Bota

Namazi i Ramazanit pranë Virgjëreshës Mari shkakton zemërim në Spanjë

Një namaz i përbashkët i muslimanëve në vendin ku ndodhet një statujë e Virgjëreshës Mari ka ndezur zemërim mes politikanëve në qytetin spanjoll të Granadës, me një parti të ekstremit të djathtë që u bën thirrje katolikëve të përgjigjen me një “natë lutjeje” në të njëjtin vend.

Namazi i diskutueshëm u krye të shtunën në mbrëmje, kur dhjetëra muslimanë u falën së bashku në Jardines del Triunfo (Kopshtet e Triumfit) para se të çelnin agjërimin e tyre të përditshëm të Ramazanit.

Ndonëse ngjarja u lejua nga Bashkia e qytetit dhe u mirëprit nga kryetari i bashkisë Francisco Cuenca si një akt që promovonte Granadën si një “qytet bashkëjetese dhe tolerance”, të tjerë merreshin me vendin e zgjedhur, sepse Jardines del Triunfo është vendi ku ndodhet statuja e Virgjëreshës Mari e cila është shumë e dashur për katolikët në qytet.

Disa politikanë shprehën zemërimin e tyre në Twitter, duke duke përfshirë edhe deputetin Luis Salvador.

“Paco Cuenca ngatërron tolerancën dhe respektin fetar me provokimin. Thirrje për lutje muslimane në Virgjëreshën e Triumfit?” postoi Salvador, një deputet që përfaqëson Granadën.

Ky mendim u përsërit nga politikani Manuel Olivares, i cili e quajti vendimin e qytetit “të papranueshëm”, si dhe “të pakuptueshëm” dhe “mosrespektues”. Edhe pse postimi i tij në Facebook duket se është fshirë, një screenshot u kap nga Granada Digital.

Partia VOX e ekstremit të djathtë ka bërë thirrje për një “akt riparimi” që do të mbahet në park të martën në mbrëmje, gjatë së cilit katolikët do të përkujtojnë Rruzaren.

Në një deklaratë të cituar nga the Local, partia tha se ngjarja është për “ata që tregojnë besimin e tyre dhe mbrojtjen e zakoneve, vlerave dhe kulturës së trashëguar nga prindërit tanë”.

“Dhe për të protestuar kundër këshillit të kësaj bashkie, të cilët me veprime apo mosveprime kanë dhënë leje dhe pëlqim që një hapësirë ​​publike simbolike të merret nga komuniteti musliman”.

Ndërkohë, këshilltarja e Partido Socialista Obrero Espanol (PSOE) në Granada, Jemi Sanchez, i doli në mbrojte ngjarjes.

“Multikulturalizmi kurrë nuk mund të jetë një kërcënim, është një vlerë e shtuar”, shkruante ajo në Facebook.

“Për herë të parë, qyteti i Granadës mbështet komunitetin e tij musliman duke i uruar atij një Ramazan të lumtur në kopshtet e Triumfit”, shkruante ajo në një postim të veçantë. “[Është diçka] e pashembullt që na afron dhe na bën më të barabartë”.

Gjashtëdhjetë e tetë përqind e spanjollëve identifikohen si katolikë romakë, sipas një raporti të vitit 2016 nga Qendra për Kërkime Sociologjike. Ndërkohë, një sondazh i Qendrës Kërkimore Pew të kryer vitin e kaluar zbuloi se 50 përqind e spanjollëve të anketuar i konsideronin muslimanët në mënyrë të pafavorshme.

Granada ka qenë nën sundimin islamik për gati 800 vjet, derisa u kjo ndryshoi në vitin 1492 gjatë mbretërimit të mbretit katolik Fernando dhe mbretëreshës Isabel. / © Gazeta Impakt

OPINIONE