndriste mbi çdo cep të vendit e fëmijët e Kosovës do bëheshin çfarë t’ju donte zemra. Havaja ime ish grua e qeshur, e dashur dhe e mprehtë. Mbase emri i saj mund t’i kishte dhënë ca cilësi të dukshme, prej së cilash prekeshim të gjithë. Havaja qe e brishtë dhe një çik emotive, por ama ishte këmbëngulëse për edukimin e fëmijëve. Ajo kërkonte më të mirën për vajzat, ndonëse jetonte në fshat dhe mundësitë dukeshin minimale. E gatshme për të sakrifikuar, ajo nuk dorëzohej kurrë përballë sfidave të kohës. Me aq sa kujtohem, për sa kohë jetoi mes nesh, ajo u përpoq që gratë e familjes të mos tjetërsoheshin brenda mureve. Fatkeqësisht, “Lufta e heshtur” për dije e mirësi e nënë Havasë mbeti përgjysmë, sepse shpirti i saj u dorëzua shumë herët tek AI.

Mbase ky është shkaku që unë e kujtoj më shumë kohën e kaluar me nënën e dajave, Eminen e urtë! Gjyshja shamibardhë, qyshkur e mbaj mend unë, ka qenë fjalëpake, e shpejtë, punëtore dhe shumë e zgjuar! Nuk gjeja një grua më të mençur se ajo ndër shoqe. Emineja ishte rritur jetime, pa e parë asnjëherë nënën, e madje ishte kujdesur edhe për rritjen e vëllezërve më të vegjël se ajo. Pas martesës, Emineja, ndër vite, do përkushtohej ndaj gjashtë vajzave dhe dy djemve të saj. E ca më vonë ajo do ta ushtronte përsosmërisht zanatin e edukatores dhe të një këshillueseje të përkorë për 27 mbesa/nipa dhe 5 stërnipa.

Kjo grua shtatshkurtër, e dhuntisur me dashuri e mëshirë, nuk di të më ketë dhënë kukulla ndonjëherë. Sa i hidhesha në qafë, ajo do gjente gjithmonë një libër a fletore që do të ma falte, herë fshehurazi e herë haptazi. Mu kjo grua, që nuk shkeli as edhe një herë të vetme pragun e shkollës, shumë shpejt u bë lokomotiva e dijes për një familje të madhe, e cila më vonë do të rritej e, besa, edhe zhvendosej nëpër anë të ndryshme të Europës.

Nanë Emineja edhe sot, kur nuk jemi fizikisht afër prehrit të saj, nuk rresht së kujdesuri për ne. Tani ajo e kupton që kanë ndryshuar rrethanat dhe më s’jemi aq të vegjël, ndaj me urtësinë e saj dhe orën Diellore, kurrë të gabueshme, e ndjen rrufeshëm hallin e secilit prej nesh! Gati çdo ditë, me eksperiencën e saj e hap ngadalë “Librin e Jetës”, prej ku nxjerrë këshilla, që janë ilaçi i zemrave të hutuara!

Dua të them se gjyshet tona, ani që nuk patën fatin të udhëtojnë botën a të gëzojnë shkollën, në brendësi, mu aty ku çel loçka e shpirtit, kultivuan nëpër stinë dashurinë, urtësinë, kujdesin dhe përgjegjësinë shoqërorë. Të gjitha këto i transmetuan natyrshëm te ne, duke na shkundur nga gjumi i paditurisë dhe duke na obliguar për shërbim ndaj mëmëdheut. Fatkeqësisht, të tilla histori sot nuk kryejnë punë. Në një hapësirë ku rëndësi i kushtohet veç materiales, s’do mend se shpirti vyshket, n’harresën e brezave të paidentitet.

8 Marsi

8 Marsi në anët tona njihet si dita e nënës, kurse në pjesë të tjera të botës shënohet si Dita Ndërkombëtare e Gruas. Si ngjarje ka filluar qysh në vitet 190,0 kur rritja e popullsisë u përcoll edhe me rritjen e ideologjive radikale, si dhe me turbullira të theksuara në botën e industrializuar. Shtypja e vazhdueshme dhe pabarazia gjinore i nxiti gratë që të reagonin! Fillimisht në Amerikë e, më pas, në gjithë Europën, gratë bënë thirrje për ndalimin e paragjykimeve; njohjen e të drejtave të tyre bazike, si punëmarrëse, nëna, taksapaguese; kërkonin orare të shkurtuara të punës, paga më të mira, të drejtën e votës etj. Qëllimi parësor i kësaj nisme, pothuajse revolucionare, ishte luftimi për të drejtat e grave, deri në sigurimin e tyre si të mirëqena

Manifestimi i kësaj date dallon nga vendi në vend ose nga kultura dhe konteksti social. Disa shtete tashmë e kanë traditë që në këtë datë ta shtojnë dozën e shpërfaqjes së dashurisë. Në shumë sosh protestohet si shenjë revolte për situatën politiko-ekonomike ose për ta rikujtuar sakrificën e grave të hershme.

Në Ballkan, deri së voni, 8 Marsi ka qenë një simbiozë e çuditshme mes Shën Valentinit, Ditës së Nënës dhe Vitit të Ri. Kudo burrat rendnin për t’i blerë lule nënës ose gruas, sikurse gratë nxitojnë rrugicave me buqeta lulesh! Restorantet janë të mbingarkuara me gra që ikin për të festuar (çfarë festojnë?!). Disa prej tyre edhe këtij viti kanë për t’u mbledhur klubeve të kryeqyteteve, ku burrat lakuriqë do i argëtojnë me kërcime bajate.

Megjithëkëtë, mijëra gra të tjera më 8 Mars do të dalin prej shtëpisë pa zbardhë Qielli, për të shitur qepë, domate, qumësht, vezë, djathë a hudhra. Ato nuk do të duan t’ia dinë fare se ç’ditë është. Nëse eventualisht do të ketë ndonjë ngjarje a protestë, pakkush do ta kthejë kokën për t’u bashkuar me ato dhe ata që shëndetin, qetësinë dhe mirëqenien e gruas e kanë prioritet.

Si kaherë, gratë gjoksshpluar dhe buzëplastifikuar kanë për të na lodhur nëpër emisione televizive. Mundet të shohim edhe ndonjë “mendje të hajrit” që përpiqet t’u thyejë grave “zotat” e paqenë që i dalldisin për një ditë, e të cilët më vonë i bëjnë pre të epsheve shtazarake të disa burrave të frikshëm.

Për vete ia kam borxh gjysheve të mos përfshihem në zallamahinë që do krijohet më 8 Mars dhe prej së cilës disa do të përpiqen të mbulojnë të vërtetat thumbuese. Pra, dikush do mundohet me mohu se ne jetojmë në një shtet të ri, të pasigurt e të pazhvilluar! Ne, gjithashtu, jetojmë në një shtet e brenda një shoqërie që vret gratë për ditë, i dhunon ato dhe i mohon vazhdimisht! Rita Ora ose Dua Lipa mund të jenë talent të jashtëzakonshme, por mua nuk më shtyjnë të krenohem me vendin tim që nëpër vite i ka detyruar gratë ta braktisin shkollën. Asnjë nga emrat e përveçëm, që Qeveria më servir përditë, nuk ma lehtëson brengën e të qenit e izoluar brenda mureve të Kosovës! Qeveritë që shkojnë e vijnë rrallë herë e trajtojnë gruan si qenie të denjë për të gëzuar të drejtat themelore. Ndaj, derisa gratë të mendojnë se vetëvrasja është alternativë, 8 Marsi s’ka për të qenë kurrë festë, të paktën në mua!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne