Endja e hebrenjve në shkretëtirë dhe kalvari i palestinezëve rreth e rrotull tokës së zionit.

Nga: Alban Gorishti

Zionizmi është lëvizja për vetëvendosjen dhe shtetësinë e popullit hebre në atdheun e tyre Biblik, tokën e Izraelit. Zioni është një kodër në afërsi të xhamisë së shenjtë Aksa. Zioni, në Dhiatën e Vjetër, ishte më lindorja nga dy kodrat e Jeruzalemit të lashtë. Ishte vendi i qytetit jebusit të pushtuar nga Davidi, mbreti i Izraelit dhe Judesë, në shekullin e 10 pes dhe u vendos si kryeqyteti i tij mbretëror. Në përdorimin biblik, “Mali i Zionit” shpesh nënkupton qytetin dhe jo vetë kodrën. Zioni përmendet në Dhiatën e Vjetër 152 herë por në të vërtetë i referohet Jeruzalemit. Ai shfaqet shtatë herë në Dhiatën e Re. Zioni është në masë të madhe një emërtim poetik dhe profetik, zionizmi është besimi se hebrenjtë duhet të kthehen në vendorigjinën e tyre e cila e ka qendrën e vet në afërsi të malit sion dhe kushdo që besoi në këtë lëvizje u quajt zionist.

Nga dy përfaqësuesit e mbijetuar të popullit semit, arabët, në masë më të madhe se hebrenjtë, kanë ruajtur tiparet karakteristike fizike dhe tiparet mendore të familjes. Gjuha e tyre, ndonëse më e reja në mesin e grupit semit nga pikëpamja e letërsisë, megjithatë ka ruajtur më shumë veçoritë e gjuhës amtare semite – duke përfshirë edhe lakimin – sesa hebraishtja dhe gjuhët e tjera simotra. Prandaj, ai ofron çelësin më të mirë për studimin e gjuhëve semite, gjithashtu Islami, në formën e tij origjinale është përsosja logjike e fesë semite. Të ashtuquajturit Semitët kanë prejardhjen nga i biri i Noeut (Nuhut), Shemi, Phillip .K. Hitti në historinë e arabëve thotë: “Arsyet që i bëjnë arabët, veçanërisht nomadët, përfaqësuesit më të mirë të familjes semite nga pikëpamja biologjike, psikologjike, shoqërore dhe gjuhësore duhen kërkuar në izolimin e tyre gjeografik dhe në uniformitetin monoton të jetës së shkretëtirës . Pastërtia etnike është shpërblim i një mjedisi nga më të vështirët dhe të izoluarit, siç është Arabia Qendrore”.

Pas mërgimit në Babiloni, vizioni profetik i judenjve për një rikthim të ardhshëm kombëtar dhe vendosjen universale të mbretërisë së Perëndisë u lidh fort me kthimin e tyre në Izrael nën një pasardhës të shtëpisë së Davidit, i cili do të ishte «i mirosuri i Zotit». Në periudhën e sundimit dhe shtypjes romake, pritshmëria e hebrenjve për një Mesi personal fitoi teren në rritje dhe u bë qendra e koncepteve të tjera eskatologjike të zhvilluara nga sekte të ndryshme çifute. Në disa sekte, mesianizmi i “birit të Davidit”, me implikimet e tij politike, u la në hije nga nocione apokaliptike të një karakteri më mistik. Shkatërrimi romak i Tempullit të Dytë të Jerusalemit, mërgimi, persekutimi dhe vuajtja e mëvonshme e hebrenjve vetëm sa e intensifikuan mesianizmin e tyre, i cili vazhdoi të zhvillohej teologjikisht dhe të përkthehej në lëvizje mesianike. Pothuajse çdo brez kishte pararendësit dhe pretenduesit e tij mesianikë – rasti më i njohur ishte ai i pseudo-mesisë së shekullit të 17-të Shabbetai Tzevi. Besimi dhe pritshmëria e zjarrtë e mesias u bënë parime të rrënjosura fort të judaizmit dhe përfshihen midis 13 Neneve të Besimit të Maimonidesit. Testamenti i Vjetër biblik nuk flet kurrë për një mesia eskatologjik, madje edhe pasazhet “mesianike” që përmbajnë profeci të një epoke të artë të ardhshme nën një mbret ideal nuk e përdorin kurrë termin mesia. Megjithatë, shumë studiues modernë besojnë se mesianizmi izraelit u rrit nga besimet që lidheshin me mbretërimin e kombit të tyre. Kur realiteti aktual dhe karriera e mbretërve historikë izraelitë rezultuan gjithnjë e më zhgënjyese, ideologjia mbretërore “mesianike” u projektua në të ardhmen.

Arabia, si një rezervuar i fuqishëm demografik, u popullua deri në pikën ku vërshimi prej këtij rezervuari (e popullsisë) ishte i pashmangshëm. Studiuesit do të flisnin për migrimet e popullsisë semite në terma si ai ku ky vërshim konsiderohet si “valë”. Kjo zhvendosje e vazhdueshme masive e grupeve të ndryshëm etnik përfshi semitët nga shkretëtira blegtorale drejt një territori më agrokulturor përbën një fenomen të zakonshëm në lindjen e afërt dhe ofron të dhëna të rëndësishme për të kuptuar historinë e saj të gjatë. Procesi me të cilin një popull me karakteristika më migruese i imponohet një populli më tepër sedentar, rezulton me faktin ku të ardhurit përvetësojnë deri në një farë mase tiparet kryesore të qytetërimit ekzistues por nga ana tjetër derdhin një sasi të caktuar gjaku të tij (si formë e imponimit “kulturor”). Kjo është pikërisht ajo që ndodhi në Lindjen e Afërt e të lashtë. Sepse emigrimi dhe kolonizimi janë, siç është thënë, një formë e zbutur pushtimi.

Endja dhe kalvari

Es-sejr është të ecurit, të endurit, të lëvizurit në tokë. Ndaj nga aspekti gjuhësor thuhet: Sairun-Këmbësor, ecje. Po ashtu : Sejaretun: karvan, makineri, automobil. Pra fjala Sejr ka të bëjë me lëvizjen apo spostimin për shkaqe individuale ose deportim prej dikujt tjetër. Zoti thotë: “Ai ua mundëson (njerëzve) udhëtimin (jusejirukum) nëpër tokë dhe det” Junus 22. Toka është vet vendi në të cilin njeriu lëviz dhe e sëndërton aktivitetit e tij njerëzor. Njeriu do ti kthehet një ditë asaj në një udhëtim sa shpirtëror aq edhe trupor. Pra lëvizja në hapësirën e gjerë e cila e rrethon njeriun duke patur si qëllim soditjen dhe marrjen e mësimeve prej këtij spostimi, si dhe derivimi i përfitimit prej lëndëve të fshehura (tregëtia, pasuritë e ndryshme etj) dhe moralit (nga traditat dhe ligjet që rregullojnë konstruktivitetin ose destruktivitetin)… Pra që kjo “ecje në tokë”: të jetë një akt materialist i bazuar në qëllime moraliste. Zoti këtë ecje, udhëtim, apo ekskursion hapsinor e përmend edhe në Kuran: “Thuaj: “Udhëtoni nëpër tokë e shikoni se si filloi krijimi..” Ankebut 20. Po ashtu: “Përpara jush kanë kaluar popujt ndaj të cilëve janë zbatuar ligjet, ndaj udhëtoni nëpër tokë dhe shikoni si qe përfundimi i tyre…” Ali Imran 137. E shumë ajete të tjera të cilat e pohojnë ecjen, spostimin në tokë si mjet për të kërkuar të vërtetën përmes karakteristikave të soditjes intelektive. Në mënyrë që syri (si mjet në dispozicion të mendimit) të shohë se si ishte gjendja e atyre që paraprinë, duke shqyrtuar shembujt e ngjashëm dhe duke kaliburar arsyetimin e shëndetshëm ndaj tyre në çdo rrethanë. Dalja nga Egjipti i shoqëroi benu israilët me një vështirm dhe soditje nga më të rëndësishmet për nga lloji dhe intensiteti, hapjen e detit dhe mbytjen e faraonit. Ky ishte marshimi dhe njëkohësisht mësimi më i madh për israelitët pasi i tregoi atyre atë që kurani më së shumti thekson, fundin e dhembshëm të korrupsionit moral (Ali Imran 137) . Ky ishte një mësim praktik për ta i shoqëruar me besimin se premtimi i Zotit është afër të drejtëve.

Pothuajse 3500 vjet më parë, Zoti e çliroi popullin hebre nga robëria egjiptiane siç përshkruhet në Kuran dhe Dhiatën e vjetër. Ata duhej të merrnin në zotërim tokën që Perëndia u kishte premtuar paraardhësve të tyre, një vend që “rrjedh qumësht dhe mjaltë” (Eksodi 3:8. Referenca për “qumështin” sugjeron se shumë bagëti mund të gjenin kullota atje; përmendja e “mjaltit” sugjeron tokën e madhe bujqësore në dispozicion—bletët kishin shumë bimë për të nxjerrë nektar) . Duke lexuar këto premtime një mendje mesanike do të mundet të mendonte se toka e premtuar ishte një pjesë xheneti e zbritur në tokë, në të cilën nuk vlenin ligjet kozmike që dominojnë pjesën tjetër të tokës, një vend ku askush nuk do ta shijonte më lodhjen dhe lëvizjen pasi mjalti, qumështi, mishi etj do të rridhnin të lira shtigjeve të tokës së premtuar në mënyrë që ata ti posedonin pa kurrfarë kalvari. Përgjithësisht imagjinata e njerëzve që besojnë në mesanizëm i anashkalon mësimet dhe mesazhet që mbart monotonia e së përditshmes, siç anashkalon mendja e ngarkuar me narrativa mitologjike, urtësitë e një rrugëtimi të mbushur me ndodhi dhe profeci. Kjo pasi një mendje e tillë i beson mitit më tepër sesa realitetit dhe soditjes mësimdhënëse. Endja e tyre e vazhdueshme për më tepër se 40 vite përshkruhet në tekstet e vjetra të benu israilëve. “Por Perëndia bëri që populli të vinte një herë përqark, nëpër rrugën e shkretëtirës, drejt Detit të Kuq. Dhe bijtë e Izraelit dolën të armatosur nga vendi i Egjiptit.” Eksodi 13:18. “Në bazë të numrit të ditëve që keni përdorur për të vëzhguar vendin, domethënë dyzet ditë, për çdo ditë do të mbani fajin tuaj një vit, gjithsej, pra, dyzet vjet; dhe kështu do të kuptoni se ç`do të thotë që unë jam tërhequr nga ju” Numrat 14:34. Thuhet se rruga më e shkurtër nga Egjipti në Kanan ishte një rrugë me rërë dhe shkretëtirë. Izraelitët mund ta kishin bërë udhëtimin për dy ose tre javë nëse e ndiqnin këtë rrugë, por Zoti nuk i mundësoi atyre endjen në rrugën më të lehtë dhe më të përshtatshme, por i drejtoi ata në një udhëtim më të gjatë, i cili zgjati më tepër sesa dyzet vite. Gjatë kësaj endjeje ata panë dhe dëshmuan shumëçka, njohën popuj të rinj, u njohën po ashtu edhe me anët e errëta të personalitetit të tyre. Gjatë kësaj kohe Zoti i shpalli atyre Teuratin, si dhe i njoftoi me itinerarin që duhet të ndiqnin në mënyrë që hidhërimi i Zotit të largohej prej tyre ndërsa kënaqësia e Tij të ndriçonte dhe lehtësonte këtë rrugë. Ndaj aspektet soditëse të këtij udhëtimi ishin të domosdoshme, pikërisht për të kuptuar gabimet e të shkuarës duke i zvendësuar me binjde dhe paluhatshmëri në planet e Zotit. Ky është thelbi i religjonit, ndërsa thelbi i kolonializmit sekularist është të thurrësh plane në kundërshtim me vizionin soditës të Zotit.

