Shqiperia

E vërteta e rritjes së tarifave të shërbimit përmbarimor

Një javë më parë njoftimi për rritjen e tarifave të përmbarimit gjyqësor privat, shkaktoi shumë debat dhe pakënaqësi. Kjo sepse shërbimi i shoqërive private të angazhuara në ekzekutimin e detyrueshëm të titujve ekzekutivë do të jetë më i kripur për qytetarët dhe për bizneset.  Ka qenë një udhëzim i përbashkët i firmosur nga dy ministrat teknikë, ai i Drejtësisë, Gazmend Bardhi dhe e Financave, Helga Vukaj, i cili ka ndryshuar balancat thuajse nëntëvjeçare të tarifimit të përmbaruesve privatë. Në fakt nënshkruesit e udhëzimit të ri deklaruan se këtë projekt e kishin të gatshëm nga paraardhësit, por që gjithsesi, skema e re e tarifave ofron transparencë dhe njëkohësisht eficencë shërbimi, mbi bazat e kostos dhe përfitueshmërisë së rezultatit të pritshëm.

Por si është e vërteta e rritjes së tarifave të reja për shërbimin privat të përmbarimin? Ky udhëzim faktikisht është firmosur që më 13 Prill të këtij viti nga ministri i Drejtësisë në atë kohë, Petrit Vasili. Ai që e ka bllokuar hyrjen në fuqi të tij, mësohet se ka qenë ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj, mesa duket për shkaqe paraelektorale, edhe pse ky vendim ka qenë i detyrueshëm si pasojë e ndryshimeve me konsensus, që ju bënë ligjit për përmbarimin shtetëror dhe privat në fund të vitit 2016. Në fakt rritja e tarifave ishte e detyrueshme maksimalisht, 1 muaj pas miratimit të ligjit në fjalë, por bllokimi nga ministria e Financave bëri që këtë shkelje ta rregullojë më në fund dyshja e ministrave teknikë, të çuar në qeveri nga Partia Demokratike.

“Udhëzimet në fjalë kanë qenë një praktikë e mbartur në Ministrinë e Drejtësisë/Ministrinë e Financave dhe i janë nënshtruar një procesi të gjerë konsultimi, duke filluar nga muaji Janar 2017 e në vijim. Këto udhëzime janë nënshkruar për herë të parë në versionin e miratuar, nga Ministri i Drejtësisë më datë 13 Prill 2017”, thuhej në njoftimin zyrtar të datës 1 Gusht për këtë çështje.

OPINIONE