Shqiperia

Abuzimi me autostradën, ministri Gjiknuri në Prokurorinë e Krimeve të Rënda

Pasditen e së hënës ka dëshmuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për abuzimet me rrugën Tiranë-Elbasan edhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri.

Pas përfundimit të dëshmisë, ministri Gjiknuri nuk ka dashur të japë detaje, ndërsa i ka qëndruar kallëzimit të tij. “Duhet të jepja shpjegimet e mia për kallëzimin. Ato që kisha për të thënë, i kam thënë edhe në raportin e auditit. Pres që hetimi të përfundojë me sukses”, ka thënë ministri.

Më parë, në lidhje me këtë çështje janë marrë në pyetje edhe ish-ministrat Edmond Haxhinasto dhe Sokol Dervishaj.

Ministri ka dorëzuar kallëzimin për abuzimet me fondet e aksit Tiranë-Elbasan referuar gjetjeve të auditit që konstatoi shkelje.

Edhe prokuroria dyshon se zyrtarë e ish-zyrtarë të Autoritetit Rrugor kanë shpërdoruar detyrën në bashkëpunim dhe kanë kryer korrupsion duke urdhëruar 12 ndryshime të kontratës fillestare mbi të cilën do të ndërtohej aksi Tiranë-Elbasan.

Këto amendime të pastudiuar i kanë sjellë shtetit një dëm ekonomik, vlerë që do të përcaktohet nga një grup ekspertesh të pavarur të kërkuar nga akuza.

OPINIONE