Presidenti Meta, nuk mund të jetë presidenti i vendit tim

Nga Pirro Prifti

Gjithkush me mend në kokë e kupton fare mirë se kundërshtimet dhe përplasjet e presidentit aktual të Shqipërisë me Parlamentin qoftë për kthimet e ligjeve të miratuara në Parlament qoftë për problemin kryesor atë të formimit të Gjykatës Kushtetuese, e kanë burimin tek frika që ka ky president për të ardhmen e tij personale për shkak të shkeljes së Kushtetutës disa herë si dhe për shkak të pasurisë së tij, e cila dyshohet se është vënë në mënyrë të parregullt. Një person i kulturuar do të kishte dhënë menjëherë dorëheqjen pas përplasjes më Kuvendin. Mund të thotë dikush përse duhet të japë dorëheqjen? Pikërisht se është po ky Kuvend që i dha mundësinë të bëhej president, pra ai nuk u bë president për sytë e bukur, por se mazhoranca i dha mundësinë. Tani pas 2 vjet e kusur, po kjo mazhorancë është e pakënaqur nga presidenti, i cili vazhdimisht dhe në mënyre kryeneçe- njëlloj si cjapi i pabindur, i cili nuk hap rrugë- i bën karshillëk beneficiarëve të tij. Një njeri i kulturuar do të jepte menjëherë dorëheqjen, i turpëruar nga mos përmbushja e besimit të dhënë nga beneficientët (në këtë rast Parlamenti), por këtu kemi të bëjmë me një rast që është i përsëritur pas vendosjes së demokracisë në Shqipëri, ku persona pa asnjë background, persona militantë nga të dy anët e politikës Ramiziste hynë në politikë dhe drejtojnë vendin pa asnjë profesionalitet dhe pas asnjë meritokraci, të ardhur nga hiçi. Ky rast i veçantë me të cilin po përballet shteti shqiptar në reformën e tij është i paprecedentë, qoftë në sistemin e drejtësisë, qoftë në sistemin parlamentar dhe në atë lokal, qoftë në sistemin ekzekutiv. Më e keqja është se dhe i ashtuquajturi pushtet i katërt-mediat, janë blerë dhe përdoren politikisht si aleat i krahëve politikë duke i hedhur më shumë tymnajë realitetit aktual. Është e vërtetë se për herë të parë kriza politike është e ndarë nga ekonomia dhe financat dhe rrjedha e kësaj krize politike vazhdon ecurinë e saj pa ndikuar shumë në proceset ekonomiko-financiare dhe kjo tregohet në jetën e përditshme, e cila vazhdon normalisht pa u ndikuar nga destabilizimi që kërkon politika dhe që ka ndodhur shpesh pas viteve `90 në Shqipëri, me demonstrata, rrëmuja, kaos, disinformime të vëna re në Shqipëri në `92, `97, `98, 2001-2, 2007, 2011, të cilat kanë qenë demonstrata të stisura dhe krejtësisht politike, thjesht reminishenca për të marrë pushtetin me dhunë apo në tavolinë duke bërë presion, duke qenë të pakënaqur nga rezultatet e zgjedhjeve.

Një nga karakteristikat kryesore ka qenë mos-zbatimi i ligjeve nga vetë politikanët dhe drejtuesit politikë në nivel qendror dhe lokal, gjë që e cila ka shkaktuar një mos zbatim të ligjit edhe nga popullata apo grupime njerëzish apo militantësh politikë. Një nga të pakënaqurit është vetë presidenti, karriera e të cilit është shumë e dyshimtë dhe pasojë e intrigave politike, e cila është shoqëruar me pasurim të shpejtë të tij. Kundërshtimi për mendimin tim i vendimeve të Parlamentit për plotësimin e vakancave kushtetuese, e ka burimin pikërisht tek frika jo vetëm e shkarkimit, por edhe frika e largët e dhënies llogari para drejtësisë. E tërë rruga e afrimit dhe ndarjes me maxhorancën e majtë nga ana e presidentit të tanishëm ka kaluar në idenë fikse të tij të të qenurit mbi të tjerët, në një kohë kur Kushtetuta e vendit shprehet së Shqipëria është Republikë Parlamentare pra jo Presidenciale dhe presidenti në këtë rast është kryesisht honorifik dhe duhet të përfaqësojë të tëra shtresat dhe popullin. Këtë element presidenti ynë i nderuar nuk e ka marrë parasysh. Karshillëku ndaj Parlamentit dhe ligjeve, përplasja me ndërkombëtarët, nxjerrja e dekreteve a-normale, takimet me përfaqësues politikë jo parlamentarë, shprehjet në media se duhen “marrë armët”, nxitja indirekte për revolta, tregon se ky president i nderuar e ka humbur ekuilibrin politik dhe atë asnjanës duke u bërë pengesë në realizmin e detyrave që i ka vënë BE dhe SHBA Shqipërisë për realizmin me sukses të vetingut dhe plotësimin e bërjen funksional të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Gabimet në emërimet e presidentit për Gjykatën Kushtetuese, po vërehen edhe sot kur, Kolegji i Posaçëm i Apelit ka vendosur sot shkarkimin nga detyra për ish-prokurorin Besnik Muçi, aktualisht anëtar i Gjykatës Kushtetuese, i dekretuar dhe presidenti i vendit ilir Meta dhe betuar pak kohë më parë (https://www.panorama.com.al/lajm-i-fundit-e-dekretoi-meta-p……). Gabimi i fundit si ai i dekretimit të znj. Xhaferrllari në kundërshtim të plotë me ligjin, tregon se presidenti do të kapë Kushtetuesen dhe jo Parlamenti. Gjithashtu, ambasada amerikane nëpërmjet të dërguarit special të DASH për Ballkanin Perëndimor, Mattheë A. Palmer i ka telefonuar presidentit Meta duke shprehur pakënaqësinë e saj për pengesat që i ka hapur ky president plotësimit të Gjykatës Kushtetuese. Palmer propozonte që çështja e Kushtetueses të dërgohej në Komisionin e Venecias (https://www.panorama.com.al/lajm-i-fundit-zbulohet-telefon…/). Reagimi i Presidentit Meta lë për të dëshiruar sipas mendimit tim. Po kështu gafa tjetër e radhës e bërë ndoshta dhe nga nxitja që ka nga këshilltarët e tij militantë dhe aspak profesionistë ishte padia gjyqësore ndaj Dvoranit të KED, duke e ditur fare mirë që KED vepron në mënyrë kolegjiale dhe aspak me emra të përveçëm. E parë në këtë këndvështrim, mendoj se ky president nuk mund të jetë presidenti im aq më tepër që u ka hapur luftë ndërkombëtarëve, ka shpallur të padëshirueshëm z. Borchard të OSBE, duke ashpërsuar dhe penguar zgjidhjen e problemeve të dala po nga ai në mënyrë të arsyeshme. Dalja në media dhe diskutimet krejtësisht të njëanshme dhe aspak si ato të një presidenti honorifik dhe të paanshëm, na thellojnë idenë se ky president nëse nuk e kupton se sa i padëshirueshëm është në sytë e opinionit publik shqiptar dhe atij ndërkombëtar, nëse ai nuk e jep dorëheqjen si një qytetar i kulturuar i vendit, atëherë Parlamenti duhet ta shkarkojë një orë e më parë për të lehtësuar plotësimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne