Erdogan: Objektivi amerikan dhe izraelit ndaj Iranit, Pakistanit dhe vendeve të tjera myslimane është zhvatja e pasurive nëntokësore

Erdogan ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për ndërhyrje në çështjet e brendshme të Iranit dhe Pakistanit dhe të vendeve të tjera myslimane, të nxitur nga dëshira për të zhvatur burimet e tyre natyrore.

“Ne nuk mund të pranojmë që disa vende si SHBA dhe Izraeli të ndërhyjnë në punët e brendshme të Iranit dhe Pakistanit”, u tha Erdogan gazetarëve në Stamboll të premten, njofton AFP. Të martën, Presidenti Donald Trump shprehu mbështetje për protestat kundër Iranit të cilin e quajti “regjim brutal dhe i korruptuar”.

Ndërsa për “ndërhyrjen” e SHBA-së në çështjet e Pakistanit, Erdogan nuk dha hollësira, por kritika ka të ngjarë që t’i atribuohet vendimit të SHBA-së për të ndaluar financimet ndaj sigurisë së këtij vendi. Uashingtoni akuzon Islamabadin për strehimin e militantëve talebanë dhe për mosmarrjen e “veprimeve kundër terrorizmit”.

Ndërhyrja e pretenduar e SHBA-së dhe Izraelit është e nxitur kryesisht nga dëshira për “pasuritë e mëdha nëntokësore të këtyre vendeve”, tha Erdogan. Të dy këto vende si dhe shtete të tjera perëndimore, synojnë kryesisht vendet muslimane,” duke i kthyer popullatat kundër njëri-tjetrit”, shtoi ai. Rezultatet shkatërruese të një ndërhyrjeje të tillë mund të shihen në Siri, Irak, Palestinë, Egjipt dhe në vende të tjera, tha presidenti.

“E njëjta gjë është në Libi, Tunizi, Sudan dhe Çad. Vendet ku mbillen trazirat janë vendet muslimane. Këto vende kanë pasuri që u takon vetëm atyre,” tha Erdogan. “I gjithë njerëzimi duhet ta dijë këtë dhe duhet të ndryshojë qëndrimin e tij.”

Deklaratat e Erdoganit u përsëritën zyrtarisht edhe nga Teherani, i cili akuzoi SHBA-në, Izraelin dhe Arabinë Saudite për nxitje të protestave në vend. Prokurori Publik i Iranit, Mohammad Jafar Montazeri tha të enjten se “komploti” për të shkaktuar trazira ishte organizuar rreth katër vjet më parë nga një shtetas amerikan, ish-agjent i CIA-s i identifikuar si Michael Andrea, bashkë me një agjent të Mossadit. Sipas prokurorit, Arabia Saudite ka hequr shpenzimet e komplotistëve.

Gjithashtu këtë javë, ambasadori i Iranit në OKB, Gholamali Khoshroo dënoi “veprimet ndërhyrëse të administratës amerikane në punët e brendshme të Iranit”. Më herët këtë javë, e dërguara e SHBA-së në OKB bëri thirrje për një takim “urgjent” të Këshillit të Sigurimit për të diskutuar situatën në Iran. Takimi u planifikua për të premten.

Edhe Rusia i ka denoncuar ndërhyrjet në punët e brendshme të Iranit. “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë me politikën e ndërhyrjes së hapur dhe të fshehtë në punët e brendshme të shteteve të tjera. Nën maskën e shqetësimit rreth të drejtave të njeriut dhe demokracisë, ata sulmojnë drejtpërdrejt sovranitetin e kombeve,” tha të premten zv.ministri i Jashtëm Sergej Ryabkov. Më herët këtë javë, Ministria e Jashtme e Rusisë paralajmëroi çdo ndërhyrjeje të jashtme në çështjet e Iranit duke i quajtur veprime të papranueshme “të cilat mund të destabilizojë situatën” më tej./rt/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne