Shqiperia

Gazsjellësi TAP, rrugëtimi energjetik i Shqipërisë

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP), shënoi të premten instalimin me sukses të turbokompresorëve në Stacionin e Kompresorit në Fier.

Turbokompresorët janë “zemra” e Stacionit të Kompresorit dhe do të luajnë një rol kyç për transportimin e gazit përmes tubacionit. Deri më tani, kanë përfunduar rreth 30% e punimeve të përgjithshme për ndërtimin e Stacionit të Kompresorit në Fier dhe janë punësuar më shumë se 210 persona, 70% e të cilëve janë punëtorë lokalë.

Në përshëndetjen e mbajtur me këtë rast, drejtori menaxhues i TAP-it, Luca Schieppati, tha: “Sot shënojmë një tjetër etapë në rrugëtimin energjetik të Shqipërisë. Ne besojmë se TAP-i do të bëhet një element kyç i këtij rrugëtimi të ardhshëm duke dhënë kontribut për sigurinë, diversifikimin dhe dekarbonizimin e energjisë. Duke përfituar nga mbështetja e vazhdueshme e qeverisë shqiptare, autoriteteve dhe komuniteteve vendore, TAP-i do të vazhdojë ndërtimin duke realizuar një gazsjellës modern, të sigurt dhe të qëndrueshëm, që do të ndihmojë transportin e gazit në vend dhe më tej.”

Ndërsa drejtori i projektit për TAP-in, John Haynes, nënvizoi: “Jemi një hap më pranë përfundimit të projektit dhe sjelljes së gazit në Evropë. Stacioni i Kompresorit të TAP-it në Fier është instalimi sipërfaqësor më i rëndësishëm. Në Fier do të jetë një nga pikat dalëse të TAP-it të planifikuara në Shqipëri. Për më tepër, kjo do të jetë pika e nisjes edhe për Gazsjellësin Jonianadriatik (IAP), që do të rrisë më tej rëndësinë strategjike të Fierit dhe Shqipërisë në rajon e më gjerë.”

Pjesëmarrësit në aktivitet patën mundësinë të shohin nga afër turbokompresorët dhe të mësojnë rreth disa prej sfidave të ndërtimit të Stacionit të Kompresorit në Fier.

Sipërfaqja e përgjithshme e Stacionit të Kompresorit në Fier është 162.970 m2, e barabartë me pothuajse 25 fusha futbolli. Punimet e ndërtimit priten të përfundojnë në mars të vitit 2019 dhe Stacioni i Kompresorit pritet të jetë gati për funksionim në tremujorin e fundit të vitit 2019.

Impakti i TAP-it në ekonominë e Shqipërisë

TAP-i ka përfunduar në masën 72,5% dhe vijon në jetë në përputhje me afatet për sjelljen e gazit kaspik në Evropë në vitin 2020.

Deri në fillim të qershorit, është pastruar 96% e gjurmës në Greqi dhe Shqipëri dhe rreth 80% e tubave janë shtrirë tashmë në tokë.

Përtej të qenit një projekt strategjik energjie, TAP-i sjell edhe përfitime të prekshme për komunitetet përgjatë gjurmës. Ja disa prej këtyre investimeve në Shqipëri:

  • TAP-i po rehabiliton rrugë dhe ura që mundësojnë kalimin e sigurt të tubave të çelikut, makinerive dhe pajisjeve. Gjithsej, janë përmirësuar më shumë se 185 km rrugë, janë ndërtuar dy ura dhe janë rehabilituar 40 ura. Kjo infrastrukturë sjell përfitime për më shumë 200.000 vetë.
  • TAP-i po investon më shumë se 14 milionë euro në projekte sociale dhe mjedisore. Deri tani, TAP-i ka rehabilituar shkolla, sisteme ujësjellësi dhe muze, ka dhuruar pajisje për shërbimet zjarrfikëse, ka organizuar fushata të ndërgjegjësimit për sigurinë ose ka dhënë ndihmë gjatë periudhave me mot të rënduar. Ai do të vazhdojë të zbatojë edhe më shumë programe të tilla.
  • Për më tepër, TAP-i po promovon hapjen e vendeve të punës. Sot, më shumë se 3.500 persona punojnë përgjatë gjurmës së tij dhe më shumë se 85% e tyre janë shqiptarë. Ka rreth 40 biznese vendore në fushën e hotelerisë, sigurimit, transportit, që ofrojnë të mira dhe shërbime për projektin.
  • TAP-i po jep gjithashtu kontribut në prodhimin e brendshëm bruto të Shqipërisë përmes pagesave të milionave euro në tatime.
  • Mbi të gjitha, TAP-i mbetet i angazhuar të japë kontribut për Masterplanin Shqiptar të Gazit duke ofruar ekspertizë teknike dhe duke mundësuar pika daljeje gazi, në mënyrë që Shqipëria të ketë akses në gaz për kërkesat e veta të brendshme. Kështu, TAP-i mund të mbështesë gazifikimin e ardhshëm të Shqipërisë.
  • TAP-i është gjithashtu një mundësues i projektit të Gazsjellësit Jonianadriatik, që do të përforcojë më tej rëndësinë e Shqipërisë në Ballkan./ trt