Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka thënë se në botën islame ekziston nevoja për unitet, duke theksuar se janë kundër asaj që Islami të asocohet me terrorin, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në Forumin të Katërt Botëror për Dialog Ndërkulturor që organizohet në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, Aliyev tha se është krenar që në Azerbajxhan jetojnë shumë kultura, grupe fetare dhe etnike në paqe dhe tolerancë.
Ai theksoi se dialogu ndërkulturor është një nga çështjet më të rëndësishme të ditëve tona. “Po të mos jetë multikulturalizmi, bota do të përballej me një rrezik edhe më të madh. Në botë ka disa rryma shqetësuese. Në vende të ndryshme ndodhin konflikte dhe luftra civile. Shkak për këtë është mungesa e marrëveshjes mes kulturave të ndryshme”, tha Aliyev, duke theksuar se multikulturalizmi është rruga e vetme për t’i zvogëluar rreziqet në botë.
Duke folur edhe për problemet në botën islame, Aliyev u shpreh: “Në botë islame ka nevojë për unitet. Fatkeqësisht, shtetet islame po shënjestrohen nga terrori. Ne jemi kundër asaj që Islami të asocohet me terrorin.”
“Standarde të dyfishta në zbatimin e rezolutave të KS të OKB-së”
Aliyev ka folur edhe për konfliktin mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, duke theksuar se mbi një milion njerëz janë detyruar ta braktisin vendin për shkak të okupimit armen.
Ai vuri në dukje se armenët kanë shkatërruar të gjitha monumentet fetare dhe kulturore në rajonet që ka okupuar, ndërsa shtoi se në Baku është ruajtur kisha armene.
Duke rikujtuar se ekzistojnë katër rezoluta të Këshillit të Sigurimit (KS) të OKB-së për t’i dhënë fund okupimit, Aliyev theksoi se Armenia shpërfill këto rezoluta.
“Ndonjëherë, rezolutat e KS të OKB-së zbatohet brenda ditëve apo orëve. Por kur bëhet fjalë për ne, ato nuk zbatohen që prej vitesh. Shohim se këtu kemi standarde të dyfishta. Rezolutat e KS të OKB-së duhen zbatuar”, tha presidenti i Azerbajxhanit në fjalën e tij.
Ndryshe, forumi për dialog ndërkulturor organizohet bashkarisht nga Ministria e Kulturës e Azerbajxhanit, UNESCO, Aleanca e Civilizimeve e OKB-së, Organizata Botërore e Turizmit e OKB-së dhe ISESCO, ndërsa në të marrin pjesë liderë të shteteve dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare. Forumi përfundon ditën e nesërme.