Rajoni

Kosova izolon Shqipërinë: Tashmë duhet të kesh kryer tamponin për të kaluar kufirin

Shtetasit e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës duhet të kenë të kryer testin RT-PCR për Covid-19 nëse dëshirojnë të futen brenda territorit të Kosovës. Qeveria e Kosovës thotë se kjo masë është marrë sipas parimit të reciprocitetit edhe pse në fakt Shqipëria nuk ka asnjë kufizim në kufi. Qeveria e Kosovës ka sqaruar edhe kush është i përjashtuar nga ky vendim i Covid-19:

VENDIMI

1. Të gjithë qytetarët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilët hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës (RKS) duhet të dëshmojnë se janë të shëndoshë nga COVID-19, me testin RT-PCR në Sars COV-2, sipas parimit të reciprocitetit, me përjashtimet si në vijim:

1.1. Gjatë hyrjes nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” nuk ka nevojë të kenë vërtetim për test negativ RT-PCR, duke marrë parasysh që shtetasi i huaj vetëm do të kalojë nëpër territorin e RKS-së, dhe me kusht që në hyrje do të nënshkruajë një deklaratë që në afat prej 3 orësh do ta lëshojë territorin e RKS-së;

1.2. Gjatë hyrjes në pikat kufitare tokësore, me qëllim të daljes nëpër pikat ajrore nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”, nuk ka nevojë të kenë vërtetim për test RT- PCR, porse, shtetasit e huaj janë të obliguar të paraqesin biletën e aeroplanit dhe të nënshkruajnë deklaratën se brenda 3 orësh do ta lëshojnë territorin e RKS-së;

1.3. Transportuesit profesionistë (vozitësit) nuk është e nevojshme të kenë vërtetim për testin PCR, me kusht që respektohet protokolli për transport ndërkombëtar;

1.4. Për transport të organizuar me autobus ose linjë të rregullt ndërkombëtare transite nuk nevojitet testi RT-PCR, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e RKS-së brenda 5 orësh;

1.5. Shtetasit e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilët e kanë të rregulluar lejeqëndrimin e përkohshëm ose të përhershëm në RKS, gjatë hyrjes në RKS duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ, të bërë 72 orë para hyrjes në RKS;

1.6. Diplomatët e huaj nga shtetet e cekura në këtë vendim, të cilët janë të akredituar në RKS, sikurse familjarët e tyre, nuk është e nevojshme të kenë vërtetim për test RT-PCR;

1.7. Shtetasit e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilët kanë caktuar termin për mjekim në institucionet shëndetësore të RKS-së, mund të hyjnë, me kusht që të paraqesin vërtetimin për test TR-PCR negativ, të bërë 72 orë para hyrjes në RKS dhe vërtetimin për termin të caktuar të lëshuar nga spitali./Tpz

OPINIONE

INTERVISTA