Të duash rikthimin në mbretërinë e të parëve pa bërë një retrospektivë të brendëshme është një akt i thjeshtë materialist, siç para tyre shumë ideologji e filluan me përsiatje sociale (socializmi) dhe e përfunduan me imponim fizik të dhunshëm . Në Bibël, ata lexonin histori për bujq, barinj, mbretër dhe luftëra hebreje, që ata i përvetësuan sikur përshkruanin epokën e artë dhe të lashtë të lindjes së kombit të tyre. Rikthimi në atë tokë do të thonte që ata të bëheshin përsëri bujq, barinj dhe mbretër. Kështu ata u gjetën përballë një paradoksi sfidues, sepse ata donin të sekularizonin jetën hebreje dhe ta përdornin Biblën si një justifikim për kolonizimin e Palestinës. Të qenit popull nomad, endacak nuk do të thotë ti bësh të tjerët të shijojnë nomadizmin dhe deportimin, kjo pasi nomadizmi i popullit hebre erdhi si pasojë e gabimeve dhe mungesës së guximit për të qenë të “zgjedhurit” e Zotit, ndërsa ky kalvar që sot populli palestinez po përjeton është pasojë e imagjinares mesanike dhe kursesi e realitetit religjoz sipas të cilit Zoti e drejton një popull.

Ky vizion/udhëtim filloi me nënën e Musait, qoftë për Palestinezët qoftë për Izraelitët. Kjo endje fillon me Oksitocinën. Oksitocina njihet si “hormoni i dashurisë” pasi lidhet me dashurinë, fertilitetin, kontraktimet gjatë lindjes dhe lëshimin e qumështit gjatë ushqyerjes me gji. Ai e ndihmon edhe nënën edhe fëmijën të ndihen mirë si dhe nxit ndjenja dhe sjellje të mira. Allahu thotë në Kuran: “Dhe ashtu atë (musian) e kthyem te nëna e vet që ajo të jetë e kënaqur e jo e pikëlluar dhe që ta kuptojë ajo se premtimi i All-llahut është i vërtetë e i sigurt, por shumica e tyre nuk e dinë” Kasas 13. Ushqyerja me gji e Musait dhe lumturia e tij pas frikës dhe të qarave, ka qenë për një kohë shumë të gjatë imazhi më i zakonshëm në përfytyrimin e hebrenjve, edhe pse sot nënat po privohen nga fëmijët e tyre ndërsa fëmijët po shkëputen dhunshëm nga nënat e tyre nëpërmjet bombave të fuqishme që bien mbi qiellin e Palestinës. Ky nuk është aspak vizion i vërtetë Biblik. Versioni I vërtetë Biblik është ai ku endjet fizike tjetërsohen në kalibrime morale. Çdo gjëje që i mungon njohuria nuk mund të shkojë drejt fundit, Musai lëvizi drejt tokës së premtuar I shoqëruar nga njohuria hyjnore. A po enden sot hebrenjtë pa cak dhe pa njohuri? Nj gjë është e dukshme, periudha e gjatë e skllavërisë la shenja të forta në subkoshencën e tyre, saqë kalvarin e tyre të dikurshëm po ia imponojnë një populli real për arsye imagjinare, mesanike. Kështu ndodh kur soditja/endja në natyrë të bëhet kalvar psikologjik./mexhlis

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne