Një anëtar i lartë i Hamasit mohoi zërat të hënën se lëvizja palestineze ka arritur marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve me Izraelin. “Raportet për një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve janë të pavërteta”, tha Izzat al-Rishq në një deklaratë të shkurtër. Gazetat izraelite mohuan raportet për një marrëveshje me Hamasin për shkëmbimin e të burgosurve.
“Nuk ka ende asgjë”, shkroi gazeta “Jerusalem Post”, duke cituar një zyrtar të lartë izraelit. Të dielën, kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed Bin Abdulrahman Al-Thani tha se një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve midis Izraelit dhe Hamasit është “afër”. Hamasi besohet se mban të paktën 239 izraelitë pas sulmit ndërkufitar më 7 tetor. Grupi palestinez thotë se është gati të lirojë robërit në këmbim të mijëra palestinezëve që mbahen në burgjet izraelite.
Të paktën 13 mijë palestinezë janë vrarë, përfshirë mbi 9 mijë gra dhe fëmijë ndërsa më shumë se 30 mijë të tjerë janë plagosur në sulmet ajrore dhe tokësore izraelite që nga 7 tetori, sipas shifrave të fundit. Bllokada izraelite ka shkaktuar ndërprerje e furnizimeve me karburant, energji elektrike dhe ujë në Gaza dhe ka reduktuar dërgesat e ndihmave në një sasi të vogël.
Ndërkohë, numri i të vdekurve izraelitë është rreth 1.200, sipas shifrave zyrtare./AA