‘Më keq se 1997’/ Kriza e koronavirusit godet për së dyti shpresat për ringjalljen e Durrësit nga turizmi

Kristo Sotiri sapo kishte përfunduar riparimet e dëmeve që la pas tërmeti i 26 nëntorit në hotelin e tij, kur ia behu kriza e dytë e bllokimit për shkak të epidemisë së COVID-19. Prej pesë javësh, Sotiri mban mbyllur hotelin bashkë me restorantin në Durrës, ndërsa i mban shpresat varur tek një rikthim i shpejtë në normalitet.

“Familja ime banon në të njëjtën godinë dhe nuk dua të rrezikoj shëndetin e njerëzve të mi dhe të punonjësve,” thotë Sotiri për mbylljen e plotë të aktivitetit.

Operatorët turistikë në bregdetin e Durrësit prisnin 150-200 mijë turistë të huaj këtë sezon- referuar kontratave të nënshkruara në fillim të vitit me agjencitë partnere në Europë. Por shpërthimi i epidemisë së COVID-19 i goditi rëndë shpresat e tyre, ndërsa pjesa më e madhe e prenotimeve janë anuluar ose kanë mbetur pezull.

Ndërsa shpresat për rikuperimin e tregut të brendshëm janë ende në këmbë, operatorët i thanë BIRN se vetëm hapja e shpejtë e kufijve mes vendeve të Europës do të mund të shpëtonte sadopak një sezon të dështuar nga dy goditje radhazi; tërmeti dhe COVID-19.

Në qytetin e Durrësit, efekti i pandemisë mbi sektorin e turizmit llogaritet të jetë shumë herë më i madh se ai i tërmetit vdekjeprurës, ndërsa një pjesë e mirë e klientëve të huaj i kanë anuluar tashmë prenotimet e tyre në zinxhirin e hoteleve nga Shkëmbi i Kavajës deri në Malin e Robit.

Edmond Basho, drejtor i agjencisë Albtours-D i tha BIRN se të gjitha kontratat dhe pagesat paraprake nga bashkëpunimi me partnerët e turizmit në Europë mbeten të ngrira – të ardhura që sipas tij mund të aktivizoheshin vetëm në kushtet e hapjes së shpejtë të kufijve dhe rinisjes së fluturimeve pa kosto financiare shtesë.

“Për turizmin ky konsiderohet një vit më i rëndë se sa viti 1997,” thotë Edmond Basho, drejtor i Albtours- D në Durrës.

“Edhe vende të tjera të Balkanit, si Greqia apo Turqia vuajnë të njejtën situatë prenotimesh të anuluara në hotelet e bregdetit,” shton Basho.
Pasi mikpriti në 3 muajt e dimrit familjet e dëmtuara nga tërmeti, Edmond Luadhi, pronar i një restorti turistik në zonën e Golemit priste këtë verë më shumë turistë nga vendet skandinave. Përkundër pritshmërive, ai u detyrua të çojë në shtëpi stafin e tij dhe t’i vërë kyçin resortit.

“E keqja nuk mbaroi me tërmetin,” thotë Luadhi, ndërsa shton se tashmë në restort nuk ka asnjë punonjës. “Nuk mund ti mbaj pafundësisht, pasi nuk i paguaj dot. Aq më tepër që nuk dimë asgjë për të ardhmen,” shtoi ai përmes një bisede telefonike.

Por jo të gjithë parashikojnë një sezon të dështuar turistik në Durrës. Eksperti i turizmit, Tasim Besho nuk e sheh situatën aq të zymtë, ndërsa mendon se pandemia e koronavirusit do ta frenojë vetëm përkohësisht lëvizjen e turistëve të huaj drejt Shqipërisë.

“Covid-19 nuk i dëmton resurset e turizmit në vend. Rëra, deti, ushqimet BIO apo trashëgimia kulturore, fatmirësisht mbeten të paprekura. Mjafton të jemi të përgatitur për momentin kur do të hapen rrugët ajrore dhe të mos heqim dorë nga promovimi i burimeve turistike,” tha Besho për BIRN.

Duke e parë gjysmën e gotës plot, Besho thotë se infrastruktura turistike në zonën mes Durrësit dhe Kavajës është përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit, ndërsa numëron të paktën 10 restorte që në tre vitet e fundit kanë pritur një numër konstat prej gati 200 mijë turistësh në vit.

Turistët vijnë nga Polonia, Çekia dhe Ukraina, por edhe nga vendet Skandinave, ndërsa transferimi i tyre vajtje – ardhje bëhet në grupe të mëdha me avionët charter, që prenotohen nga kompanitë turistike shqiptare.

“Lëvizja masive e turistëve të huaj nis në muajin qershor dhe ne urojmë që hapja e kufijve të ndodhë sa më shpejt dhe që dëmet për turizmin në vendin tonë të jenë minimale,”përfundoi Besho./Reporter

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne