Opinion

Rreth Projektligjit për pandeminë COVID-19

Nga Av. Faik Miftari

Para ca ditësh Kuvendi i Kosovës në parim miratoi në lexim të parë Projektligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19në territorin e Republikës së Kosovës i cili u mbështet nga të gjitha grupet parlamentare, sikur të pozitës ashtu edhe të opozitës.

Para se të aprovohet në lexim të dytë, duhet të shqyrtohen me kujdes të gjitha rekomandimet dhe sugjerimet që vijnë, si nga komisioni parlamentar përkatës, grupet parlamentare, deputetët e Kuvendittë Kosovës dhe të gjithë të tjerë nga opinioni publik dhe shoqëria civile.

Projektligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës  është i shkurtër, i ka gjithsejtë 8 nene, por ia jep autorizime shtesë pikësëpari Ministrisë së Shëndetësisë por edhe Qeverisë së Kosovë të nxjerr një varg masash në kuadër të Projektligjit i cili do të mund të shkaktojë  kufizimin e mëtutjeshëm të lirive dhe të drejtave njerëzore në Kosovë.

Në nenin 3 i jepen autorizimet shtesë në kohën sa do të zgjas pandemia COVID-19 që mundet me i ndërmarr përveç autorizimeve nga Ligji nr. 02/L-109 për Luftimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve  Ngjitëse dhe Ligjit nr. 04/L-125 për Shëndetësi, për kufizimin e lirive dhe të drejtave njerëzore. Përveç kufizimeve që mundet me i ndërmarr lidhur  me lirinë së lëvizjes dhe tubimit, nuk e kam të qartë edhe kufizimin që mendon të bëjë lidhur me drejtën e privatësisë. Çfarë mendon të ndërmerr Ministria e Shëndetësisë lidhur me të drejtën e privatësisë, çka ka të bëjë drejta e privatësisë me pandeminë?

Neni 36 i Kushtetutës së Kosovës për drejtën e privatësisë, cek përveç tjerash: “1. Çdo kush gëzon të drejtën që t’i respektohet jeta private dhe familjare, pacenueshmëria e banesës dhe fshehtësia e korrespondencës, telefonisë dhe komunikimeve të tjera. 3. Fshehtësia e korrespondencës, telefonisë dhe komunikimit tjetër, është e drejtë e pacenueshme. 4. Secili person gëzon të drejtën e mbrojtjes së të dhënave personale….”. Sipas projektligjit të propozuar për pandeminë COVID-19, Ministria e Shëndetësisë ka të drejtë të kufizojë edhe të drejtën e privatësisë, në kundërshtim me nenin 36 të Kushtetutës së Kosovës, që nënkupton të ndërhyjë në jetën private, familjare, banesë(shtëpi), korrespondencë, telefon, rrjetet sociale, të dhënat personale, etj. Kjo është non sens i llojit të vet dhe assesi e papranueshme qoftë kjo edhe nga Ministria e Shëndetësisë apo Qeveria e Kosovës, që është shkelja e mëtutjeshme e lirive dhe të drejtave njerëzore me Kushtetutën e Kosovës, dhe e cila fare nuk ka të bëjë me luftimin dhe parandalimin e pandemisë COVID-19.

Në nenin 4 i jepen autorizimet e posaçme Ministrit të Shëndetësisë që mund të ndërmerr vendime kuadër dhe vendime operacionale. Vendimet kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë duhet paraprakisht të miratojë edhe Qeveria e Kosovës, ndërsa vendimet operacionale nuk kanë nevojë të nënshtrohen miratimit të Qeverisë së Kosovës. Me këtë nen i jepen kompetenca të zgjeruara Ministrit të Shëndetësisë të ndërmerr vendime të shumta lidhur me luftimin dhe parandalimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës.

Në nenin 4 të këtij Projektligji parashihen masat ndëshkimore në të cilin do të zbatohen dispozitat në mënyrë të drejtpërdrejtë për ndëshkime nga kapitulli i VII i Ligjit nr. 02/L-109 për Luftimin dhe parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, si dhe ato nga kapitulli XXII i Kodit Penal të Kosovës 06/L-074, të cilët janë aq strikte dhe të papërballueshme për situatën në të cilin jemi, pasi parashihen gjobat për personat fizik nga 250,00 gjer më 2.000, oo Euro, ndërsa për persona juridik nga 3.000,oo gjer më 8.000,oo Euro, ndërsa kur shkelja e këtij ligji përbën vepër penale atëherë mund të ndëshkohet me burgim prej 6 muajve gjer më 12 vjet. Në kohën në të cilin përballemi me pandeminë COVID-19 duke marrë parasysh situatën ekonomike e cila dita ditën po shënon rrënje rapide, është e paqëndrueshme të gjobiten personat fizik dhe juridik me gjoba aq të larta apo  me burgim aq të gjatë.

Diskutimi i kryeparlamentares Vjosa Osmani në Kuvend gjatë shqyrtimit të Projektligjit në fjalë, ka befasuar më së shumti, i cili kryekëput ishte antidemokratik dhe diktatorial, i cili përkujton kohën e komunizmit, se me aq vrull dhe guxim bënë thirrje për ndëshkimin e të gjithë atyre që shprehin mendime ndryshe, si dhe ndëshkimin drastik të atyre që shkelin ligjin në fjalë.

Është e çuditshme edhe se me çfarë hovi dhe vrulli po duhet që ky Projektligj me shpejtësi të procedohet dhe miratohet nga Kuvendi i Kosovës edhe në leximin e dytë. Edhe pse këtë ligj e ka propozuar kryeparlamentarja Vjosa Osmani në prill të këtij viti, tek pas tre muajve ka ardhur në Kuvend, e tani për dy javë dëshirohet të kalohen të gjitha fazat më mënyrë të përshpejtuar për t’u miratuar Projektligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës.

Shoqëria kosovare dhe qytetarët në përgjithësi gjatë kohës me të cilët jemi përballur me pandeminë e korona virusit kanë nevojë për më shumë kujdes nga institucionet gjegjëse qeveritare, pikësëpari të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të tregojnë përkushtim maksimalndaj të gjithë atyre të sëmurëve simptomatik, e sidomos të atyre që janë në gjendje të rëndë dhe janë të shtrirë në spitale, t’ua mundësojnë bile që të kenë  ilaçe, pajisje, ushqim dhe gjithë tjetër çka është e nevojshme për shërimin e tyre, e jo sikurse ndodh për momentin që pacientët vet janë duke blerë ilaçe dhe ushqim, bile edhe  ujin e pijes janë duke blerë( rasti i spitalit të Ferizajt).

Ndërsa në vend të kësaj, Ministria e Shëndetësisë me këtë Projektligj do të merret me ndëshkimin e atyre që ndryshe mendojnë dhe të dënojë me gjoba dhe burg qytetarët të cilët në një ose në mënyrë tjetër nuk janë të kujdesshëm sa duhet ndaj dispozitave të cekura në Projektligj. Poashtu të shkohet edhe më tutje në kufizimin shtesë të lirisë lëvizjes, qarkullimit, ndalimit, si pasojë e së cilës Kosovën do të shpie drejt një katastrofe ekonomike të cilin nuk do të mund të përballojë, dhe në rast se kjo do të vazhdojë për një kohë të gjatë, do të vie gjer te kolapsi ekonomik, pas së cilës priten të pasojnë trazira sociale, që Kosova në asnjë mënyrë nuk do të duhej të lejojë që të vijë gjer në atë shkallë.

Ashtu që duhet menduar dhe elaboruar mirë çdo veprim Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë që do të ndërmerr, e kjo pikësëpari duhet të jetë në drejtim të përmirësimit të situatës shëndetësore të gjithë atyre të sëmurëve të prekur dhe të shtrirë në spitale, e jo në drejtim të përkeqësimit edhe të mëtutjeshëm të pozitës së punëtorëve të sektorit privat, të cilët po përjetojnë humbje të mëdha, si pasojë e së cilës do të vuajë pasoja edhe sektori publik i cili mirëmbahet nga taksapaguesit e Kosovës, të cilat dita më ditë do të jenë më të pakta gjatë kohës së pandemisë , rezultat i së cilës do të jetë patjetër edhe zvogëlimi i të ardhurave të gjithë atyre që paguhen nga buxheti i Kosovës.

përfundim të këtij elaborimi rreth Projektligjit për parandalimin dhe luftimin  e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës, iu bëjë thirrje deputetëve të Kosovës si përfaqësues të popullit, të mendojnë në mënyrë shumë racional dhe kujdesshëmpara se të votojnë, që të plotësojnë dhe të ndryshojnë këtë Projektligj me amendamentet e tyre, që të sajohet një Projektligj i tillë i cili do të duhej të jetë në funksiontë vërtetë të parandalimit të pandemisë COVID -19 duke ofruar shërbime maksimale shëndetësore, pajisjet medicinale dhe teknike shtesë për të gjithë ata pacientë që janë të shtrirë nëpër spitalet e Kosovës, e jo në funksion të ndëshkimit të atyre që mendojnë ndryshe nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani, që është sulm i drejtëpërdrejtë në lirinë e të shprehurit dhe mendimit, si dhe të ndëshkimit me gjoba dhe me burg për të gjithë ata qytetarë të cilët në një apo në mënyrë tjetër nuk janë në gjendje t’i përmbahen plotësisht këtij Projekligji të propozuar për pandeminë COVID-19./gazetaimpakt

OPINIONE

INTERVISTA