Khan: Dyert e Pakistanit janë të hapura në çdo fushë për investitorët turq

Kryeministri pakistanez Imran Khan në fjalën drejtuar Forumit të Biznesit dhe Investimeve Turqi-Pakistan, iu referua fjalimit të Presidentit Erdogan në Parlamentin pakistanez.

“Jam i sigurt se Erdoani mund të fitojë në zgjedhjet e ardhshme pakistaneze. Shumë herë kam parë deputetë që i bien tavolinës (në shenjë brohoritjeje), por është hera e parë që shoh që si qeveria, ashtu edhe opozita i bien njëherësh tavolinës”,- tha Khan duke shtuar se atmosfera në parlament ishte tregues i dashurisë që gëzon Erdoani.

“Pavarësisht nga përkatësia politike, pakistanezët e konsiderojnë atë si udhëheqës që ngre zërin e tij për gjithçka që ndodh në botën myslimane,” tha kryeministri.

-Marrëdhëniet ekonomike-

Imran Khan premtoi se Qeveria e tij do të bëjnë gjithçka të mundshme për zhvillimin e marrëdhënieve tregtare midis dy vendeve.

“Ne do të ofrojmë çdo lloj mbështetjeje për të krijuar partneritete midis sipërmarrësve nga të dy vendet, veçanërisht në fushat që ne u kushtojmë përparësi. Turizmi kryeson në këto fusha. Sektori turk i turizmit është shumë i zhvilluar dhe Pakistani ka shumë për të mësuar nga ky sektor. Një revistë turizmi në SHBA e zgjodhi Pakistanin si destinacionin numër një turistik për vitin 2020”,- tha kryeministri Khan.

“Pakistani është një vend shumë i virgjër në turizëm. Kemi mangësi infrastrukturore. Turqia është një vend shumë i zhvilluar në sektorin e infrastrukturës, turizmit të detit dhe atij të kulturës. Ne duam ndihmën e investitorëve turq në këtë fushë”,- tha Khan.

Kreu i qeverisë tha se Pakistani është një nga vendet me popullsinë më të re në botë dhe se është i hapur për investime edhe në fushën e teknologjisë së informacionit.

“Pakistani është një vend i pasur me minerale. Ne kemi një potencial shumë të madh, por një numër i madh i fushave tona minerare mbeten të paprekura. Ne i kemi dyert tona të hapura për investitorët turq që janë shumë përpara nesh në këtë fushë. Kemi toka shumë pjellore, por ne nuk arrijmë që ta përdorim ujin si duhet. Prandaj, edhe në këtë fushë duhet të mësojmë teknikat e Turqisë”,- shtoi ai.

Kryeministri Khan theksoi se Pakistani është ngjitur në listën e lehtësive për të bërë biznes, listë që është përgatitur nga Banka Botërore. “Qeveria jonë do të sigurojë çdo lloj lehtësie për Turqinë. Ekzekutivi aktualështë qeveria më miqësore, që qëndron pranë investuesit. Vetëm brenda vitit të fundit jemi ngjitur 28 vende më lartë në renditjen e vendeve më të mira për të bërë biznes. Ne po bëjmë gjithçka për t’ua lehtësuar jetën biznesmenëve dhe për të eliminuar barrierat”.

Përveç Presidentit Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) në Forumin e Biznesit morën pjesë edhe ministrja e Tregtisë së Turqisë Rusar Pekxhan (Ruhsar Pekcan), ministri i Tregtisë së Pakistanit Abdul Rezak Davud dhe biznesmenë nga Këshilli për Marrëdhëniet Ekonomike të Jashtme (DEIK)./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne