900 punonjës të Alba Call në revoltë: Na ulën rrogën me 30%, Inspektoriati na bëri presion, do hyjmë në grevë (PETICIONI)

900 punonjës të kompanisë Call Center “Alba Call”, prej 3 qershorit kanë nisur një “luftë” nervash me kompaninë ku punojnë prej vitesh. Shkak është bërë vendimi i njëanshëm i kompanisë për të hequr bonusin të cilin punonjësit e kanë marrë për performancën e tyre në punë.

Vendimi i njëanshëm i kompanisë

Më 3 qershor, Alba Call iu komunikon verbalisht dhe përmes email-eve mbi 900 punonjësve se bonusi që iu është për çdo muaj nuk do të jepet më. Kompania nuk e ka argumentuar vendimin e saj tek punonjësit, duke mos dhënë as argumente financiare për këtë çështje. Ky vendim nuk parashikohet as në kontratat e punës, të cilat janë të individuale. Vendimi ka hasur në revoltën e punonjësve të cilët kanë bërë lëvizjet e tyre pasi sipas tyre ky bonus kap 30% të rrogës.

Peticioni dhe 9 pikat e punonjësve të Alba Call

900 punonjësit e Alba Call e kanë shfrytëzuar vendimin e paargumentuar të kompanisë për të hartuar një peticion me 9 pika. Ata kërkojnë ndryshim të kushteve të punës, duke nisur nga ato teknike tek higjienike.

Peticioni i punonjësve të Alba Call

Punonjësit i kanë dërguar letra të njëpasnjëshme kompanisë ku kërkojnë argumentim dhe ndryshim të rregullit të brendshëëm për të hequr bonusin.

Revolta e tyre ka shkuar deri atje, sa kanë telefonuar të gjithë klientët e kompanisë të cilëve iu kanë komunikuar vendimin ekstrem të kompanisë.  Një burim brenda Alba Call i tha Dosja.al se ishte e vetmja mënyrë për të tërhequr vëmendjen e kompanisë, e cila po i trajtonte si të vdekura kërkesat e tyre.

“Ishte e vetmja formë. Bëmë shumë letra, kërkesa. Dorëzuam peticionin dhe nuk morëm asnjë përgjigjie. Kompania ku ne punojmë as nuk denjoi të na kthejë përgjigjie. Ata kanë abuzuar edhe me lejet tona, duke mos i planizuar në bazë të nevojave tona, por në favor të nevojave të kompanisë.”-tha punonjësja e Alba Call në anonimitet për Dosja.al.

Hakmarrja e Alba Call

Pas komunikimit që punonjësit e Alba Call bënë me klientët potencialë të kësaj kompanie, ujërat u trazuan. Burime i thanë Dosja.al, se klientët telefonuan të shqetësuar kompaninë për t’u interesuar pse punonjësve do t’ju ulej nga paga bonusi që kap në gati 30% të të ardhurave totale që këta punonjës marrin në fund të muajit. Në këto kushte, kompania ka thirrur Inspektoriatin e Punës për të zhvilluar një takim punonjës-subjekt-shtet.

Takimi i dështuar dhe presionet e Inspektoriatit

Ditën e djeshme, 3 inspektorë të Inspektoriatit të Shtetit kanë shkuar në kompaninë Alba Call, ku kanë kërkuar që të ketë një marrëveshje mes punonjësve dhe kompanisë. 20 operatorë u përzgjodhën nga kompania për të marrë pjesë në takim, ndërkohë që në peticion firmosën 522 punëtorë.

Një burim i tha Dosja.al se në takimin me inspektoriatin e Shtetit, punonjësit nuk morën dot zgjidhje. Inspektoriati iu sugjeroi atyre që kërkesat e tyre t’i kanalizojnë përmes krijimit të një sindikate.

Punonjësit kërkuan që kompania të hedhë poshtë rregullin për bonusin, dhe të plotësojë 8 pikat e tjera të peticionit, në të kundërt ata parajmërojnë grevë. Kjo pikë, nuk iu ka pëlqyer Inspektorëve, tha burimi për Dosja.al.

Inspektorët u irrituan dhe i paralajmëruan se kjo mund t’ju kushtonte vendin e punës. Ata u larguan nga ky takim, me dy detyra për kompaninë, e para planizimi i lejeve vjetore, dhe detajimi i pagës që prej muajit janar.

Ky takim u konfirmua për Dosja.al edhe nga Kryeinspektori Arben Seferi, i cili e përgënjeshtroi tensionin në takimin e zhvilluar në këtë kompani. Seferi tha se Inspektoriati ka bërë detyrën dhe iu ka treguar punëmarrësve cila është rruga që duhet ndjekur ligjërisht.

“Bonusi që ata kanë marrë nuk ka qenë i përfshirë në kontratat individuale të punës. Nga ana e Inspektoriatit janë kryer të gjitha veprimet në bazë të ligjit në fuqi. I kemi caktuar detyra kompanisë, si dhe i kemi treguar rrugën punonjësve për të drejtat e tyre”-tha Seferi në një komunikim për Dosja.al.

Nga ana tjetër, Dosja.al tentoi disa herë të komunikojë me Alba Call, por kjo kompani ka refuzuar të përgjigjet për këtë situatë të krijuar me stafin e saj.

Greva, e vetmja rrugë

Punonjësit e Alba Call janë pa rrugëzgjidhje. Deri më tani, atyre iu kanë dështuar të gjitha përpjekjet për të plotësuar kërkesat e tyre. Në një komunikim me një grup nga punonjësit, ata thonë se e vetmja rrugë deri më tani është greva e punës. “Do të bëjmë grevë pune me pauza të caktuara gjatë orarit të punës”-thanë ata.

Sektori i Call Center në Shqipëri është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend. Të dhënat e INSTAT për vitin 2017 janë se deri në këtë periudhë mbi 25 mijë shqiptarë punojnë në Call Center./dosja.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne