Erion Veliaj i jep Teatrin përfundimisht Fushës, urdhëron mbylljen e dosjes brenda tetorit

Mafia e qeverisë bashkë me atë të kryeqytetit janë në ethe për të përshpejtuar procesin e mbylljes së dosjes së ndërtimit të Teatrit të ri dhe përdorimin e hektarëve të tërë truall rreth tij, për kulla.

Edi Rama dhe Erion Veliaj janë në një ngutje të fortë për t’ia dhënë këtë punë publike që vlen miliona euro pikërisht oligarkut klient të tyre Shkëlqim Fusha, si ofertuesi i vetëm për ndërtimin e Teatrit, menjëherë pas shembjes së Teatrit të vjetër.

Kështu, Veliaj ka rikthyer në vëmendjen e Bashkisë së Tiranës çështjen e lënë pezull të Teatrit Kombëtar, ku prej muajsh qëndrojnë në protestë artistët që janë kundër shembjes së godinës, duke dhënë madje dhe shfaqje falas në ambientet e tij.

Mësohet se me urdhër të kreut të bashkisë së Tiranës, Veliaj po vlerësohet oferta e dorëzuar nga “Fusha” sh.p.k. për Teatrin Kombëtar, e cila është dhe ofertë e vetme për këtë projekt miliarder ku nuk është pranuar të futet askush tjetër, duke ia lënë të gjithin “Fushës”.

Të njëjtat burime thonë se Veliaj ka kërkuar që proçesi i vlerësimit të dosjes të mbyllet me çdo kusht deri fund të tetorit, edhe pse oferta e paraqitur ka disa mangësi të theksuara.

Presioni i qeverisë mbi të gjithë kompanitë e interesuara për të marrë pjesë në garë me sa duket ka dhënë efektin e duhur, pasi “Fusha” është përfituesi, duke mbërritur sërish në pikën e nisjes kur e kishte marrë përsipër po ai ndërtimin e Teatrit të ri, përmes një oferte të pakërkuar.

Qeveria kishte vendosur t’i rihapë procedurat për Teatrin, pas paralajmërimeve që mori nga Bashkimi Europian për të mbiquajturin ligjin “Fusha” ku sanksionohej se operatori privat me të cilin do të negociohej kontrata do të ishte “Fusha sh.p.k”. Veliaj e quan të kryer tashmë detyrën.

Ndërkohë që në fund të tetorit dosja e ankandit do të jetë gati sipas urdhërit të lëshuar nga Veliaj, pritet që një proces i tillë të hasë sërish kundërshtimin e fortë të artistëve dhe atyre që nuk duan shembjen e Teatrit të vjetër, ngujimi i të cilëve nga dita e hënë ka filluar të intensifikohet./Pamfleti

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne