Dyndje në banka në Berat, qytetarët: Pagat nuk janë hedhur, kreditë nuk janë shtyrë dhe gjobat s’janë falur

Pasi u deklarua nga kryeministri Rama që kjo javë do të shënonte edhe fillimin e shpërndarjes së “pagave të luftës” për të gjitha bizneset e pezulluara që prej 11 Marsit, beratasit janë dyndur gjatë 2 ditëve të fundit në bankat e qytetit.

Radhë të gjata ka pasur sot në çdo filial banke në Berat, ku pronarë e punonjës të bizneseve të pezulluara kanë qëndruar për të kontrolluar nëse u është derdhur apo jo në llogarinë e tyre “paga e luftës” si dhe për të paguar tatimet dhe siguracionet e bizneseve. Ata shprehen se edhe pse janë njoftuar nga ekonomistët e bizneseve që paga e luftës është miratuar, në llogarinë e tyre ende nuk është derdhur asgjë. Duke shpresuar që kjo pagë t’ju depozitohet sa më shpejt në llogaritë e tyre bankare, ata kërkojnë edhe faljen nga shteti të taksave deri në përfundim të kësaj situate.

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

Të shumtë kanë qenë edhe ata qytetarë që në kushte tejet të rënduara ekonomike i janë drejtuar bankave për të paguar këstet e kredive edhe pse kryeministri deklaroi se kreditë do të shtyhen me 3 muaj. Një punonjëse fasonerie, e hequr nga puna në këtë periudhë pandemie, ka deklaruar se bizneset fasone kanë bërë shkurtime në fuqinë punëtore që prej fillimit të pandemisë Covid-19, duke i hedhur në rrugë punonjësit që tashmë nuk përfitojnë dot as “pagën e luftës”, pasi bizneset fasone ku ata punonin nuk janë përfshirë në listën e bizneseve të pezulluara nga qeveria.

Të pakënaqur janë edhe qytetarët, të cilëve u janë bllokuar nga policia automjetet gjatë kësaj periudhe. Një banor nga Berati që jeton prej 26-vjetësh në Angli deklaron se edhe pse kryeministri deklaroi që të gjitha gjobat e deritanishme do të falen dhe mjetet do të kthen mbrapsht, asgjë nga këto nuk ka ndodhur. “Kam ardhur në bankë të tërheq para për të paguar gjobën e policisë për të rimarrë sërish makinën që më kanë bllokuar”, shprehet ai./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne