Bota

Palestinezët do të shënojnë Ditën e Katastrofës me grevë të përgjithshme

Palestinezët në Rripin e Gazës planifikojnë që të mërkurën e ardhshme të fillojnë grevë të përgjithshme për të shënuar Ditën e Nakbas (Katastrofës), në të cilën përkujtohet dëbimi i qindra mijëra palestinezëve nga shtëpitë e tyre në Palestinën historike, raporton Anadolu Agency (AA).

Përmes një kumtese, Autoriteti Kombëtar për Ndërprerjen e Bllokimit, i përbërë nga disa grupe të rezistencës me bazë në Gaza, u ka bërë thirrje palestinezëve që të shënojnë përvjetorin duke marrë pjesë në demonstratat e planifikuara në Gaza.

Ata gjithashtu kanë paralajmëruar “armikun izraelit” kundër “kryerjes së marrëzisë ndaj demonstruesve paqësorë”.

Nakba, që e përkthyer nga gjuha arabe do të thotë “Katastrofa”, është një term i përdorur nga palestinezët për t’iu referuar dëbimeve të vitit 1948, që u kryen nga forcat pushtuese sioniste.

Konflikti mes Palestinës dhe Izraelit daton nga viti 1917 kur qeveria britanike, përmes deklaratës së famshme të Balfour-it, bëri thirrje “për krijimin e një shtëpie kombëtare për hebrenjtë në Palestinë”.

Që nga marsi i vitit të kaluar, palestinezët organizojnë protesta javore përgjatë “tampon zonës” mes Gazës dhe Izraelit.

Protestuesit kërkojnë të drejtën e refugjatëve palestinezë që të kthehen në shtëpitë e tyre në Palestinën historike nga e cila u dëbuan në vitin 1948 për të mundësuar krijimin e shtetit të ri të Izraelit.

Ata gjithashtu kërkojnë përfundimin e bllokadës 12-vjeçare të Izraelit ndaj rripit të Gazës, që ka shkatërruar ekonominë e enklavës bregdetare dhe ka privuar qasjen e rreth 2 milionë banorëve për shumë produkte bazë.

Që nga fillimi i protestave, rreth 270 protestues palestinezë janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë lënduar nga forcat izraelite të stacionuara në atë zonë./AA

OPINIONE