Lajme komunale nga Tirana

Nga Kastriot Dervishi
Prej më se 2 vjetësh jemi të detyruar të shohim nëpër televizionet kombëtare lajme të mërzitshme të karakterit komunal nga Bashkia e Tiranës, të cilat nuk tregojnë veçse një nivel të lartë agjitacioni e propagande me synim për ta bërë publikun të krijojë një perceptim tjetër ndryshe nga ai që është në të vërtetë. Kjo narkozë agjitative, e ngjashme me propagandën 45-vjeçare komuniste (që dikur na bëri vendin më të mirë në botë), ka arritur deri aty sa t’i kthejë televizionet në minuta të caktuara në profile komunale.

Ushtrimi i detyrave funksionale nga një institucion nuk përbën lajm, nuk është as ngjarje e madhe dhe as ushqim i detyrueshëm për publikun. Për fat të keq, është krijuar një perceptim i gabuar se ky ushtrim duhet demonstruar patjetër në publik si ushqim i detyrueshëm për masën. Në të vërtetë përbën lajm, pikërisht mosushtrimi i detyrave funksionale dhe ato për të cilat të ngarkon ligji.
Skenari i këtij agjitacioni është shumë i lexueshëm e është bërë tej mase qesharak, saqë dihet edhe pa u shfaqur fare. Shfaqet në fillim në vendin e caktuar, kryetari me disa njerëz. Në verë mëngët e gjata të këmishës janë të përveshura në mënyrë që të krijohet ideja e njeriut punëtor. Në dimër sipas rastit. Trupa e përzgjedhur për filmim ecën disa metra. Në krah është përfaqësuesi legjislativ i partisë, “deputeti i zonës” (pavarësisht se në Shqipëri nuk ka deputetë zonash, por vetëm qarqesh). Rrugës i japin dorën ndonjë kalimtari, mbajnë në krah ndonjë fëmijë, etj. Pastaj shohin në një hartë e bëjnë me gisht diçka në të. Flet kryetari, monolog me vetveten, fjalë të përgjithshme që “i vjen mirë”, “që vlera e pronës është rritur”, etj. Gjatë kohës që flet kryetar në sfond është gjithnjë një mjet që punon. Meazallah se ndryshoi ndonjëherë ky plan.

Sikur 60 bashkitë e tjera të nisin kaseta të gatshme për televizionet kombëtare, nuk do marrë njeri më malli të shohë lajme sepse nuk do quhen më të tilla, por ato minuta do jenë vetëm komunale. Ujërat e zeza, çerdhet, rrugët, uji i pijshëm, etj, janë çështje të bashkive. Për një qytet, janë ngjarje të mëdha përurime veprash të mëdha si ujësjellësit e rinj, parqet, rrugët e reja, qendrat kulturore, bibliotekat, etj, por kurrsesi nuk përbëjnë lajme saldimi i ndonjë tubi, lyerja me gëlqere e çerdheve, ndryshimi i bojës së një shkolle, etj. Pikërisht këto përbëjnë volumin më të madh të kësaj propagande. Vini re vendet e rajonit. Askund nuk do ta shini këtë propagandë komunale siç vërehet në Tiranë. Lëre pastaj që në Europën Perëndimore nuk guxon njeri të fyejë inteligjencien e njerëzve në këtë mënyrë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne