Kina nuk do të marrë pjesë në negociatat SHBA-Rusi për çarmatimin

Drejtori i Përgjithshëm i Departamentit të Kontrollit të Armëve të Ministrisë së Jashtme të Kinës, Fu Cong, duke vënë në dukje se Kina është e gatshme të reduktojë arsenalin e saj të armëve bërthamore tha se, “Ne nuk mendojmë që të marrim pjesë në negociatat e çarmatimit SHBA-Rusi”.

Në një fjalim në konferencën për parandalimin e përhapjes së armëve bërthamore të mbajtur në kryeqytetin Moskë, Fu ka bërë vlerësime lidhur me negociatat mbi çarmatimin mes Rusisë dhe SHBA-së.

Fu tha se është shumë e rëndësishme çështja e reduktimit të armëve bërthamore që posedojnë Rusia dhe SHBA-ja.

“Sepse këto armatime janë në përmasa gjigande. Janë shumë më tepër se të vendeve të tjera që kanë armë bërthamore. Për këtë arsye bëjmë thirrje për vazhdimin e bisedimeve për çarmatimin e SHBA-së dhe Rusisë”, shtoi Fu.

Ndërkohë duke bërë të ditur se edhe Kina është e gatshme të bëjë atë që i përket mbi këtë çështje, Fu tha se, “Edhe Kina është e gatshme të reduktojë arsenalin e armëve të saj bërthamore. Ne jemi të gatshëm t‘i bashkohemi këtij procesi nëse edhe vendet e tjera reduktojnë arsenalet e tyre në nivelin që ka Kina. Por ne nuk mendojmë që të marrim pjesë në negociatat e çarmatimit SHBA-Rusi”.

“Ne nuk i shohim të drejta iniciativat e SHBA-së për të përfshirë edhe Kinën në negociatat për çarmatosje që zhvillon me Rusinë”, shpjegoi Fu, i cili më tej vlerësoi se, “Iniciativa të tilla të largojnë nga objektivi kryesor. SHBA prodhon një arsye vetëm për të dalë nga një marrëveshje e rëndësishme ndërkombëtare”.

Marrëveshja për Reduktimin e Armëve Strategjike të Sulmit (STAR-3), e nënshkruar mes SHBA-së dhe Rusisë në vitin 2010, është e vetmja marrëveshje që vazhdon mes dy vendeve për të kufizuar armët. Të dy vendet së fundmi njoftuan tërheqjen reciproke nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi (INF)./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne