Nga Faik Miftari

(Pjesa e parë)

Ëndrra e çdo besimtari mysliman praktikues është që të vizitojë Qabenë  në Meke  dhe xhaminë e Muhamedit a.s. në Medine të Arabisë Saudite, me ç’rast edhe  kryen haxhin, shartin (kushtin) e pestë të Islamit. Edhe pse kam pas rast të shkojë në Haxh, si mysafir i mbretit saudit, pas luftës së Kosovës (1999), kam hezitue, pasi nuk kam pas dëshirë të kryejë haxhin me parat e dhuruara nga dikush tjetër, por në vetvete kisha dëshirë që të kryejë haxhin kur të kem  kushtet materiale për të shkuar në Haxh. Sivjet, Zotit qofshim fal, pata mundësi materiale  dhe vendosa të kryejë Haxhin. Gjatë muajit të Ramazanit u regjistrova dhe para Fitër Bajramit pagova shumën prej 3.400, oo Euro  në llogarinë bankare të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, aq ishte kostoja e sivjetshme e shpenzimeve të udhëtimit në Haxh nga Kosova. Pas përgatitjeve të duhura psiqike, fizike, dhe shpirtërore erdhi dita e shumëpritur e nisjes për  Haxh, e ajo ishte 20 gushti 2017. Paraprakisht siç është adet dhe traditë  në Prizren, gjatë  javës së fundit para shkuarjes, prita  dhe përcolla familjarët, miqtë, shokë dhe dashamir që erdhën për të më përgëzuar dhe për të bërë për hajër udhëtimin tim në Haxh me dëshirë që të shkojë shëndosh e mirë dhe të kthehem  shëndosh  e mirë në gjirin familjar. Por, kishte edhe të tillë, në numër të paktë, që  shprehnin dëshirën duke më uruar me fjalinë e njohur ”Shkofsh e mos u kthefsh”, me qëllim dhe nijet të mirë, pasi që të vdesësh në Haxh  është  gjë e pëlqyer dhe e preferuar, sepse  namazin e xhenazes së të ndjerit do t’ia falin me qindra mijëra besimtar mysliman dhe ka mundësi të varroset në dy qytete të shenjta, në Meke ose Medine, në vendin  e pejgamberit, familjarëve, shokëve dhe dashamirëve të tij. Kjo është edhe esenca e domethënies së fjalisë:”Shkofsh e mos u kthefsh”.

Haxhi është farz, obligim i detyruar dhe është një prej sharteve (kushteve) të Islamit, të cilin besimtari mysliman duhet të kryejë njëherë gjatë jetës së tij në rast se ka mundësi materiale (para). Haxhi si i tillë, është i përcaktuar, me porosi hyjnore nga Krijuesi Fuqiplotë në Kur’an, në të cilin thuhet:” Për hirë të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për të që ka mundësi udhëtime te ajo” (Kaptina Ali Imran, ajeti 97).

 

Po ashtu është i preferuar edhe me thënien profetike të të dërguarit të Allahut, Muhamedit a.s.:”Islami bazohet në pesë shtylla: dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi a.s. është i dërguari i tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, kryerja e Haxhit dhe agjërimi i muajit të Ramazanit” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi).

Sivjet për të kryer Haxhin nga Prizreni janë regjistruar gjithsejtë 88 haxhi, 85 besimtar mysliman dhe 3 udhëheqës hoxhallarë ( Ali ef. Vezaj, Sebajdin ef. Krasniqi dhe Fejzullah ef. Suka), ndërsa nga krejt Kosova ishin gjithsejtë 1080 haxhi,  në krahasim nga viti i kaluar ishin më tepër se 200 haxhinjë. Në mesin e 1080 haxhinjëve nga Kosova ishin 1031 besimtar mysliman, 41 udhëheqës  të nivelit qendror dhe lokal si dhe ekipi mjekësor prej 8 doktorëve.

 

20 gusht-ditë e diel

Qysh në orët e hershme të mëngjesit oborri i xhamisë së Bajraklisë gumëzhinte nga zërat e shumtë të haxhinjëve dhe familjarëve të shumtë të cilët kishin dalë për të marr pjesë në leximin e duasë(lutjes) dhe përcjelljen në Haxh të haxhinjëve nga komuna e Prizrenit. Para se të lexojë duanë (lutjen), kryemami i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit Ali ef. Vezaj njoftoi të pranishmit se nisja për Prishtinë do të bëhet me dy autobusë gjatë ditës për të cilin do të jemi të informuar paraprakisht . Në mbrëmje në ora 22.oo u grumbulluam në stacionin e autobusëve te parkingu i kompanisë transportuese ”Atmaxha”, e cila do të bënte transportin e haxhinjëve  për në Prishtinë. Pas përshëndetjes me familjarët, miqtë, shokë dhe dashamir u nisëm drejt Prishtinës në ora 22.30 dhe  diku rreth orës 23.30 arritëm në aeroportin e Prishtinës. Edhe pse avioni ishte i paraparë të fluturojë në ora 3.45 drejt Xhides së Arabisë Saudite, ai fluturoi tek në ora 6.00 të mëngjesit, për shkak se ishte avion çarter dhe vonesave të paparalajmëruara nga organet saudite, të cilëve kurrë  nuk është vonë, pasi që për ata përdorimi i termit ”bukren” (nesër në mëngjes) ishte diç e zakonshme dhe normale. Për krahasim nga avioni i parë i cili ishte me grupin e haxhinjëve nga Prishtina, të cilëve iu desh të presin plot 20 orë në aeroport të Prishtinës, ne kaluam më mirë pasi  na qëlloi të presim vetëm 6 orë në aeroportin e Prishtinës, për shkak të avashllëkut saudit apo të kompanisë turke Atllas. Pasi që i dorëzuam valixhet, para se të nisemi për të fluturuar në Xhide, të gjithë haxhinjët e komunës së Prizrenit, morëm abdes, i veshëm ihramët, falëm nga dy reqate namaz të ihramit, si  edhe namazin e sabahut në mesxhidin e aeroportit të Prishtinë.

Në avionin e dytë që fluturuam drejt Xhides së Arabisë Saudite, ishim gjithsejtë 216 haxhinjtë nga komuna e Prizrenit, Dragashit dhe Fushë Kosovës. Në përcjellje na porositën policët dhe doganierët në aeroport  që të lutemi edhe për ta, gjë që amanetin e tyre e çova në vend, ashtu që në Qabe dhe Arafat, përveç tjerash bëra lutje edhe për policët de doganierët e Kosovës që ishin duke shërbyer në aeroportin e Prishtinës. Saktësisht avioni i dytë me grupin e haxhinjëve nga Prizreni, Dragashi dhe Fushë Kosova fluturoi drejt Xhides në ora 6.00 të mëngjesit nga aeroporti i  Prishtinës.

Ihrami është veshja e dy rrobave të bardha me të cilin haxhiu paraprakisht vishet dhe  plotëson njërin prej kushteve të vlefshmërisë së haxhit,  si dhe bën nijet për hyrje në ibadetet (ritualet) e haxhit. Me njërin nga rrobat mbulohet avreti (pjesa e turpshme),  nën kërthizë tek meshkujt, ndërsa tjetra hedhet mbi supet tek meshkujt. Femrat kryejnë ritualet e haxhit me veshjen e tyre të zakonshme, pasi që ato nuk janë të obliguara të vishen me ihram sikurse haxhinjtë meshkuj. Vendet në të cilat nuk mund të kalohet pa ihram quhen Mikate(kufijtë e caktuar) në të cilin haxhiu duhet të jetë i veshur me ihram. Kufijtë apo mikatet janë gjithsejtë pesë nga të gjitha anët e Mekës, ashtu që neve për të mos kaluar kufijtë e caktuar, ihramet i kemi veshur në aeroport dhe me to udhëtuam drejt Mekës, për të qenë të sigurt paraprakisht në këtë kusht të vlefshmërisë së haxhit dhe me qëllim të mos tejkalimit eventual të mikateve (kufinjëve) të ihramit, pa marr parasysh se a udhëtohet nëpërmjet tokës, ujit apo ajrit.

21 gusht- ditë e hëne

Pas plot 4 orë udhëtimi me avionin e kompanisë Atlas nga Turqia, ateruam në aeroportin ndërkombëtar të Xhides, në ora 10.oo. Udhëtimi kaloi në mënyrë të qetë dhe të këndshëm pa asnjë problem. Në një sallë të aeroportit pushuam një orë, me ç’rast ekipet mjekësore saudite kontrolluam se ai kishim marrë vaksinat paraprake në Kosovë, të cilët kartelat e vaksinave e kishim me vete,  na pajisën paraprakisht në aeroportin e Prishtinës. Pasoi kontrolli i pasaportave dhe kontrollimi detaj i çdo haxhiu, duke regjistruar,  fotografuar dhe marrë gjurmët e të gjitha gishtërinjve të të dy duarve të secilit haxhinjë që vinte, sigurisht për shkak të sigurisë, kontrolli ishte i rreptë dhe zgjati bukur shumë, ashtu që na mori plot tre orë kohë. Pas kësaj hipëm në autobusë ( të cilët ishin të rinj), dhe të pajisur me sistemin e klimatizimit,  dhe udhëtuam drejt Mekës, e cila ishte larg Xhides rreth 80 km. Pasi që arritëm në ora 18.oo u vendosëm në hotelin Golden al Manafeja, i cili kishte 25 kate, dhe në të cilin në 17 katet ishin vendosur të gjithë, 1080 haxhinjët që ishim nga Kosova. Haxhinjët nga komuna e Prizrenit ishin akomoduar në katin e 11(17) në 18 dhomat të saj. Unë u vendosa në dhomën 1109 së bashku me 4 cimera (shokë) të dhomës, Burimin, Besnikun, adashin tim Faikun dhe Osmanin. Dhoma ishte  e rregulluar mirë, e pajisur me klimë, televizion, frigorifer, furnelë elektrike, si dhe banjoja, në të cilin kishte plot 24 orë pandërprerë ujë të nxehtë. I vetmi problem që na paraqiste në hotel ishin ashensorët, 4 sosh, të cilët ishin të paktë dhe ishin të ngadalshëm për të ofruar shërbimin të gjithë neve, 1080 haxhinjëve nga Kosova të akomoduar në këtë hotel. Përveç fjetjes i kishim edhe dy shujta në ditë, mëngjesin dhe darkën të cilët servoheshin prej orës 7.oo-11.oo në mëngjes, dhe 19.oo-23.oo në mbrëmje. Pasi që u akomoduam në hotel dhe hëngrëm darkë, në ora 22.oo të gjithë haxhinjtë e Prizrenit(88) që ishim u nisëm drejt Qabes për të kryer Umren. Në Qabe shkuam në katin e tretë, grupin e udhëhiqte mulla Afrimi nga Zhuri, në të cilin kryem tavafin(rret rrotullimi) 7 herë rreth  Qabes, faltores së parë të Allahut në sipërfaqe të tokës , pas kësaj falëm dy reqate namaz të tavafit, pas së cilës u nisëm drejt Safas dhe Mervas, për të kryer sa’in, ibadetin(ritualin) e dytë të Umres, ecja dhe në në një distancë edhe vrapimi i ngadalshëm, 7 herë në mes kodrinave të  Safas dhe Mervas. Pas kësaj u kthyem të gjithë me autobus në hotel, pas së cilës  qethëm apo ruam flokët, me ç’rast u plotësua kushti i umres për t’u liruar nga veshja e ihramit, të cilën e hoqëm dhe pas dushit të kryer u veshëm me rroba të zakonshme të  meshkujve.

Umreja në kuptimin gjuhësor do të thotë vizitë, ndërsa në kuptimin fetar ka për qëllim “Vizitën e Qabes për të kryer ibadete(rituale) të caktuara, gjatë tërë vitit, pa marr parasysh në cilën muaj të vitit kryhet vizita”. Ibadetet( ritualet) të cilët në vete   përmban umreja janë : veshja e ihramit si parakusht për kryerjen e umresë, tavafi (rreth rrotullimi 7 herë) rreth  Qabesë, sa’ji, ecja dhe vrapimi i ngadalshëm në mes kodrave të Safasë dhe Mervas 7 herë, si dhe qethja apo ruarja e flokëve. Për dallim nga Haxhi, që është farz (i obligueshëm) për çdo besimtar mysliman i cili ka kushte materiale, Umreja është synet(e preferuar). Ajo nuk është e kufizuar në kohë të caktuar dhe mund të kryhet gjatë tërë vitit, përveç pesë ditëve, gjatë së cilës kryhet ibadeti(rituali) i haxhit, dhe atë ditën e Arafatit, si dhe 4 ditëve të Kurban Bajramit si dhe bëhet hedhja e guralecëve kundër shejtanit(djallit) të mallkuar. Umreja gjithashtu është e përmendur me porosi hyjnore në Kur’an: “Kryeni haxhin dhe umren për hirë të Allahut”(Kaptina Bekare, 196). Poashtu është përmendur edhe me thënien profetike të  pejgamberit tonë  të  dashur, Muhamedit a.s.”Umreja deri në umrenë tjetër është mbulesë dhe shlyese e mëkateve ndërmjet tyre” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi).

212