Opinion

Arsyet pse vendet arabe të Gjirit akuzohen për mbështetje të levizjes së Trampit

nga Mehmet Solmaz.

Pak kohë pas ardhjes së presidentit Donald Trump, disa figura të njohura të disa vendeve të Gjirit me rregulla strikte të bindjes si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Egjipti kanë ndërmarrë hapa që janë interpretuar si justifikim për pushtimin e Palestinës.

Këto figura publike e kanë paraqitur Izraelin si pjesa e shtypur ndërsa Palestinën e kanë paraqitur si shtypësi, veçanërisht me mbështetjen e anëtarëve të rinj të dinastisë, të cilët dolën në ballë të agjendës botërore të ndikuar nga amerikanët dhe nga ata që dëshirojnë të përfitojnë nga ata që mbajnë anën e tyre.

Ky grup përbëhet nga ata që admirimin e tyre për Perëndimin e tregojnë në mediat sociale, të cilët janë arsimuar në vende të tilla si Akademia Ushtarake Mbretërore Sandhurst (RMAS), të cilët shtypin këdo që kontribon në rënien e sovranitetit të tyre dhe në të njëjtën kohë mbrojnë liberalizmin perëndimor, duke menduar se ata mund ta formësojnë rajonin.

Brezat e mëparshëm kishin gjithashtu lidhje të ngushta me Perëndimin, megjithatë lidhja nuk ishte e përfaqësuar aq shumë në publik dhe ata u përpoqën të mos jepnin koncesione lidhur me çështjet e rëndësishme si Palestina.

Deri në lëvizjen e Trampit, argumentet pro-izraelite kryesisht ishin në mediat sociale dhe në shtypin e vendeve të Gjirit. Pas shpalljes se vendimit amerikan, këto vende e dënuan veprimin në një mënyrë relativisht të butë, por në të njëjtën kohë u panë raportime që thanë se Rijadi urdhëroi mediat e tij që të kufizojnë mbulimin e lëvizjes së Trampit për Jeruzalemin dhe gjithashtu së bashku me Bahreinin, u bënë thirrje qytetarëve të tyre që të shmangnin marrjen pjesë në protesta si ato që ndodhën në Jordani.

Palestinezët po e akuzojnë Arabinë Saudite për bashkëpunim me Izraelin si dhe për shtyrjen e vendeve të tjera që ta “shesin” kauzën palestineze. Demonstruesit në Gaza dogjën fotografitë e mbretit saudit dhe djalit të tij për rolin e tyre të dyshuar në lëvizjen e Trampit. Kanali televiziv i Izraelit, TV 10 pohoi se presidenti amerikan nuk mund të merrte një hap të tillë pa marrë mbështetje nga Arabia Saudite dhe Egjipti. Për më tepër dy parlamentarë nga Jordania i thanë mediave se mbreti jordanez Abdullah II ishte vënë në presion nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për të pranuar vendimin e Trampit për Jeruzalemin. Është e rëndësishme të theksohet se Jordania aktualisht po merr një ndihmë prej 1.6 miliardë dollarësh nga SHBA dhe se Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajti nuk e rinovuan një program ndihmash financiarë pesëvjeçarë për Ammanin me vlerë prej 3.6 miliardë dollarësh që përfundoi në 2017.

Ndërkohë që janë ndërmarrë gjithë këto hapa, ne jemi dëshmitarë kur gazeta saudite Alaph i bëri një intervistë ministrit të inteligjencës izraelite, i cili tha se vendi i tij do ta conte Libanin në “Epokën e Gurit”. Veprimet e myftinjëve saudite që shmangën temën e Jeruzalemit në predikimet e së premtes ndërsa një klerik i shquar fetar saudit nga Universiteti i Mbretit Saud me 20.4 milionë ndjekës në Twitter e anashkaloi temën e Jeruzalemit duke diskutuar në Twitter mbi rëndësinë e veshjes së “çorapeve të pastra”, janë veprime që palestinezët nuk kanë për ti harruar për një kohë të gjatë.

Unë mendoj se ja vlen të përqendrohemi në imazhin e mirë të Izraelit mes sauditëve në mediat sociale gjatë muajve të fundit, duke pasur parasysh zhvillimet brenda vitit të kaluar.

Vizita në Izrael, arrestimet e korrupsionit dhe takimi me Abbasin

Një nga aktorët kryesorë të veprimeve të fundit të Jeruzalemit është Princi i Kurorës i Arabisë Saudite Mohammad bin Salman, i njohur si MBS, i cili ka lidhje të ngushta me administratën amerikane, veçanërisht me dhëndrin e Trampit, këshilltarin e lartë Jared Kushner. Princi 32 vjeçar, i cili u bë trashëgimtar për fron pasi Mohammed bin Nayefit ju hoqën të gjitha pozicionet me vendim të mbretit në qershor 2017, pretendohet se ka kryer një vizitë sekrete në fillim të shtatorit në Izrael, një vend që Arabia Saudite nuk e njeh zyrtarisht. Ata heshtën kur lajmi i vizitës u zbulua nga shtypi arab dhe ai izraelit një javë më vonë. Por kur një zyrtar izraelit në tetor foli për agjencinë AFP dhe konfirmoi vizitën, Rijadi u detyrua të mohonte lajmin pas dy ditësh heshtjeje.

Pasi mbajti një sërë takimesh me Kushnerin në Rijad pas kthimit nga Izraeli, MBS gjithashtu filloi të përhapë frikë me hetimet e korrupsionit. Gjithashtu, The New York Times tha se gjatë vizitës së presidentit palestinez Mahmoud Abbas muajin e kaluar, Abbasi u detyrua të pranonte planin e “paqes” që u zhvillua nën drejtimin e MBS dhe Kushner. Ky plan thuhet se sugjeron që Abu Dis të bëhet kryeqyteti i Palestinës në vend të Jeruzalemit, dhe përcakton
që Izraeli nuk do të tërhiqet nga territoret e pushtuara. Raportohet se Abbasit i ofruan para dhe i dhanë një afat kohor prej dy muajsh për të pranuar marrëveshjen. Ndërsa administrata palestineze nuk e pranoi marrëveshjen, Jeruzalemi u shpall kryeqyteti i Izraelit nga SHBA para përfundimit të afatit dy mujor.

Izraeli: Publikon lidhjet sekrete

Në një takim të mbajtur një vit e gjysmë më parë, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu i bëri thirrje vendeve arabe që kanë lidhje sekrete me Izraelin për ti pranuar publikisht lidhjet e tyre. Duke ju drejtuar Komitetit të Punëve të Jashtme të Knessetit dy ditë përpara njoftimit të Trampit për Jeruzalemin, Netanjahu tha se shumë shtete arabe kanë kaluar nëpër ndryshime të mëdha dhe duan të përmirësojnë marrëdhëniet me Izraelin.

Para se të filloja të shkruaja këtë artikull, Netanjahu mori pjesë në Konferencën e Diplomacisë Dixhitale dhe tha se Izraeli është duke punuar në mediat sociale për të fituar “zemrat dhe mendjet e publikut arab”. Ai argumentoi se oferta e Izraelit për “paqe” do të realizohet përmes mediave sociale dhe jo përmes qeverive, duke shtuar se disa vende arabe duan të njohin Izraelin.

Fuqia e mediave sociale që Netanjahu i referohet aktualisht është miratuar me dinakëri nga miqtë e fshehtë të Tel Avivit. Në këtë kuadër, do të doja të paraqes disa shembuj:

Kritikimi ndaj Trampit rezulton me mërgim ndërsa vlerësimi për Izraelin çmohet

Jamal Khashoggi i lindur në Medine ka punuar si gazetar që nga viti 1985 dhe ka vazhduar profesionin e tij në SHBA për një vit. Për ironi, administrata saudite e ndaloi Khashoggin të publikonte dhe të shfaqej në televizion për kritikën e tij ndaj Trampit në dhjetor të vitit të kaluar. Duke u përpjekur të ulë tonin e kritikave të tij pasi familja e tij jeton në Arabinë Saudite, Khashoggi shkroi këto fjalë pas lëvizjes së Trumpit për Jeruzalemin: “Ushtria elektronike saudite ka një efekt shkatërrues në opinionin publik kombëtar pasi mund ta shtyjë atë për të marrë qëndrime të dobëta ndaj parimeve të ymetit. Të gjithë janë të njohur tashmë me llogaritë e tyre [mediat sociale] Shikoni se si shkruajnë mbi temën e Jeruzalemit. Pse? Kush ka interes në shkatërrimin e sistemit të vlerave saudite?

Izraeli do të jetë destinacioni më i lartë turistik

Hamza al-Salem, ekonomist dhe asistent profesor në Universitetin Prince Sultan në Rijad, shkruan se Izraeli do të jetë destinacioni më i lartë turistik i Sauditëve pasi të njihet nga Arabia Saudite. Duke deklaruar se Izraeli është një nga vendet më të bukura të zotit në aspektin e natyrës dhe zhvillimit të tij. Al-Salem argumenton se normalizimi i marrëdhënieve midis dy vendeve do të eliminojë disa çështje të nxehta, dmth çështjen e Palestinës dhe okupimin e Izraelit.

Normalizimi me Izraelin në axhendë

Duke folur për stacionin televiziv Rotana Khalijiyya, shkrimtari Ahmed al-Arfaj vuri në dukje se normalizimi me Izraelin ishte në agjendën e javës së shkuar, duke shtuar se: “Armiqësia nuk na çon askund. Nuk ka asnjë të keqe në pajtimin me Izraelin përderisa palestinezët marrin të drejtat e tyre. Saddam Husseini tha: “Do ta djeg gjysmën e Izraelit”, por Saddami shkoi dhe Izraeli u forcua më shumë. Më vonë erdhi Kadafi i cili tha: “Unë do ta djeg gjysmën tjetër”, por edhe Kadafi shkoi dhe Izraeli u bë më i fortë. ”

Izraeli dëmton Palestinën, jo mua

Saud Fozan, një gazetar për AlSharq.net tha qartë se ai nuk e konsideron pushtim, zgjerimin e pushtimit izraelit me sulme bombardimesh ndaj palestinezëve. Ai shkroi: “Nuk jam këtu për të mbrojtur hebrenjtë, pra izraelitët, por të tregoj të vërtetën. Më tregoni një izraelit i cili të ketë vrarë një saudit të vetëm”. Aktivistja e të drejtave të grave, Suad al-Shammari gjithashtu u be palë me Fozanin: “Kemi provuar absolutisht çdo gjë për 60 vjet dhe jemi mashtruar nga nacionalizmi i rremë i shteteve arabe. Pse nuk bashkëjetojmë në mënyrë paqësore me Izraelin?”

Vetëm një idiot do mendonte se dashuria jonë për Palestinën vjen përpara Arabisë Saudite

Një gazetar tjetër, Mohammed al-Shaikh, shkroi në Twitter duke argumentuar bashkëpunimin e Rijadit me Izraelin kundër Iranit në këmbim të Jeruzalemit: “Po, Irani është armiku ynë më i madh, jo Izraeli, vendi im po vihet në shënjestër nga persët. Vetëm një idiot do të mendonte se dashuria jonë për Palestinën do të vinte në kurriz të kombit tonë “.

Ministri izraelit përgëzon myftiun saudit

Abdul Aziz Al-Sheh, Myftiu i Madh i Arabisë Saudite, dha një fatva që lufta kundër Izraelit është e papërshtatshme dhe Hamasi është një organizatë terroriste. Pas fetvasë, ministri izraelit i komunikimeve Ayoub Kara e falenderoi Shehun.

Në një vend ku një shkrim i papërshtatshëm në Twitter rezulton me burgim, fjalë të tilla nuk mund të shqiptohen në mënyrë arbitrare. Me sa duket, kjo është pjesë e një politike shtetërore, që do të thotë marrëveshje e Trampit me Rijadin. Ish-Ministri Saudit i Drejtësisë Muhammed bin Abdul Karim Issa dhe ambasadori saudit në Francë Khalid bin Mohammed al-Angari kohët e fundit kanë bërë një vizitë në një sinagogë në Paris. Me sa duket gjeste të tilla do të shohim gjithnjë e më shumë në ditët e ardhshme.

Nëse princat e kurorës, ata që marrin pjesë në dinamikën e pushtetit prapa skenave dhe teknokratëve të përmendur në fillim të artikullit, heqin dorë nga Jeruzalemi vetëm për t’u favorizuar nga SHBA, nuk është çudi që ata të paguajnë 450 milionë dollarë për Salvator Mundin e Leonardo Da Vinçit.

MBS, i cili ka ambicie për strukturën ultra-sekulariste të Emirateve të Bashkuara Arabe, që aktualisht ka një strukturë monarkike çnjerëzore, mund të bashkohet me partitë e ministrave dhe diplomatëve të Emirateve të Bashkuara Arabe, nëse vazhdon kështu.

Duke parë komplotet në gjyqësor nga grupi terrorist gylenist (FETÖ) dhe protestat e Parkut Gezi në Turqi, disa supozuan se ata e morën kontrollin e vendit përmes mediave sociale, gjë që tregon pamja aktuale. Nuk është e vështirë të kuptosh se si do shkojë situata e MBS dhe rrethit të tij në qoftë se skemat e vendeve të Gjirit dhe Izraelit dështojnë./dailysabah/ Gazeta Impakt

OPINIONE