Shembja e Teatrit/ Rama në fund të pushtetit, i dërrmuar dhe pa ambicie për të prodhuar argumenta

Nga Andi Bushati

Edi Rama i është kthyer sërish një argumenti që e përdorte rëndom gjatë mandatit të parë të 1 milionë shuplakave, atij se në fund, në demokraci, vendos shumica.

Duke folur për shembjen e Teatrit Kombëtar, ai ka përdorur vetëm këtë alibi për të bërë realitet ëndrrën e tij të vjetër.

Eshte thënë disa herë se koncepti i shumicës hegjemone nuk është domosdoshmërisht demokratik, se në një sistem si ky yni, mazhoranca që del nga zgjedhjet, nuk ka të drejtë mbi gjithçka dhe nuk mund t’i mbivendoset shtetit ligjor.

Kështu përshembull, në emër të një shumice, nuk mund të përligjet fakti që toka e teatrit njëherë i rrëmbëhet bashkisë me ligj special për t’iu dhënë privatit, pastaj kur ndryshon plani, ajo i kalohet sërish me VKM, lali Erit; në emër të saj, nuk mund të justifikohet as ndryshimi i alibisë fillestare se, shteti nuk ka para prandaj do të zgjedhë formën e PPP, në piruetën mashtruese: lekët do t’i marrim me kredi; në emër të saj është i papranueshëm mashtrimi se kullat do të ngrihen për të mundësuar teatrin, i cili u ndryshua në lartësimin e tyre pavarësisht teatrit.

Këto gënjeshtra dhe përdorimi i ligjit si plastelinë në duar fëmijësh, nuk kanë asnjë lidhje me mandatin që populli i jep një qeverie katër vjeçare. Ato përbëjnë thjeshtë justifikime për të grabitur në emër të tij.

Zgjedhjet nuk janë as e vetmja kollonë dhe as e vetmja garanci për demokracinë. Më mirë se kushdo këtë gjë e vërtetojnë sot regjimi iliberal i Viktor Orbanit, ai islamo konservator i Erdoganit, apo ai plutarkik i Putinit. Të tre këta shembuj demonstrojnë në mënyra të ndryshme se edhe qeveri të zgjedhura me votë, pranohen sot botërisht si antidemokratike.

Por, ky debat politologësh, mbi ploftuqishmërinë apo kufizimet e shumicave që burojnë prej votës, i cili kishte sens gjatë mandatit të parë të Rilindjes, është krejt pa kuptim në katërvjeçarin e dytë të saj.

Tani problemi nuk është më teorik, por konkret. Sepse, tani, në pyetje nuk është koncepti se sa legjitime është që kjo mazhorancë të ndërmarrë akte ekstreme pa u konsultuar me kërkënd, por fakti se sa e tillë është vetë ajo.

Pas daljes së përgjimëve të Bild për vjedhjen e zgjedhjeve të 2017, të cilat Rama nuk pati as burrërinë t’i hedhë poshtë në rrugë gjyqësore dhe sidomos pas votimeve një partiake të qershorit të kaluar, ky pushtet duhej të ishte shumë më i përunjur dhe aspak arrogant në përmendjen e “të drejtave” që i burojnë nga vota. I vetmi argument që ai duhej të rezervohej për ta përdorur ishte ai i legjitimitetit për t’u sjellë si t’i teket.

Në fakt po ndodh e kundërta.

Si në rastin e Teatrit, po ashtu dhe në atë të koncesioneve dhe PPP të tjera, Rama po dëshmon se legjitimiteti po shkon në përpjestim të zhdrejtë me vendimmarrjen, sa më shumë tkurret i pari, aq më e madhe bëhet e dyta.

Prandaj ai rezulton aspak bindës dhe krejtësisht fallco kur flet me siguri në emër të një shumice që të gjithë ia kanë vënë në dyshim. Dhe kjo nuk ka të bëjë thjeshtë me të qenit mashtrues. Sepse gënjeshtra dhe propaganda kanë kuptim kur ato kanë një fije besueshmërie.

Jo, kjo është më e thellë dhe më e rëndë sesa kaq. Kjo i ngjan më tepër sindromës së një fund pushteti, kur lodhja dhe ezaurimi nga ushtrimi i tij, të dërrmojnë aq shumë, sa të zhveshin edhe nga ambicia për të qenë bindës. Ndryshe nuk ka si shpjegohet se i vetmi argument që Rama zgjodhi të përdorë në fushën e një beteje publike, që zgjat prej tre vjetësh, ishte ai numerik. Ndryshe, nuk ka si justifikohet që vendosi të mbështetet tek dy atu që nuk i ka.

Ai nuk mund të bënte çfarë të donte edhe sikur pushteti i tij të rridhte nga zgjedhje legjitime, e jo më të tentojë tani kur këtë legjitimitet e ka të cunguar.

Edi Rama e ka humbur privilegjin për të luajtur të fortin që ka me vete shumicën. E nëse sillet kështu, kjo është shenja e qartë që ai e ndjen se ky është mandati i vet i fundit. Sepse vetëm dikush që nuk mendon më për të nesërmen, mund të tentojë t’i shesë publikut diçka që s’e beson as vetë. Vetëm një rast i tillë, i pashpresë, mund të ngjitet në skenë për të aktruar një rol që nuk ia kanë dhënë. /Lapsi

*Titulli origjinal: Teatri i shumicës së rrëmbyer

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne