OBSH thirrje urgjente për mbrojtjen e pacientëve pas raportimeve për sulm ndaj një spitali në Gaza

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, bëri thirrje për mbrojtjen e pacientëve dhe punonjësve shëndetësorë në Spitalin “Al-Awda” në pjesën veriore të Gazës, mes raporteve se ai ka qenë nën rrethim nga forcat izraelite që nga 19 maji.

“Raportohet se më herët gjatë ditës, Spitali ‘Al-Awda’ në Gazën veriore u pushtua”, tha Ghebreyesus në X, duke theksuar se gjithsej 140 persona, përfshirë staf të spitalit, pacientë dhe shoqërues të tyre ishin brenda në atë kohë.

Ai vuri në dukje se 12 pjesëtarë të stafit të spitalit, përfshirë drejtorin e spitalit, 14 pacientë dhe tetë shoqërues u urdhëruan të qëndrojnë prapa, ndërsa pjesa tjetër u urdhërua të evakuoheshin. “OBSH bën thirrje urgjente për mbrojtjen e pacientëve, shoqëruesve dhe punonjësve shëndetësorë brenda spitalit dhe kalim të sigurt për evakuimin e tyre”, shtoi ai.

Izraeli ka nisur ofensivë brutale në Rripin e Gazës që nga sulmi i 7 tetorit të vitit të kaluar nga grupi palestinez Hamas, ku sipas Tel Avivit u vranë rreth 1.200 njerëz. Që atëherë, të paktën 35.700 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe rreth 80 mijë të tjerë janë plagosur.

Më shumë se shtatë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në rrënoja mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila ka urdhëruar Tel Avivin të sigurojë që forcat e tij të mos kryejnë akte gjenocidi dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Rripin e Gazës./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne