Bota

Mahathir Mohamad, pensionisti 92-vjeçar që do të udhëheqë Malajzinë

Pas një fitoreje befasuese në vazhdën e një fushate të ashpër zgjedhore, Mahathir Mohamad përgatitet të marrë në duar frerët e qeverisë malajziane, duke u bërë njëkohësisht udhëheqësi më i vjetër i zgjedhur i botës.

Mohamad, 92 vjeç, kishte dalë në pension, por vendosi të rikthehet në skenën politike të vendit duke kaluar në anën e opozitës, për të goditur prej aty njeriun që dikur ishte i preferuari i tij, Najib Razak, sot i akuzuar për korrupsion.

Fitorja historike e 92-vjeçarit përmbysi koalicionin “Barisan Nasional” (BN), i cili ka qenë në pushtet që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 1957.

“Po, po, jam ende gjallë”, u shpreh Mahathir gjatë një konference për shtyp, ku deklaroi se koalicioni i tij nuk do të kërkojë shpagim, por thjesht rikthimin e sundimit të ligjit.

Rritja e kostos së jetesës dhe akuzat e korrupsionit të shtrira në kohë ishin ato që ndikuan votën e shumicës së elektoratit, i cili zgjodhi kështu t’i largohej Najibit dhe ekzekutivit të tij dikur të palëkundshëm.

Mahathir ka qenë kryeministër i vendit dhe udhëheqës i “Barisan Nasional” për 22 vite, nga 1981-shi deri kur vendosi të tërhiqej në 2003-shin.

Nën drejtimin e tij, Malajzia u kthye në njërin prej “tigrave ekonomikë” të Azisë, por ai ishte gjithashtu edhe një figurë autoritare që përdorte ligjet kontroverse të sigurisë për të bllokuar kundërshtarët e tij politikë.

Situata e krijuar i ka shtyrë njerëzit ta votojnë sërish, e tani premton të garantojë faljen e ish-zëvendësit të tij të burgosur për korrupsion, duke i hapur kështu rrugën e rizgjedhjes.

OPINIONE