Bota

Muslimani rrihet për vdekje në Indi, dyshohej për kontrabandë lopësh

Persona të dyshuar ditën e shtunë vranë një musliman që po transportonte dy lopë, vetëm 15 muaj pasi një sulm i ngjashëm tregoi influencën në rritje në Indi të grupeve pro-hinduse.

Shumë nga hindusët e konsiderojnë lopën të shenjtë, por pakica muslimane e Indisë është e angazhuar në tregtinë e lopëve për therje, konsum si dhe për bulmet.

Policia në shtetin veriperëndimor të Raxhistanit tha se një grup prej pesë deri në shtatë veta e rrethuan myslimanin, i identifikuar vetëm si Akbar, ndërsa ai po drejtonte lopët për në fshatin e tij të shtetit të afërt indian të Haryanës. Grupi e dënoi me vdekje me dyshimin për kontrabandën e lopëve.

“Ne po e hetojmë incidentin dhe së shpejti do të ketë arrestime”, tha për Reuters Shyam Singh, një zyrtar policie në qarkun Alwar.

Incidenti ndodhi shpejt pas mesnate dhe u shkaktua nga dyshimet e disa fshatrave se 28-vjeçari po kontrabandonte lopë, tha Singh.

Vullnetarët që merren me ruajtjen e lopëve në mesin e grupeve pro-hinduse janë rritur ndjeshëm në Indi që kur Partia nacionaliste Hindu Bharatiya Janata e Kryeministrit Narendra Modi erdhi në pushtet në vitin 2014, edhe pse shumica e 29 shteteve të vendit e kanë ndaluar therjen e lopëve për mish.

Policia tha se viktima nuk i mbijetoi dot rrahjes dhe u shpall i vdekur në një spital aty pranë.

“Gjatë rrugës për në spital, viktima e identifikoi veten si Akbar dhe tha se ai ishte shoqëruar nga një tjetër shok, i cili arriti të shpëtonte”, tha për Reuters me telefon Anil Kumar Beniwal një tjetër zyrtar i policisë.

Beniwal tha se policia kishte identifikuar rreth pesë të dyshuar dhe priste që ti bënte arrestimet në mbrëmje.

Në një postim në Twitter, shefi i Raxhistanit e dënoi incidentin dhe premtoi se do të mbaheshin veprime të ashpra.

“Veprimi më i rreptë mund të merret kundër autorëve”, tha Vasundhara Raje, një anëtare e partisë BJP të Modit.

Në të njëjtin distrikt në prill të vitit 2017, Pehlu Khan, një fermer bagëtish, u vra pa gjyq nga një turmë ndërsa ai po kthehej në shtëpi nga një treg me dy lopë dhe dy viça në pjesën e prapme të kamionit të tij.

Incidenti nxiti shqetësime se si nën qeverinë Modi, grupet pro-hinduse, të tilla si vullnetarët vigjilentë të lopëve, nuk po i zbatojnë ligjet e vendit duke vepruar si milici e pavarur./reuters/Gazeta Impakt

OPINIONE