Erdogan: Do të kërkojmë zgjidhje tjera nëse vazhdon qëndrimi pa marrëveshje për F-35

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se “Turqia do të detyrohet të kërkojë zgjidhje tjera për të përmbushur nevojat e saj afatmesme, nëse vazhdon qëndrimi pa marrëveshje për F-35”.

Në fjalën e tij, para grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Erdoğan foli lidhur me bisedimet e zhvilluara me presidentin e SHBA-ve, Donald Trump.

“Në bisedime nuk kemi mundur të sjellim zgjidhje rrënjësore për shumë çështje mes nesh, por i kemi treguar botës se ne nuk kemi lejuar që këto çështje të marrin peng marrëdhëniet tona”, tha ai.

Më tej Erdoğan ka theksuar se gjatë takimit të zhvilluar me Trumpin kanë biseduar edhe për çështjen e avionëve luftarakë F-35. “I kemi thënë se nëse vazhdon qëndrimi pa marrëveshje për çështjen e F-35, Turqia do të detyrohet të kërkojë zgjidhje tjera për të përmbushur nevojat e saj afatmesme”, tha presidenti turk.

“Të nderuarit Trump i shpjeguam se si Turqia erdhi në pikën për blerjen e sistemit ajror S-400. Për këtë çështje ai na jep të drejtë neve. I treguam se tashmë vendi ynë nuk mund të tërhiqet nga blerja e sistemit të mbrojtjes ajrore në fjalë, ku dhe zgjidhja duhet të gjendet në këtë drejtim. Presidentit Trump i shpjegova se edhe NATO ka njoftuar se ky sistem nuk përbën problem për konceptim e saj të mbrojtjes”, tha Erdogan.

“Nënvizuam se insistimet ekstreme në këtë çështje nënkuptojnë dhunimin e të drejtave sovrane të Turqisë. Ne po ashtu pësëritëm kërkesën tonë për blerjen e sistemit Patriot nga Amerika. Ndërkohë që kam shprehur sërish padrejtësinë lidhur me projektin për avionët F-35, në të cilën Turqia nuk është blerëse por partnere ku ajo ka kryer pagesën e 1.4 miliardë dollarëve nga 2.1 miliardë që kemi premtuar”, tha ai.

Pasi ka vënë theksin se Turqia lufton kundër organizatave terroriste dhe se pothuajse çdo ditë po kryhen sulme, ndaj civilëve, forcave turke dhe ushtrisë kombëtare siriane, nga kufiri jashtë territoreve të operacionit, Erdogan tha:

“Ata që janë përpjekur ta paraqesin organizatën terroriste separatiste si një strukturë që lufton kundër DEASH-it sot po përpiqen të mbulojnë masakrat civile të kryera po nga e njëjta organizatë. Askush nuk i vëren këto, pavarësisht se ne opinionit publik botëror ia kemi paraqitur me pamje se si organizata terroriste vendos në objektivin e saj vendet si shkollat, xhamitë, spitalet, kishat”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne