Dokumenti/ Firmosën shembjen e Teatrit, por inxhinierët janë të palicencuar

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka publikuar disa dokumente zyrtare që demaskojnë “inxhinierët” të cilët kanë firmosur pro shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar. Ky raport u përdor më pas nga qeveria dhe Bashkia e Tiranës për të vijuar me projektin e shembjes së godinës ekzistuese, por sipas Aleancës mban firmën e ekspertëve të palicencuar.

“Ironia qëndron në faktin e zbuluar se 3 nga 11 inxhinierët dhe arkitektët që unanimisht kanë firmosur Raportin e Vlerësimit të godinës së Teatrit Kombëtar, referuar Regjistrit të Licensave të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, janë të paliçensuar”, – shkruan ndër të tjera Aleanca për Teatrin në reagimin e saj e cila bazohet në gjetjet e një kontrolli të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

“Nga gjetjet e KLSH, ajo që vlen të evidentohet është se në këtë institucion janë të punësuar inxhinierë dhe arkitektë të paliçensuar dhe pa eksperiencë në kundërshtim me ligjin” – thotë Aleanca.

Instituti i Ndërtimit në Vlerësimin Teknik të godinës së Teatrit Kombëtar, në Mars të vitit 2018, ndër të tjera ka dalë në konkluzionin se objekti është jashtë kushteve teknike, por sipas Aleancës u bë pa kryer asnjë analizë.

“Për t’u theksuar nga ky dokument është fakti se këto konkluzione janë arritur pa kryer asnjë analizë profesionale në lidhje me materialet dhe strukturat mbajtëse të objektit dhe asnjë provë laboratorike nuk është kryer për ato. KLSH-ja konstaton në përfundim të auditimit se Instituti i Ndërtimit nuk disponon asnjë laborator tekniko-shkencor dhe kjo ka sjellë në dhënien e oponencave jocilësore duke e kthyer këtë institucion në një zyrë të thjeshtë punësimi” – thuhet në reagim.

“Ky vlerësim teknik i kërkuar në mars të vitit 2018 me kërkesë të Hervin Çulit, drejtor i Teatrit Kombëtar, me sa kuptohet sot, kishte pasur për qëllim jo sigurinë e objektit, por të nxirrte me hir a pahir se godina e Teatrit Kombëtar nuk vlen dhe se duhet shembur. Ishte pikërisht ky dokument, i cili solli më pas një zinxhir dokumentash teknike dhe ligjorë duke bërë të mundur edhe miratimin e ligjit famëkeq “Fusha” më 5 korrik të po atij viti” – e mbyll Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

/tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne