”Rritja e testimeve konfirmoi se zbulohen më shumë të infektuar”, Basha: Shumica janë punonjëse në fasoneri, nuk janë testuar koleget

Kreu i PD, Lulzim Basha në në një deklaratë për shtyp tha se u konfirmua që rritja e testimeve zbulon më shumë të infektuar në vendin tonë.

Basha po ashtu shprehu shqetësimin se shumica e rasteve të reja janë zonja dhe vajza që punojnë në fasoneri në Shkodër dhe Krujë dhe që koleget e tyre që rrezikojnë nuk janë testuar ende.

”Të dashur bashkëqytetarë

Sot kemi marrë disa lajme të këqija. Virusi ka përparuar duke krijuar vatra të reja në disa qytete të vendit.

Vetëm një rritje e lehtë e numrit të testimeve na kofirmoi se sa më shumë teste të bëhen, aq më shumë të infektuar zbulohen.

Në Tiranë, në Krujë, në Laç, në Shkodër virusi ka prekur disa qytetarë të tjerë. Shumica e tyre janë zonja dhe vajza që punojnë në fasoneri.

E kam thënë dhe e kam përsëritur shumë shpesh këto 5 javë se fasoneritë janë ndër vatrat më të rrezikshme për përhapjen e shpejtë të virusit.

Pak ditë më parë ngrita shqetësimin se në një fasoneri në Shkodër punonjësve nuk u është bërë testi, megjithëse një nga koleget e tyre rezultoi pozitiv.

Rasti i Krujës, i publikuar sot në media, është po ashtu shumë shqetësues. Tre zonja janë konstatuar të infektuara në një fasoneri në Krujë. Një nga tre zonjat ka infektuar edhe të birin.

Ndërkohë raportohet se nga Kruja infeksioni është përhapur edhe në Kurbin. Dy zonja të tjera punonjëse në një fasoneri po në Krujë janë të infektuarat e para të raportuara sot në Kurbin.

Aktualisht nuk ka asnjë informacion nëse janë testuar punonjëset e tjera të fasonerive në Shkodër dhe Krujë. Nëse janë testuar personat e kontaktit të këtyre punonjësve. Nuk kemi informacion zyrtar për këtë, por nga ajo që raportojnë mediat në Shkodër, Krujë dhe Kurbin, atyre thjesht u është kërkuar të vetëizolohen.

Kjo e rrit edhe më shumë rrezikun e përhapjes, nëse edhe punonjëse të tjera janë të infektuara.”- tha Basha./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne