Rajoni

Aeroportet TAV për 10 vite në Maqedoninë e Veriut kanë katërfishuar numrin e udhëtarëve

Në periudhë të funksionimit prej 10 viteve, Aeroportet TAV pothuajse kanë katërfishuar numrin e udhëtarëve në aeroportet në Maqedoninë e Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Kjo u theksua në konferencën për media të mbajtur në qytetin turk Bodrum, të organizuar me rastin e 10-vjetorit të menaxhimit me aeroportet nga ana e kompanisë TAV.

Nga ana e menaxhmentit të Aeroporteve TAV, para përfaqësuesve të mediave u theksua se numri i përbashkët i udhëtarëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit dhe Aeroportin “Apostol Pavle” në Ohër, i cili ishte 640.000 në vitin 2009, në fund të vitit 2018 ka arritur numrin e 2,3 milionë udhëtarëve, ndërsa pritet të arrijë numrin e 2,7 milionë udhëtarëve në vitin 2019.

Drejtori ekzekutiv dhe kryetari i kompanisë TAV, Sani Şener, në fjalimin e tij para gazetarëve deklaroi se qeveria turke mbështet Maqedoninë e Veriut kur bëhet fjalë për nivelin ndërkombëtar dhe shprehi kënaqësinë që janë të përfaqësuar në këtë shtet, duke theksuar se prezenca e tyre është e rëndësishme për kompaninë, por edhe për shtetin në të cilin gjenden.

Şener informoi se nga viti 2010 kanë investuar 120 milionë euro në infrastrukturën e aeroporteve dhe në zhvillim, ndërsa kanë paguar gjithsej 27,7 milion euro për taksa të koncesionit dhe tatime.

“Ciklet investuese nga fillimi i punës së TAV Maqedoni i lëvizin të gjitha segmentet në punën e aeroporteve. Nga 15 destinacione në të cilat transportuesit fluturonin nga/në Shkup në vitin 2010, sot numri është rritur në 44, ndërsa numri i udhëtarëve i cili në dy aeroportet në vitin 2009 ishte vetëm 640 mijë udhëtarë, në fund të vitit 2018 arriti numrin prej 2,3 milionë. Presim që ky zhvillim të vazhdojë me ritëm të ngjashëm në periudhën e ardhshme duke shfrytëzuar potencialin e aeroporteve maqedonase për t’u bërë bashkë një qendër rajonale dhe për të kontribuuar në zhvillimin e ekonomisë maqedonase dhe marrëdhëniet afariste mes Maqedonisë (të Veriut) dhe Turqisë”, tha Şener.

Ai shtoi se suksesi në treg është arritur si rezultat i punës së përkushtuar të stafit të TAV Maqedoni me qëllim që të sigurohen shërbime të kualitetit të lartë në çdo segment, si dhe shkaku i mbështetjes nga institucionet e vendit që janë të përfshira në trafikut ajror.

“Arritjet erdhën si rezultat i bashkëpunimit të shkëlqyer me Qeverinë dhe të gjitha institucionet e përfshira në industrinë e aviacionit, siç janë Agjencia e Aviacionit Civil, M-NAV, MPB, Drejtoria e Doganave, aviokompanitë dhe tur-operatorët që punojnë nga/në aeroportet maqedonase, partnerët tanë afaristë që punojnë në dy aeroportet dhe udhëtarët për shfrytëzimin e aeroporteve tona”, tha Şener, dhe shtoi:

“Përpos zhvillimit të rrjetit të aviokompanive dhe linjave ajrore, do të vazhdojmë të punojmë edhe në përmirësimin e kualitetit të shërbimeve për udhëtarët tanë dhe për mbajtjen e nivelit të lartë të kënaqësisë për klientët me përvetësimin e trendeve më të reja dhe zgjidhjeve në sferën e funksionimit të aeroporteve në dy aeroportet maqedonase”.

Mes tjerash, Şener porositi se “TAV është e vendosur që edhe më tej të vazhdojë me rritjen dyshifrore të numrit të udhëtarëve dhe se do të vazhdojë të zhvillojë aeroportin e Shkupit si qendër kryesore të trafikut ajror në Ballkan”.

– Aeroportet janë një sallë ekspozuese për vendet

Në kontekstin e rëndësisë së kompanive të aeroporteve në nivel global, Şener theksoi se kompanitë e aeroporteve ndihmojnë në zhvillimin dhe ekonominë e vendeve.

“Në të gjithë botën, kompanitë e aeroporteve do të privatizohen, në këtë mënyrë në të vërtetë do të ndihmojnë vendet që të zhvillohen sepse aeroportet në të vërtetë janë përfaqësues të vendeve në të cilat janë të vendosura. Kur një i huaj arrin përmes aeroportit të Shkupit, kjo në të vërtetë është përshtypja e parë që ai merr për vendin, kur ai largohet nga vendi merr përshtypjen e fundit për vendin. Aeroportet në fakt janë si një sallë ekspozuese për vendet. Ato tregojnë aftësinë financiare të vendit, aftësinë inxhinierike dhe atë operacioneve të vendit”, deklaroi Şener.

Şener shtoi se bizneset e aeroportit janë një mjet i rëndësishëm për turizmin dhe i hapin rrugë investimeve të huaja të drejtpërdrejta.

Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i TAV Maqedoni, Alper Ersoy, para përfaqësuesve të mediave të vendit prezantoi funksionimin e TAV Maqedoni për dhjetë vitet e kaluara dhe paraqiti planet e ardhshme të kompanisë.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me aktivitetet e mëtejshme të TAV Maqedoni, midis tjerash Ersoy tha se rritet numri i sporteleve për t’u regjistruar (check in) dhe se kompania vazhdimisht punon për të përmirësuar cilësinë e përgjithshme të shërbimeve të udhëtarëve.

“Në Shkup ne do të zgjerojmë zonën për regjistrim sepse tani kemi dhjetë sportele, por që kur kompanitë ajrore kërkuan më shumë sportele për regjistrim, për të ofruar shërbime më të mira, ne do të shtojmë edhe dhjetë sportele të tjera për regjistrim, si dhe disa zyra për shitjen e biletave”, tha Ersoy.

Nga TAV Maqedoni kujtuan njohjen dhe çmimet e deritanishme të kompanisë, duke theksuar se dëshmi për praktikën e ofrimit të shërbimeve të aeroportit me cilësi të lartë është çmimi ASQ nga Këshillimi Ndërkombëtar i Aeroporteve, të cilin Aeroporti i Shkupit e mori në vitin 2018 për herë të katër pas marrjes së çmimeve në vitin 2012, 2013 dhe 2015. Ky çmim prestigjioz bazohet në përvojën e udhëtarëve dhe është një pikë referimi botërore për shërbimin më të lartë të klientëve.

“TAV Maqedoni vazhdon të regjistrojë një rritje të numrit të udhëtarëve. Tetë muajt e parë të vitit 2019 i përfundoi me gjithsej 1.8 milionë udhëtarë (1.774.482), që është një rritje prej 12,1 për qind nga viti në vit dhe 14.744 fluturime (rritje prej 9,9 për qind nga viti në vit) në të dy aeroportet në vend, Aeroporti Ndërkombëtar Shkupi dhe Aeroporti Apostol Pavle në Ohër”, njoftoi TAV Maqedoni.

Numri i të punësuarve në këto dy aeroporte të vendit është 1.100, mbi 70 për qind e të cilëve punojnë në TAV Maqedoni dhe pjesa tjetër në kompanitë simotra BTA, ATU, TAV MOS, TAV Technologies dhe Euroklin./AA

OPINIONE

INTERVISTA