Bota

Patriarku Kirill: Përpjekja e Kievit për të ndryshuar emrin e Kishës Ortodokse Kanonike të Ukrainës ‘rrezikon gjakderdhjen’

Ligji i ri i Kievit që kërkon që Kisha Ortodokse e Ukrainës të ndryshojë emrin e saj për të treguar lidhjen me Moskën është “i çmendur” dhe mund të ndezë “konflikt të përgjakshëm”, paralajmëroi Patriarku i Orthodhoksisë së Rusisë.

Parlamenti i Ukrainës miratoi kohët e fundit një projekt-ligj kontravers, i cili në thelb kërkon që çdo entitet fetar i lidhur me Moskën të ndryshojë emrin e vet për të pasqyruar këtë fakt. Kievi dëshiron që ajo të quhet Kisha Ortodokse Ruse në Ukrainë dhe ka kërkuar që kisha ta bëjë ndryshimin brenda katër muajve.

Duke komentuar këtë veprim të mërkurën, Patriarku Kirill tha se ligji ukrainas ishte “krejtësisht i çmendur në aspektin e të drejtës bashkëkohore” dhe rregullat e shtetit laik. Në Perëndim në veçanti, qeveria nuk ka fare lidhje me atë që si e quan kisha veten, argumentoi ai.

“Kur shteti shpik një emër për një entitet fetar, duke dashur që ta diskriminojë dhe shkatërrojë atë, ai i thyen të gjitha të drejtat dhe ligjet e një shoqërie të civilizuar”, tha Patriarku rus. Ndërhyrja e hapur e qeverisë në çështjet e kishës është e pashembullt dhe çon në një “katastrofë të qytetërimit”.

Sipas udhëheqësit shpirtëror, kërkesa e Kievit që Kisha Ortodokse e Ukrainës të ndryshojë emrin e saj do të pasohet nga reprezalje dhe kontestime të pronave. “Nuk ka dyshim se veprime shtrënguese ndaj kishave do të fillojnë … dhe kjo rrezikon shkaktimin e konflikteve të përgjakshme”, paralajmëroi ai.

Kirill, i cili drejton besimtarët ortodoksë që nga viti 2009, e konsideron me keqardhje se goditja ndaj kishës është “shkatërrim i lidhjes së popullit [ukrainas dhe rus], e cila është shpirtërore”.

Kisha Orthodhokse e Ukrainës vetë e ka hedhur poshtë kërkesën dhe ka kërkuar nga Presidenti Petro Poroshenko të vërë veton ndaj ligjit. Ajo argumenton se legjislacioni i diskutueshëm nuk do të ishte i zbatueshëm për Kishën Ortodokse të Ukrainës.

“Statuti jonë nuk thotë asgjë për qendra të huaja qeverisëse,” tha një zëdhënës i kishës për mediat ukrainase, duke deklaruar se “kisha jonë nuk ka arsye për të ndryshuar emrin e saj”.

Sipas statutit, qendra e kishës është e vendosur në Kiev dhe udhëhiqet nga një këshill qeverisës i quajtur Sinodi i Shenjtë. Patriarku Kirill shërben si kreu shpirtëror i Kishës ukrainase.

Më herët në dhjetor, Ukraina krijoi një kishë ortodokse të vetën, duke deklaruar ndarje nga Moska. Vendi strehon tri kisha ortodokse, por vetëm njëra prej tyre, Kisha Ortodokse e Ukrainës e Patriarkanës së Moskës, njihet nga kishat e tjera./rt/Gazeta Impakt

OPINIONE

INTERVISTA