Efektet e karantinës/ Gruaja s’i dha lekë për kafe dhe raki, burri në Farkë nuk duron dot më, nxjerr thikën dhe kërcënon edhe fëmijët

Disa e pinë kafen fshehtas, duke e marrë në gota plastike dhe duke vrapuar. Të tjerë janë bindur me masat e forta anti-Covid ndaj dhe mjaftohen me kafe e raki në shtëpi. Por në karantinë mund të bëhet sherr me familjen për të dalë nga shtëpia, për t’i patur lekët gati që sa të zbardhë dita që me to të blihet raki e kafe. Kjo është historia e një burri që u arrestua në darkë sepse mezi po priste mëngjesin për t’u drejtuar drejt lokalit. Me këtë plan ndër mend, ai nuk ka hezituar të dhunojë gruan me të cilën ka dy fëmijë të vegjël dhe vjehrrën, pasi asnjëra nuk i dha para.

M.Gj. është nga fshati Zaranikë, pohon për Gazetën “Si” një burim policor në Farkë, që ka treguar se si 43-vjecari u prangos nga policia pas dhunës së ushtruar ndaj bashkëshortes, e cila kishte refuzuar t’i jepte para për kafe dhe raki. Burri i dhunshëm rezulton të ketë qenë edhe më parë i dënuar për të njëjtën akuzë dhe ka bërë një vit burg.

Policia nënvizon për Gazetën “Si” se kallëzimi u dorëzua në policinë e Farkës nga shtetasja B.I., bashkëjetuese me 43-vjeçarin.

B.I. rrëfen: “Me M. bashkëjetoj dhe kam dhe fëmijë të vegjël, por ai më ka rrahur edhe herë tjetër. Është dënuar me një vit burg më herët për dhunën e ushtruar ndaj meje në prani të sime meje”.

Gruaja shton para policisë se u gjend nën sulmet e partnerit rreth orës 20.00 të mbrëmjes. “Ishim të gjithë në banesë, dy fëmijët dhe nëna ime dhe M. Ai kërkoi para për të pirë kafe dhe raki ditën tjetër në mëngjes. I thashë që nuk kam lekë se jemi pa punë dhe se kafe e raki ka në shtëpi. Më pas M. i kërkoi lekë nënës. Për ta qetësuar i thashë që lekët që kishim do blija vitamina për nënën dhe se kur ajo të merrte pensionin do i jepnim lekë”, thotë B.

Siç përmendet më tej nga burimi i Gazetës “Si”, familjarët dëshmojnë në polici se në këtë çast dhunuesi ka dalë nga kontrolli. “Nuk jam lodra juaj, këtu bëhet çfarë them unë, se unë jam burri”, ka bërtitur ai duke sharë më tej e ofenduar dy gratë. Në këtë çast, 43-vjeçari ka qëlluar me shkelma, ka marrë thikën dhe ia ka vendosur në fyt partneres. Policia shpjegon për Gazetën “Si” se M.Gj. ka goditur menjëherë me shkelma e grushte në fytyrë edhe vjehrrën. Gruaja shton se nuk ka bërë celebrim dhe lidhje martese me të akuzuarin, pavarësisht se ka dy fëmijë me të. Menjëherë pas denoncimit, policia ka asistuar me psikologë edhe në pyetjen e vajzave të vogla dhe dy grave të dëmtuara, nënë e bijë me njëra-tjetrën. Vetë dhunuesi pasi ka parë se përfundoi sërish në burg ka deklaruar vetëm kaq: “Do flas në një moment tjetër”. Një qëndrim i tillë është kuptuar nga efektivët si pendesë, për sa kohë ai – në vend të kafes e rakisë – në komisariat ka kërkuar diçka tjetër më të rëndësishëme: një avokat mbrojtës.
/Gazeta Si

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne