Shqiperia

NATO do të ndërtojë bazë ajrore në Shqipëri

Këshilli i Atlantikut të Veriut ka miratuar vendimin për të ndërtuar në Shqipëri bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në rrjetet sociale ka njoftuar se me fondet e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në partneritet me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, NATO do të investojë mbi 50 milionë euro, vetëm për fazën e parë të projektit për modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës.

Sipas Ramës, përmes këtij projekti, i cili pritet të nisë brenda këtij viti, Kuçova do të shërbejë si bazë mbështetëse për NATO-n për furnizim ajror, mbështetje logjistike, mbështetje për policimin ajror, si dhe trajnime dhe stërvitje të Aleancës.

“Kuçova do të shërbejë njëkohësisht edhe si bazë kombëtare për Forcën Ajrore Shqiptare dhe ky investim strategjik i NATO-s në Shqipëri, do të sjellë një standard të ri për Forcat tona të Armatosura. Padyshim, një investim i këtyre përmasave krijon mundësi të reja për zhvillimin ekonomik e social të gjithë rajonit ku planifikohet ndërtimi i kësaj baze të re ajrore të teknologjisë së fundit”, ka shkruar Rama.

Kryeministri i Shqipërisë ka theksuar se paralelisht, po zhvillohen diskutime me SHBA, për modernizimin e mëtejshëm të kapaciteteve ajrore shqiptare, dhe sipas tij, së shpejti, pritet që vendimet e përbashkëta të këtyre diskutimeve do të shkojnë për miratim në Kongresin Amerikan./ AA

OPINIONE