Irak – Alhakim: Jemi kundër sanksioneve amerikane ndaj Iranit

Alhakim zhvilloi bisedime në Bagdad me homologun e tij iranian, Mohammad Javad Zarif, i cili mbërriti të shtunën në kryeqytetin irakian për diskutime me zyrtarët e këtij vendit.

Ai tha se marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Bagdadit dhe Teheranit ishin në fokus të vizitës së Zarifit në Irak.

“Ne jemi kundër sanksioneve amerikane ndaj Iranit dhe qëndrojmë në krah të Teheranit në lidhje me këtë çështje”, tha kreu i diplomacisë irakiane.

“Ne besojmë se sanksionet ekonomike kundër Iranit nuk janë të dobishme”, theksoi Alhakim duke shtuar se po komunikojnë me shtetet e rajonit për të arritur një zgjidhje të kënaqshme për të gjitha palët.

Kurse ministri Zarif, nga ana e tij i cilësoi bisedimet me zyrtarët irakianë si “shumë të mira”.

Ai tha se Teherani dhe Bagdadi kanë filluar të ndërtojnë një hekurudhë ndërmjet dy vendeve.

Tensionet Uashington-Teheran janë përshkallëzuar vazhdimisht që kur Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tërhoqi në mënyrë të njëanshme vendin e tij nga marrëveshja bërthamore midis Iranit dhe Grupit P5+1, i cili formohet nga 5 shtetet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (SHBA, Rusi, Angli, Francë, Kinë) dhe Gjermania.

Administrata e Trumpit ka rivendosur sanksione mbi sektorin bankar dhe energjetik të Iranit, ndërsa Irani ka kërcënuar me mbyllje të ngushticës strategjike të Hormuzit për dërgesat e naftës në SHBA./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne