Erdogan në Nju-Jork: Myslimanët, më të prekurit nga gjuha e urrejtjes

Kreu i shtetit turk, i cili po qëndron në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kuadër të punimeve të Sesionit 74. të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së (UNGA74), mbajti një fjalim në aktivitetin e nivelit të lartë me temë “Lufta kundër Gjuhës së Urrejtjes”, organizuar bashkërisht nga Turqia dhe Pakistani, ku theksoi se deklaratat me përmbajtje urrejtjeje janë normalizuar në prononcimet që politikanët bëjnë në çdo orë të ditës përmes rrjeteve sociale.

Duke thënë se më të prekurit sot nga gjuha e urrejtjes, racizmi kulturor, diskriminimi dhe fyerjet – fatkeqësisht – janë myslimanët; Erdogani tërhoqi vëmendjen se gratë myslimane bëhen pre e ngacmimeve apo abuzimeve në rrugë, tregje dhe vendet e punës vetëm pse mbajnë shami koke.

“Si një vend me 6,5 milionë qytetarë jashtë shtetit, të cilët preken nga gjuha dhe sulmet e urrejtjes, ne s’mund ta anashkalojmë këtë çështje”, potencoi ai.

“Bizneset, shtëpitë dhe vendet e adhurimit të myslimanëve janë në shënjestër të grupeve raciste dhe fashiste pothuajse çdo ditë. Unë e dënoj gjuhën e urrejtjes edhe një tjetër herë që këtu. Gjuha e urrejtjes nuk duhet kurrsesi të vihet në parantezën e lirisë së mendimit”, shtoi Presidenti Erdogan.

Lideri turk shprehu mbështetjen e tij të fuqishme për idenë e krijimit të një baze të dhënash për gjuhën e urrejtjes në Kombet e Bashkuara.

Ai vuri në pah se Kashmiri është kthyer aktualisht gati në një burg të hapur dhe vijoi me këto fjalë: “Të gjitha institucionet shtetërore kanë detyra të rëndësishme në lidhje me këtë çështje (Azad Kashmir). Iniciativat konkrete duhet të bëhen më efektive si në organizatat ndërqeveritare ashtu edhe në ato ndërkombëtare me cilësi rajonale dhe globale.”

Erdogani reagoi më tej ndaj sulmeve islamofobe duke potencuar se lidhja e Islamit – një fe e paqes – me terrorin, është një shpifje imorale dhe e papranueshme.

“Turqia do të vazhdojë të udhëheqë të gjitha përpjekjet për të luftuar në mënyrë aktive kundër islamofobisë, racizmit dhe gjuhës së urrejtjes”, shtoi ai./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne