Ilir Meta letër qytetarëve për zgjedhjet lokale: Janë në 13 tetor, qëndroni të qetë e mos bini pre e provokimeve

Pas letrës që i dërgoi mbrëmë vonë kryeministrit Edi Rama, Presidenti Ilir Meta sot u ka dërguar një letër qyetarëve për zgjedhjet vendore. Në që në nisje President kujdeset që të theksojë se zgjedhjet do të bëhen në 13 tetor, sipas dekretit të tij të dytë dhe jo më në 30 qershor, siç insiston kryeministri. Por Meta shton se përtej këtij debati mes palëve, qytetarët duhet të qëndrojnë të qetë dhe ta marrin situatën me mençuri e të mos bien pre e provokimeve.

“Sepse ato u shërbejnë vetëm atyre që duan të legjitimojnë kapjen totale të shtetit dhe instalimin e një regjimi njëpartiak. Të dashur qytetarë, T’i respektojmë dhe të mos konfrontohemi me të gjithë ata bashkëqytetarë që do të shkojnë në këto votime socialiste”, shton më tej Meta.

Këtë letër për qytetarët Meta e shoqëron me një video të votimeve gjatë kohës së komunizmit, dhe u bënë thirrje të gjithëve që të për të shijuar sa më shumë zgjedhjet duhet t’i shoqërojnë me daulle dhe dajre si në kohën e komunizmit.

LETRA E PLOTË 

Mirëdita të dashur qytetarë!

Nga dje, data kushtetuese e zgjedhjeve vendore është 13 tetor 2019. Situata është e qartë dhe e padiskutueshme nga ana ligjore dhe kushtetuese. Gjithsesi kryeministri po insiston për të shkuar në votime socialiste në datën 30 qershor 2019.

Ju këshilloj ta merrni atë me qetësi e mençuri, dhe të mos bini pre e provokimeve, sepse ato u shërbejnë vetëm atyre që duan të legjitimojnë kapjen totale të shtetit dhe instalimin e një regjimi njëpartiak. Të dashur qytetarë, T’i respektojmë dhe të mos konfrontohemi me të gjithë ata bashkëqytetarë që do të shkojnë në këto votime socialiste.

Konfrontimi dhe dhuna nuk i shërben Shqipërisë dhe së ardhmes së saj europiane, dhe sidomos bashkëjetesës sonë qytetare në çdo familje, në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo komunitet dhe në të gjithë shoqërinë tonë.

Mos u nervozoni nga provokimet që do t’ju bëhen për t’ju çuar drejt dhunës. Ndoshta e teproj, por për t’i shijuar tamam votimet socialiste dhe për t’ju rikthyer qoftë dhe për 1 ditë asaj periudhë 45-vjeçare, shoqërojini me dajre e daulle si njëherë e një kohë. Ata vetë do votojnë, vetë do t’i numërojnë. Të gjithë shqiptarët së bashku, në mënyrë demokratike, të fshehtë, të lirë dhe të ndershme do të zgjedhin vetëm në 13 tetor 2019. Ndaj ju ftoj të ndiqni dhe këtë video për t’u çtensionuar sadopak në prag të kësaj fundjave interesante.

Deklaratat e kryeministrit vijnë 2 ditë para zgjedhjeve lokale ku opozita nuk merr pjesë. Dje presidenti dekretoi një datë të re zgjedhjesh, që është 13 tetor 2019. Dekreti i presidentit sërish nuk është njohur nga PS, ndërkohë që opozita është e dyzuar. Lulzim Basha tha dje se PD nuk merr pjesë në asnjë palë zgjedhje me Ramën, ndërkohë që LSI njohu 13 tetorin si datën e re të zgjedhjeve./dosja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne