Bota Uncategorized

Iran – Erdogan: Referendumi i KRG-së i jashtëligjshëm, vendosur në tavolinë me Mossad-in

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, që po qëndron sot për vizitë njëditore në Iran, deklaroi se referendumi i mbajtur më 25 shtator në administratën rajonale kurde të Irakut (KRG) njihet vetëm nga Izraeli dhe shtoi: “Një vendim, që është marrë duke u ulur në tavolinë me Mossad-in (shërbimi sekret izraelit), s’mund të jetë legjitim, është i jashtëligjshëm”.

Kreu i shtetit turk, që shkoi në Teheran për një vizitë zyrtare, foli para gazetarëve në konferencë të përbashkët për shtyp me homologun iranian, Hassan Rouhani, pas takimeve kokë më kokë dhe ndërmjet delegacioneve.

Duke informuar median rreth bisedimeve në kryeqytetin iranian, Erdogan theksoi se natyrisht që në rend të ditës ishin zhvillimet rajonale, me kryefjalë problemin në Irak.

“Çfarë referendumi mbajti administrata rajonale kurde e Irakut? Përveç Izraelit, asnjë vend tjetër në botë nuk e ka njohur. Vendimi, që është marrë duke u ulur në tavolinë me Mossad-in, s’mund të jetë legjitim, është i jashtëligjshëm”, u shpreh ai.

“Nëse e bëni këtë punë duke marrë në njërin krah një person të caktuar dhe në krahun tjetër gjithashtu një person tjetër të caktuar, jam i bindur se një hap i tillë do ta ndëshkojë KRG-në me vetmi. Vendosmëria jonë si Turqi dhe Iran në lidhje me këtë çështje është e qartë. Bashkëbiseduesi ynë në Irak është qeveria qendrore dhe ne e konsiderojmë absolutisht të paligjshëm këtë referendum”, theksoi lideri turk për referendumin e mbajtur në administratën rajonale kurde të Irakut më datë 25 shtator.

Sa i përket situatës në Siri, Erdogan tha se atje ka një mekanizëm trepalësh për mbikëqyrjen e “zonave pa konflikt” shumë të rëndësishme, përcaktuar nga Turqia, Irani dhe Rusia në kuadër të procesit të Astanës.

Në vijim, ai informoi gazetarët edhe për marrëdhëniet dypalëshe Turqi-Iran.

“Vendosëm të jetësojmë procesin e tregtisë me monedha kombëtare për të shpëtuar marrëdhëniet tona ekonomike nga presioni i kursit valutor aktual. Autoritete të bankave qendrore të dy vendeve tona do të takohen javën e ardhshme për të nënshkruar marrëveshjen në lidhje me këtë çështje”, u shpreh Erdogan duke njoftuar gjithashtu se një gjallërim do të ketë edhe procesi për hapjen e filialeve të bankave turke në Iran dhe për zgjerimin e rrjetit të bankave iraniane në Turqi.

Presidenti mikpritës, Hassan Rouhani, nga ana e tij vuri në pah se bisedimet ishin të frytshme dhe se qëllimi themelor i tyre është vendosja e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Ai përsëriti edhe një tjetër herë se Teherani dhe Ankaraja janë pro integritetit territorial të Irakut e Sirisë.

Mes të tjerash, Rouhani shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të investuar në Turqi , ndërsa theksoi se edhe Irani do të garantojë mbështetjen e nevojshme për sipërmarrësit turq.

“Synimi ynë është që vëllimi tregtar vjetor mes dy vendeve të arrijë në 30 miliardë dollarë”, tha presidenti iranian duke nënvizuar se pikat doganore do të punojnë 24 orë në ditë.

Përpara konferencës së përbashkët për shtyp Erdogan-Rouhani, ndërmjet Turqisë dhe Iranit u firmosën një sërë marrëveshjesh në shumë fusha të ndryshme./ trt

OPINIONE

INTERVISTA