Austria drejt ndalimit të grupit ekstremist që ka përfituar donacione nga terroristi Brenton Tarrant

Lëvizja e ekstremit të djathtë IBO në Austri do përballet me një ndalim të mundshëm nga qeveria pasi rezultoi se grupi kishte marrë donacione nga terroristi australian i Christchurch, njoftoi të mërkurën kancelari Sebastian Kurz.

“Nuk ka asnjë tolerim për ideologjitë e rrezikshme, pavarësisht këndvështrimit politik që ata i përkasin”, tha për gazetarët udhëheqësi konservator pas një takimi qeveritar në Vjenë.

Austria do të zbatojë “forcën e plotë të ligjit” kundër ideologjive ekstremiste, tha Kurz, dhe shtoi se donacioni i kryer përbënte një lidhje midis të dyshuarit të sulmit dhe Lëvizjes Identitare.

Martin Sellner, kreu i Lëvizjes Identitare të Austrisë (IBO), tha se policia kontrolloi banesën e tij të hënën si pjesë e një hetimi për terrorizëm dhe konfiskoi pajisjet elektronike pasi kishte marrë një donacion të konsiderueshëm nga një person i quajtur Tarrant, mbiemër i njëjtë me atë të terroristit të Christchurch.

Sipas prokurorëve austriakë, supremacisti i bardhë 28-vjeçar nga Australia i cili akuzohet për vrasjen e 50 muslimanëve në dy xhami të Zelandës së Re, i dhuroi 1.500 euro (1.700 dollarë) Lëvizjen Identitare anti-emigracion në fillim të vitit 2018. Prokurorët thanë se donacionet i kontrolluan si pjesë e një hetimi ekzistues kundër Sellnerit për shkelje të mundshme financiare.

Sellner mohon se ka pasur ndonjë lidhje më shumë me sulmuesin sesa ajo e marrjes se donacionit dhe e një falënderimi rutinë qe i kishte bërë me anë të një emaili./dailysabah/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne