Shqiperia

Fusha shpk tjetër kontratë të dyshimtë, €4,7 milionë për shëtitoren në Sarandë

Kompania Fusha shpk ka fituar tenderin me vlerë 4,7 milionë euro për rivitalizimin e shëtitores Naim Frashëri, buzë detit në Sarandë.

Fusha shpk u shpall fituese e tenderit ndërkombëtar zhvilluar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH), megjithëse oferta e saj ishte më e lartë se ato të kompanive të tjera pjesëmarrëse në tender.

FSHZH publikoi thirrjen ndërkombëtare për oferta që më 29 maj 2019. Megjithatë më 7 gusht 2019, kur u shpall dhe fituesi, vetëm tre kompani shqiptare kishin marrë pjesë në tender:

  • Arifaj shpk, me ofertë rreth 3,8 milionë euro;
  • Gjikuria shpk, me ofertë rreth 3,9 milionë euro;
  • Fusha shpk me ofertë rreth 4,7 milionë euro.

dokumentet e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, bërë publike nga OpenProcurement.al, FSHZH nuk sqaron se përse ka shpallur fituese kompaninë Fusha, megjithesë ajo ka bërë ofertën më të lartë.

Projekti për rivitalizimin e shëtitores buzë detit në Sarandë është pjesë e projektit të Bankës Botërore për përmirësimin e infrastrukturës në bashkitë Sarandë, Gjirokastër, Berat, Përmet.

Për të katër këto bashki, Banka Botërore i ka dhënë qeverisë shqiptare një kredi prej 63.8 milionë euro.

Kompania Fusha njihet si një prej kompanive të afërta të qeverisë, Bashkisë Tiranë dhe një sërë bashkish të tjera socialiste si ajo e Durrësit.

Kompania Fusha aktualisht po rindërton dhe Bulevardin Zogu I në Tiranë, i gjatë 600 metra. Vlera e kësaj kontratë është 5 milionë euro.

Po ashtu, siç Exit.al ka shkruar më parë, Fusha shpk është kompania kryesore pretendente për të fituar tenderin për ndërtimin e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e gjashtë kullave rreth tij.

Sipas të dhënave të OpenData Albania, Fusha shpk ka përfituar të paktën rreth 30 milionë euro në kontrata nga pushteti lokal gjatë periudhës korrik 2015—korrik 2018. Të paktën rreth 13 milionë të tjera Fusha i ka përfituar nga pushteti lokal, në të njejtën periudhë kohe, së bashku me kompani të tjera, me të cilat ka fituar kontrata si bashkim kompanish./exit.al

OPINIONE