“Rusia dhe Turqia punojnë për mbrojtjen e armëpushimit në Idlib”

Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se po punojnë me Turqinë për mbrojtjen e armëpushimit në Idlib të Sirisë në kuadër të marrëveshjes së Soçit.

Në një konferencë të përbashkët për media pas takimit me kryeministrin austriak, Sebastian Kurz, në Muzeun Hermitage në Shën Petersburg, Putin duke folur mbi gjendjen në Siri tha se shpresojnë që procesi politik të aktivizohet në bazë të Rezolutës 2254 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe marrëveshjeve të arritura në procesin e Astanas, gjë e cila do të forcojë kushtet për kalimin në jetën normale në Siri.

Ai thotë se situata në Idlib ka filluar të normalizohet për shkak të masave të marra nga Rusia dhe Turqia.

“Punimet po përparojnë në drejtimin e duhur. Unë kam arsye për të besuar se ne do të arrijmë synimet tona. Atje (në Idlib) nuk do të ketë asnjë veprim të armatosur me gamë të gjerë. Sepse nuk është e nevojshme të luftohet për hir të luftës, ne duhet të arrijmë disa objektiva të caktuara. Mjetet që kemi zgjedhur për të arritur këto qëllime aktualisht janë duke funksionuar në mënyrë efektive”, tha Putin.

Presidenti rus rikujtoi “Marrëveshjen e Soçit” me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe dakordësimin për zonën jokonfliktuale në Idlib. Putin theksoi se ata do të vazhdojnë aktivitetet e tyre të planifikuara, përfshirë patrullat e përbashkëta me ndihmën e Forcave të Armatosura Turke dhe policisë ushtarake ruse.

“Ideja e krijimit të një zone të pastruar nga armët në Idlib erdhi drejtpërdrejt gjatë takimit të tij të fundit me presidentin Erdoğan”, shtoi Putin duke bërë të ditur se që të dyja palët kanë përmbushur angazhimet e tyre.

“Ne jemi duke punuar në solidaritet me partnerët tanë turq, duke marrë seriozisht këtë marrëveshje, kemi përmbushur detyrimet dhe në çdo rast shohim se ata ndihmojnë që militantët e grupeve të ndryshme radikale të largohen nga ky rajon dhe që ata të tërheqin armët e rënda. Ndërkohë edhe ne bëjmë punën tonë dhe vazhdojmë të kryejmë së bashku aktivitetet e planifikuara”, potencoi Putin.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne