RAPORTI/ Islamofobia në Europë 2018: në Kosovë, më e ashpra

Fondacioni për Studime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA) ka publikuar për të katërtin vit rradhazi Raportin mbi Islamofobinë në Europë. Raporti vë në dukje se gjatë vitit 2018 ka patur rritje të rasteve të Islamofobisë në Europë, ku shumica e viktimave kanë qenë femra, sidomos ato me shami.

Raporti tregon se si banalizimi i diskursit islamofobik në sferën publike në Europë dhe diskriminimi i vazhdueshëm anti-muslman në vendin e punës, arsimim dhe drejtësi i hap rrugën akteve të dhunshme kundër muslimanëve dhe institucioneve të tyre.

Raporti është fryt i bashkëpunimit midis Fondacionit SETA, Institutit Leopold Weiss dhe Bashkimit Europian, i cili e ka financuar të gjithë projektin.

Raporti i përvitshëm përfshin dhe një kapitull mbi situatën e Islamofobisë në Shqipëri dhe në Kosovë.

Më poshtë po ju sjellim përmbledhjen ekskluzive të raportit mbi gjendjen e Islamofobisë në Kosovë:

Islamofobia në Kosovë, një shtet me një shumicë myslimane, dallon nga Islamofobia ‘tipike’ e Bashkimit Europian. Në këtë raport do të ilustrohet karakteri specifik i Islamofobisë në Kosovë përmes dy hipotezave:

(1) Inspiruar nga karakteristikat perëndimore të stereotipizimit të Islamit, Islamofobia është një ‘mjet’ të cilin elita politike e vendit e përdorë për t’u pranuar plotësisht në qarqet euroatlantike. Shembull për këtë është numri i madh i raporteve shtetërore që merren me ‘radikalizimin fetar’. Një shembull tjetër është një raport i një OJQ-je kosovare (Instituti i Prishtinës për Studime Politike) i vitit 2018 i cili shprehet kundër një anëtarësimi të mundshëm të Kosovës në Organizatën e Bashkëpunimit Islam (OBI) për shkak të agjendës euroatlantike të Kosovës.

(2) Islamofobia kosovare është një nga më të ashprat në Europë në kuptimin që sistematikisht e fshin aspektin mysliman nga identiteti shqiptar apo kosovar në ligjërimet dominuese. Faqet në rrjetet sociale të cilat shpërndajnë përmbajtje islamofobe e paraqesin aspektin mysliman si diçka që nuk ka të bëjë me identitetin shqiptar apo kosovar. Islamofobia në Kosovë e shënjestron, nga një anë, diasporën shqiptare që jeton në Perëndim dhe, nga ana tjetër, myslimanët në Kosovë të cilët bijnë në sy për shkak të shenjave myslimaneve që Islamofobia perëndimore i stigmatizon: pra mjekra dhe shamia. Sulmet verbale të vitit 2018 kundër Xherdan Shaqirit, një futbollist i cili ka lindur në Kosovë por luan për kombëtaren zvicerane, dhe polemikat rreth mbajtjes së shamisë në institucione publike e ilustrojnë këtë.

Mediat kosovare ende e paraqesin Islamin në Kosovë nëpërmjet një dualitetit: Islami ‘paqësor’ i periudhës së paraluftës kundrejt ‘Islamit radikal’ të pasluftës. Ky ligjërim sfidohet herë pas here përmes artikujve të botuar në gazeta gjerësisht të lexuara dhe të shkruara nga akademikët të cilët trajtojnë çështje më komplekse lidhur me Islamin në Kosovë.

Sa i përket diskriminimit në punësim mund të konstatohet që Islamofobia si shkaktar i diskriminimit rrallë merret parasysh. Në të njëjtën kohë, mënyra sesi (nën)vlerësohet kontributi jetësor ekonomik i diasporës kosovare bazohet në një klasifikim islamofob të kësaj diaspore. Për më tepër, ‘Islami radikal’ është një fjalë kyçe që përdoret për të delegjitimuar armiqtë e brendshëm politikë. Viti 2018 nuk ka paraqitur ndonjë përjashtim në lidhje me këto tendenca. /tesheshi

Raportin e plotë mbi Islamofobinë në Europë mund ta lexoni këtu: 2018 European Islamophobia Report

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne