Mesxhidet e Jersualemit një pasuri kulturore islame

Drejtori i Qendrës Kulturore Turke “Instituti Yunus Emre” në Bejrut, Ibrahim Furkan Ozdemir, ka përmbledhur në një libër të gjitha mesxhidet e Jerusalemit, përfshirë edhe Mesxhidin Al-Aksa, të cilat i ka fotografuar gjatë tri viteve kur ka shërbyer në këtë qytet.

Në një prononcim të bërë Ozdemir tregoi se ka vizituar 58 mesxhidet historike në Jerusalemin e lashtë, të cilat gjithashtu i ka fotografuar dhe ka bërë hulumtime në lidhje me to.

“Këto mesxhide janë tapi e Jerusalemit”, tha ai.

“Kushdo që viziton një ditë këtë qytet të bekuar, le të njihet me dyert, rrugët, medresetë, çezmat, xhamitë e Jerusalemit. Edhe këtë punim u mundova ta bëjë në këtë drejtim”, tha Ozdemir, duke përshkruar librin e tij “Thesaret e Jerusalemit: Mesxhidet”.

Shkrimtari rikujton se në rrethet ku jetojnë myslimanët, jeta sociale për shkak të pushtimit izraelit ka ardhur pothuajse në pikën e ndalesës. Ai thotë se ata që vizitojnë Jerusalemin, përveç Mesxhidit Al-Aksa, duhet t’i vizitojnë edhe mesxhidet e tjera, ku duke biseduar me palestinezët, do të kontribuojnë në rigjallërimin e qytetit.

Ozdemir bëri të ditur se në fund të librit gjendet një hartë për ata që duan të dinë vendndodhjen e të gjitha faltoreve.

Ai tha se ka identifikuar 15 faltore të ndërtuara gjatë periudhës së Perandorisë Osmane, shtetit të fundit islam në Jerusalem, duke shtuar se gati të gjitha faltoret e tjera i janë nënshtruar rinovimit gjatë periudhës osmane.

Disa nga faltoret e ndërtuara gjatë periudhës osmane janë Rasasi, Suveygat Allun, Ebubekir Siddik, Mesxhidet Dergas, shtoi ai.

Siç thotë İbrahim Furkan Ozdemir, në qytetin e Jerusalemit, të çliruar nga Hazreti Omeri, gjenden mesxhide të ngelura nga periudhat e gati të gjitha shteteve të rëndësishme islame.

“Është e mundur të vizitohen faltoret në këtë qytet të shenjtë një nga një dhe të bëhet një udhëtim në historinë islame, sepse pothuajse të gjitha shtetet islame kanë monumente këtu”, shprehet Ozdemir, duke shtuar se ka shumë pak qytete që ofrojnë një mundësi të këtillë sikurse Jerusalemi.

Duke theksuar se nga 58 mesxhide, 20 aktualisht janë të mbyllura për kryerjen e riteve fetare, Ozdemir thotë se disa prej tyre janë shkatërruar tërësisht dhe në vend të tyre janë ndërtuar shtëpi, furra ose kisha.

Sipas tij, edhe pushtimi izraelit në qytet ka ndikuar negativisht në këto mesxhide.

“Pas pushtimit izraelit në Jerusalem në vitin 1967, shumë prej mesxhideve u detyruan të mbyllen për adhurim. Disa prej tyre u rihapën më vonë. Nismat e iniciuara nga Autoriteti i Vakëfeve Islame për rihapjen e disa mesxhideve, të cilat janë ende të mbyllura, vazhdojnë.

Shkrimtari thekson se Qyteti i Vjetër i rrethuar me mure në Jerusalem është i ndarë në katër lagje, atë myslimane, të krishtere, armene dhe hebreje, duke shtuar se një ndarje e tillë nuk ekzistonte para pushtimit izraelit në vitin 1967.

“Prandaj, sot, është e mundur të hasen mesxhide në të gjithë qytetin. Emrat e studiuesve dhe njerëzve të drejtë që jetuan në lagje të ndryshme dhe rrethe të Jerusalemit ende vazhdojnë të jetojnë përmes emrave të rrugëve atje”, thotë Ozdemir.

Ai thekson se policia izraelite dhe kolonët hebrenj bëjnë presion dhe bastisje në shumë mesxhide që sot janë të hapura në Jerusalem, përfshirë Mesxhidin Al-Aksa, ndërsa nënvizon se vizita e të gjitha mesxhideve, duke përfshirë edhe ato të mbyllura, është shumë e rëndësishme.

“Mos i braktisni këto mesxhide”, thotë Ozdemir, duke iu drejtuar turistëve që planifikojnë të vizitojnë Jerusalemin.

Sipas Ozdemir, ata që vizitojnë rrugët e Qytetit të Vjetër kanë mundësi të shohin edhe mesxhide të vogla disa minuta larg Mesxhidit Al-Aksa.

“Këto mesxhide janë ndërtuar për t’u shërbyer esnafëve të cilët në kohë të namazeve pushonin, por nuk kishin mundësi të arrinin në Aksa. Po ashtu, mesxhidet e vogla janë ndërtuar edhe për persona të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuara. Gjithashtu, ato janë ndërtuar edhe për nder të dijetarëve dhe personave të drejtë që ndërronin jetë në katër anët e qytetit, si dhe për haxhilerë dhe udhëtarë”, tregon Ozdemir.

Ozdemir më tej shpjegon se emrat dhe adresat e të gjitha mesxhideve, atyre që ekzistojnë dhe atyre të rrënuar, gjenden të regjistruara në Regjistrat Gjyqësore të ngelura nga periudha osmane.

“Në zonën e Qytetit të Vjetër gjenden 12 minare. Katër prej këtyre janë në kompleksin e Mesxhidit Al-Aksa. Të tjerat janë pranë mesxhideve të njohura me emrat Hankah Salahiyye, Dergas, Mi’zenetu’l-Hamra, Kale, Omeru’l-Kebir, Diysi, Omer bin Hattab dhe Zaviyetu’l-Mevleviyye”, tha Ozdemir.

Pas çlirimit të Jerusalemit nga ana e Hazreti Omerit, Mesxhidi Al-Aksa gjatë historisë ishte nën kontrollin e shteteve Emevi, Abbasi, Fatimi, Selçuk, kryqtarëve, Eyyubi, Mamluk, Perandorisë Osmane, Britanisë, Jordanisë dhe Izraelit, shtoi ai.

“Mesxhidet brenda Haram Al-Sherifit në periudhën e kryqtarëve u rrënuan në tërësi, kurse disa prej tyre u shndërruan në kisha, e disa të tjera në ahur”, thotë ai.

Sipas tij, Salahuddin Eyyubi përdori të gjitha mundësitë për ta kthyer Mesxhidi Al-Aksanë në gjendjen e vjetër pasi çliroi Jerusalemin.

“Të gjitha shtetet islame pas periudhës së Hulafa Al-Rashidinëve patën nderin t’i shërbejnë në mënyrë të denjë Mesxhidit Al-Aksa, kibles sonë të parë. Nëse shikojmë vetëm kupolën brenda Xhamisë së Kibles, është e mundur të vërejmë kaligrafi të të gjitha shteteve islame. Nga ana tjetër, Izraeli hap pas hapi zbaton plane që në njëfarë mënyre ta ndajë apo ta shkatërrojë strukturën aktuale”, tha Ozdemir. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne