Kryqtarët e Trumpit marshojnë për luftë

nga Eric Margolis.

Bota ende nuk e ka marrë veten nga tmerri i sulmeve vdekjeprurëse me bomba që ndodhën në Sri Lanka që mund të ketë qenë një vepër e të çmendurve të Shtetit Islamik. Sri Lanka e varfër ka vuajtur shumë nga tre dekadat e luftës civile dhe prej mosmarrëveshjeve të shoqërisë së saj. Të vjen për të qarë për këtë komb të bukur, dikur edhe të butë.

Por prapa tmerrit të Sri Lankës, po formohet një krizë e madhe, ndaj së cilës bota deri më tani nuk ka marrë qëndrimin dhe nuk ka bërë paralajmërimin e duhur: Tensione të reja po rikthehen në Gjirin e prodhimit të naftës. Kjo është përpjekja më e fundit e Shteteve të Bashkuara për të shtypur qeverinë iraniane bashkë me mendësinë e saj të pavarur dhe ta kthejë atë nën tutelën amerikane.

Administrata Trump ka kërkuar që importuesit kryesorë të 1.2 miliardë barelave të naftës iraniane ti ndalojnë blerjet pothuajse menjëherë. Ky diktat imperialist përfshin Kinën, Korenë e Jugut, Turqinë, Indinë dhe Japoninë. Embargoja gjithëpërfshirëse është shumë afër një akti të luftës. Në vitin 1941, ndërprerja e naftës nga amerikanët për Japoninë, provokoi sulmin në Pearl Harbor.

Embargoja e naftës jo vetëm që shkel ligjin ndërkombëtar, por e vendos SHBA-në në një kurs përplasjeje me disa nga aleatët e saj më të rëndësishëm dhe shtetet vasale. Kërcënimet e pacipa kundër Iranit nga dy prej vendimtarëve kryesorë të Trumpit, këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton dhe Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, kanë përforcuar imazhin e zi të Amerikës si një fuqi imperialiste që kërcënon me luftë satrapët e pabindur dhe kombet me mendësi të pavarur.

Irani, një komb krenar i lashtë prej 80 milionë banorësh, së bashku me Turqinë, është bërë opozita më efektive ndaj dominimit imperialist amerikan në Lindjen e Mesme dhe një mbështetës kyç i të drejtave të palestinezëve. Kjo e ka vënë Iranin në një kurs përplasjeje me Izraelin dhe me mbështetësit e tij amerikanë me ndikim,  sidomos me të djathtët evangjelistë të linjës së ashpër, të cilët besojnë se Jezusi do të kthehet në tokë vetëm pasi Izraeli të zgjerojë kufirin e tij dhe njerëzimi të shkatërrohet.

Ndërkohë, Administrata Trump, e cila tani nuk po dallohet fare prej koalicionit izraelit në pushtet i ekstremit të djathtë, ka deklaruar luftë virtuale kundër Iranit.

Në mënyrë që të përfitojë Izraeli, Shtëpia e Bardhë anuloi një porosi te Iranit prej 20 miliardë dollarësh për aeroplanët Boeing, i vendosi embargo tregtisë me Iranin, prishi marrëveshjen bërthamore me Teheranin që mbështetej ndërkombëtarisht, ndërpreu të gjithë ndihmën për palestinezët dhe vazhdon të mbështesë luftën barbare Saudito-Emiratase kundër Jemenit e cila ka shkaktuar vdekje, uri dhe epidemi masive.

Trump sapo miratoi në mënyrë të njëanshme konfiskimin e paligjshëm izraelit të Lartësive Golan të Sirisë, një akt i denjë për traktatin Sykes-Picot të vitit 1916 që ndau Lindjen e Mesme osmane mes Britanisë dhe Francës. Kërcënimet amerikane kundër Venezuelës dhe Kubës janë rritur edhe më shumë.

Uashingtoni ka në plan që forcat e ti detare të përqëndruara përreth Iranit ti përdorë për të ndaluar eksportet e naftës iraniane. Dy aeroplanmbajtëse amerikane janë stacionuar tashmë brenda rrezes së goditjes së Iranit. Njëra prej tyre është aeroplanmbajtësja e njohur ‘Abraham Lincoln’.

Kina përballet me penalizime të rënda tregtare për tregëtinë me Iranin. Mirësevini përsëri në diplomacinë luftarake të luftanijeve të shekullit të 19-të. Edhe aleatët evropianë të Uashingtonit mund të fishkullohen për blerjen e naftës iraniane.

Irani, i cili është përballur me kërcënime të ngjashme në të kaluarën, po gërmon hendeqet dhe kërcënon se do të mbyllë ngushticën strategjike të Hormuzit nëse eksportet e saj të naftës ndalohen. Njëzet përqind e naftës botërore kalon nëpër këtë ngushticë. Në pikën më të ngushtë, ky kalim strategjik është vetëm 21 milje (34 km) i gjerë.

Irani mund të ndërhyjë seriozisht tek anijet naftëmbajtëse që kalojnë nëpër ngushticë. Ai mund të përdorë anije luftarake të vogla dhe të shpejta, mina dhe raketa tokësore të prodhimit kinez. Po me aq rëndësi do të jenë edhe normat e sigurimit për anijet naftembajtëse pasi vlera e tyre do të ngrihej në qiell. Shtojini gjithë këtyre së bashku edhe aksionet luftarake të Trump & Co, të cilat kanë për ti ngritur edhe më lart çmimet e benzinës dhe të naftës.

Satrapët e Amerikës sikurse Arabia Saudite (e cila sapo preu kokat e 37 qytetarëve të saj) dhe shërbëtori i saj Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë premtuar se do të plotësojnë mungesat e naftës, megjithatë forcat speciale të fqinjit të tyre Iranit, mund të kenë ide shumë më të ndryshme. Hidhni një sy për raketa dhe sulme komando nëpër impiantet e instalimeve të naftës saudite.

Në këtë katrahurë të rrezikshme, Pekini mund ti ngadalësojë ose edhe ti ndërpresë bisedimet tregtare me Uashingtonin, të cilat janë të një rëndësie jetike për ekonominë amerikane. Tregjet amerikane tashmë kanë faktuar se një marrëveshje ka për tu bërë.

Kërkesa absurde e Trumpit për të shtypur Iranin mund ta kthejë fare mirë pjesën tjetër të botës kundër Uashingtonit. Por Trump & Co duket se nuk duan t’a dinë. Dikush duhet ti tregojë administratës Trump të dalë jashtë kontrollit se duhet ti ndalë orvatjet për përmbysje të qeverive që nuk pëlqen përgjatë globit dhe të ndalë promovimin e ardhjes së dytë të Krishtit.

“Në realitet, perënditë para se ta shkatërrojnë dikë, fillimisht bëjnë që personi të dalë jashtë kontrollit, të çmendet.” (citat i Prometeut).

Burimi: /global research/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne