Kuriozitete Rajoni Shkence

SHËNDETI/ Pro-gjidhënies: njihuni me misionin e rrallë të një nëne të rrallë

Fitesa nuk e kish menduar kurrë se një ditë do t’i përkushtohej një misioni shëndetësor, pa qenë fare në botën e mjekësisë.

Ka qenë thjesht të bërit nënë që e ka shtyrë në një ndërmarje të veçantë: të promovojë të mirën e gjidhënies te lehonat, duke shfrytëzuar rrjetet.

Fitesa Asllani Ibrahimi, punonjëse në Postë, ka hapur një grup në Facebook, “Lidhja për Gjidhënien – Përkrahim Nënat”, për t’i ndarë përvojat e saj me nënat tjera rreth gjidhënies.

Përkundër obligimeve të shumta, ajo ndan kohën e saj për t’iu përkushtuara nënave tjera në grup duke iu ofruar këshilla dhe përkrahje.

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

Znj. Asllani, ju jeni themeluese e grupit “Lidhja për Gjidhënien – Përkrahim Nënat”. Nga lindi ideja për themelimin e këtij grupi?

Grupi “Lidhja për gjidhënien – përkrahim  nënat” në rrjetin social Facebook, lirisht mund të them se është një shtëpi virtuale me plotë nëna e fëmijë; është një shtëpi në të cilën jetoj paralelisht me shtëpinë time reale.

Krijimi i grupit erdhi shumë natyrshëm, nga dëshira që të ndaj ato që i mësova nga përvoja dhe ato që i gjeja nga burime shumë të sigurta dhe natyrisht në pajtueshmëri me pediatren e fëmijëve tonë, dr. Mërgime Batusha. Ajo ishte dhe vazhdon të jetë një përkrahëse e madhe e gjidhënies, tek e cila gjeja forcën për t’i përballuar ca sfida në fillim të rrugëtimit si nënë për herë të parë.

Gjidhënia edhe si fëmijë kur isha, më dukej e magjishme dhe mrekullohesha duke e parë ndonjë nënë tek ushqente fëmijun e saj. Njëjtë mrekullohesha kur shihja fëmijët që e donin aq shumë dhe e kërkonin vazhdimisht. Mendoja se është gjëja më e natyrshme dhe më e ëmbël për një nënë dhe vet fëmijën.

Pasi vet u bëra nënë, e pashë që gjidhënia ndonjëherë ka edhe sfida për të cilat përveç mjekut, të duhet përkrahje edhe nga familja dhe shoqëria. E pashë nga afër se përveç ëmbëlsisë që dhuron gjidhënia, pashë edhe sa “lufta” bëhej për të tejkaluar sfidat e ndryshme për një gjidhënie afatgjatë dhe të plotë.

Duke e kaluar vet një sfidë të tillë me fëmijën e parë, me vajzën, edhe pse e kisha përkrahjen e pediatres, gjersa isha në shtëpi e ndjeva të nevojshme të informohem akoma më shumë. Përveç që vet grumbulloja informata, ato i shkëmbeja edhe me bashkëshortin i cili i mirëpriste aq shumë çdo detaj.  Më duheshin informata për metoda sa më të reja dhe të aprovuara nga OBSH. Më së shumti informata gjeja në gjuhën angleze. Kështu së bashku e tejkaluam krizën dhe vazhdova me gjidhënien. Pastaj me fëmijën e dytë gjithçka ishte më e lehtë duke e njohur edhe procesin e gjidhënies se si ecën.

Gjersa akoma e kisha fëmijën e dytë me gjidhënie, rastësisht shikova në disa portale shqip dhe u dëshpërova shumë kur pashë informata shumë të gabuara. Kështu e pashë të nevojshme të ndajë me nënat tjera atë që e dija dhe që e kisha provuar vet. Vendosa të ndërmarr hapa për të ofruar përkrahje dhe informata sa më të sakta që nënat ta kalojnë sa më lehtë çdo sfidë.

Në korrik të këtij viti, grupi në Facebook i bën 6 vjet dhe kërkon të jesh shumë aktive. Është punë shumë e ndjeshme dhe pa pas dashuri për këtë punë, mund të llogaritet si e vështirë.

Çdo informatë, çdo përkrahje bëhet edhe individualisht duke komunikuar qoftë përmes mesëngjerit, apo edhe në telefon. Këtë e bëjmë së bashku edhe me vullnetare të tjera që jemi lidhur mes vete për një qëllim kaq human. Shpresa, Emi, Azra dhe Alma janë shumë të rëndësishme në grup dhe pavarësisht se edhe ato kanë familjet e tyre, ndihmojnë kurdo që u jepet mundësia. Së bashku edhe konsultohemi për ndonjë vendim të rëndësishme rreth grupit. Shumicën e nënave me të cilat shkruajmë nuk i kam njohur kurrë, as nuk jemi parë, mjafton të dijë që është nënë dhe i duhet ndihmë. Asgjë tjetër nuk ka rëndësi. Mund të them se pavarësisht se një numër i madh nënash informohen dhe përkrahen çdo ditë dhe natë, akoma ka punë për të ngritur vetëdijen dhe për t’i mundur informatat e gabuara që fatkeqësisht ka akoma shumë.

Në grupin “Lidhja për gjidhënien – përkrahim nënat”, përveç ndihmës nga nënat për nënën, ofrohet edhe ndihmë profesionale nga mjekë pediatër, farmacistë dhe infermiere të mirë informuar për gjidhënien.

Po të vizitohet grupi jonë, do të shihen postimet e shumta me plotë e përplot informata e këshilla profesionale që bëhen në çdo kohë. Kohën e fundit mund të vërehet një kthesë e madhe që është bërë në informimin dhe përkrahjen e gjidhënies me prezencën e dr. Ismail Lutolli, përkatësisht platformës “Familja dhe Shëndeti”, shkrimet e të cilit portal i ndajmë vazhdimisht me nënat

Në fillim të muajit tetor është java për sensibilizimin e të ushqyerit me qumësht gjiri. Ju, vitin e kaluar keni patur disa aktivitete dhe keni përgatitur një libër elektronik. A mund të na tregoni çfarë përmban ky libër?

Po, edhe në vitin 2017 e edhe 2018 kemi qenë të ftuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe UNICEF, për të bashkëpunuar në aktivitetet që bëhen për nderë të Javës për sensibilizimin e të ushqyerit me qumësht gjiri. Përveç javës së gjidhënies, në vazhdimisht jemi duke u menduar se si të jemi sa më afër nënave, si të ndajmë informata sa më të sakta, si të përkrahim njëra tjetrën etj. Vitin e kaluar, ne vendosëm që të bëjmë një përmbledhje të disa tregimeve personale të nënave që gjenden në grup. Njëkohësisht libri përmban edhe poezi, thënie dhe vizatime fëmijësh, të gjitha këto që ndërlidhen me gjidhënien si një proces sublim për mirëqenien e shëndetit të fëmijës. Ne librin jo rastësisht e kemi quajtur: “Gjidhënia – Porta e shëndetit”.

Lidhur me gjidhënien gati çdo ditë bëhen studime të ndryshme dhe vërtetohet rëndësia e këtij procesi edhe për shëndetin afatgjatë të fëmijës. Gjidhënia vërtetë është një portë e shëndetit, një portë që të shpie te një jetë më e lehtë për t’u përballur tutje me sfidat e jetës. Libri gjendet në grup dhe është i mundshëm për t’u shkaktuar me ata që kanë dëshirë të lexojnë dhe informohen më shumë.

Ju jeni avokuese e gjidhënies. Sa po bëhet në sensibilizimin apo vetëdijesimit të rëndësisë së ushqyerjes me gji?

Secili nga ne mund të bëhet avokues i gjidhënies apo i çfarëdo kauze në të cilën beson se është e mirë për një fëmijë, apo një nënë apo cilindo pjesëtar të shoqërisë. Unë kam zgjedhur të jem avokuese për gjidhënien dhe do të mundohem në çfarëdo forme të jem sa më afër nënave që kanë nevojë dhe që mundem të ju ndihmoj. Ne me forcat tona po mundohemi të jemi në çdo kohë pranë nënave, mirëpo patjetër se nevojitet edhe përkrahje institucionale nga vet shteti. Nënat duhet të kenë çasje në këshilla praktike kurdo që ato kanë nevojë, qoftë ditën apo natën, duke e pas parasysh se bebat ushqehen në çdo kohë. Sidomos në muajt e fillimit, nëna duhet të ndjejë siguri se ka një vend të sigurt ku thërret, dhe i vjen ndihma për gjidhënien. Një nënë duhet të ndjehet e sigurt se vendi ku thërret do të mundohet me çdo kusht t’a ndihmoj rreth gjidhënies, pa u munduar që në vend të ndihmës t’ia turulloj mendjen e ti propozoj ndonjë zëvendësues siç ndodh ndonjëherë edhe te mjekët.

Kosova është një vend i vogël dhe me një mobilizim të thjeshtë do të kishim arritë të mbulojmë  gjithë territorin dhe t’i dalim në ndihmë secilës nënë kudo që jeton ajo.

Ka hapa të rëndësishëm që po bëhen nga insitucione të ndryshme qoftë private apo edhe shtetërore drejt ofrimit të ndihmës së nënave edhe për gjidhënien, mirëpo më duhet t’a theksoj se procesi po shkon shumë ngadalë. Prodhuesit dhe shpërndarësit e zëvendësuesve të qumështit janë më të paguar dhe po veprojnë më shpejtë.

Megjithatë, me bindje të fortë dhe shumë e sigurt e them se shumë shpejtë ata nuk do t’a gjejnë veten të përshtatshëm për të zhvilluar biznesin e tyre në vendin tonë.

Nënat në vendin tonë do të vetëdijësohen dhe do të ushqejnë fëmijët  nga vetja e tyre me lëngun e artë ngjyrë të bardhë.

Në botë është vetëm një përqindje e vogël shumë e vogël që s’mund të prodhoj qumësht, ndërsa të tjerat të gjitha munden dhe me pak mund do të arrijnë. Duke u nisur nga ky fakt, ne do të bëjmë çmos për të triumfuar.

Cilat janë problemet që ballafaqohen në nënat gjidhënse?

Fillimisht, ne si grup inkurajojmë nënat dhe stafin mjekësor që fëmija të ofrohet sa më shpejtë pas lindjes në gjoksin e nënës për t’u ushqyer me qumësht gjiri, përkatësisht me kulloshtrën që është vaksina e parë më e rëndësishme për ta.

Në disa raste, ashtu siç tregojnë vet nënat, një gjë e tillë nuk aplikohet as në spitalin e shtetit e aq më pak te ato private. Atyre kryesisht nuk u mundësohet kontakti lëkurë me lëkurë dhe që në fillim kemi një problem të sapo lindur me ç’rast fëmiu ushqehet me formula me arsyetimin se nënës akoma nuk i ka ardhur qumështi, apo për qëllime e arsye të tjera të cilat kërkojnë të hulumtohen në vazhdimësi.

Ka edhe raste kur nëna ka qumësht të shumtë dhe rrjedhja bëhet me shpejtësi ashtu që fëmija nuk arrinë të menaxhoj gëlltitjen, kështu vie deri edhe te refuzimi dhe e qajtura e madhe e fëmijës.

Të qajturën e bebes vet nëna por edhe familjarët e ndërlidhin me mosmjaftueshmërinë e qumështit, ashtu që fillojnë dyshimet dhe kjo natyrisht se ndikon shumë në psikikën e nënës. Dihet se prodhimi i qumështit nxitet nga hormonet dhe çdo luhatje e disponimit apo vetbesimit të nënës mund të ndikoj në prodhimin e qumështit. Kah mosha 3 deri 4 muajshe ndodh që fëmiu duke u rritur e bërë më kurioz për gjërat që e rrethojnë, fillon të luaj kështu duke dhënë përshtypje se po e refuzon qumështin. Ka raste kur fëmija ka arritur të profesionalizohet për të thithur shpejtë aq sasi sa ka nevojë dhe nënës i duket sikur nuk pin mjaftueshëm dhe i ofron gjirin më shpesh, ndërsa fëmiu refuzon. Kjo e brengosë shumë nënën dhe mund t’i shkaktoj shqetësim të rëndë. Pastaj me rritjen e bebës, ndodhin edhe kafshimet me dhëmbët e sapodalur, rritjet e hovshme kur fëmija kërkon më shpesh qumësht që të bëjë rregullimin e furnizimit që i nevoitet për moshën përkatëse, etj.

Të gjitha këto tejkalohen me informim të mirëfillt dhe përkrahje, gjë që grupi jonë pa hezitim edhe e ofron. Megjithatë, është e domosdoshme edhe përkrahja mjekësore sepse ashtu nëna ndihet edhe më e sigurtë. Fatkeqësisht shumë mjekë, të qajturën e bebes e ndërlidhin me arsyetimin se nëna nuk ka qumësht mjaftueshëm dhe si zgjidhje e shohin menjëherë qumështin zëvendësues.

Një bebe që pin qumësht zëvendësues, patjetër se do të flejë sepse organizmi i tyre kërkon që ta përpunoj, dhe kjo gjë mund ta bindë nënën se vëtetë fëmija paska qenë i uritur.

Më e keqja e kësaj është se nga të nguturit për ti shtuar qumështin zëvendësues, ndonjëherë edhe neglizhohen arsyet e vërteta për të qajturën e bebës.

Znj. Asllani, a ka këshillimore për nënat gjidhënëse?

Ministria e Shëndetësisë me ndihmën e UNICEF, ka filluar një program i cili është në kuadër të politikave shëndetësore kështu duke përfshirë edhe sektorët tjera siç janë edhe sektori për arsim dhe mirëqenie e punë sociale. Së bashku e kanë krijuar një pako, ku janë përcaktuar modalitete të ndryshme përkatëse me gjendjen aktuale në vend. Që nga viti 2015 ka filluar të implementohet ky program fillimisht në komunën e Dragashit dhe Fushë Kosovë, që përfshinë vizitat shtëpiake nga infermiere të cilat kryesisht janë të dedikuara për shtatzëna, lehona dhe të sapolindurit. Më pastaj është zgjeruar dhe pritej që në vitin 2018 të përfshijë më shumë komuna.

Ekzistojnë edhe këshillimoret në kuadër të QMF-ve, mirëpo nënat kanë nevojë të kenë shërbime më fleksibile. Nënat lehonë ndonjëherë e kanë të pamundur të lënë fëmijët tjerë në shtëpi e të shkojnë nëpër këshillimore; apo thjeshtë nuk kanë transport, apo janë rrugët me borë, apo për arsye të ndryshme, nënat kanë nevojë të kenë në dispozicion qendra të cilat u përgjigjen ftesave të tyre për ti vizituar në shtëpi. Në grupin tonë, shumë pak nëna kanë qenë përfituese të programit të lartpërmendur. Ndoshta në ndërkohë shtohen dhe intensifikohen këto vizita, mirëpo për njëherë ka mungesë të madhe.

Larissa Ëalters, deputete në parlamentin e Australisë, në fjalimin e saj shfaqet duke i dhënë gji fëmijës, apo edhe së fundmi kryeministrja e Zelandës së Re, e cila ka marrë foshnjën e saj në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në Kosovë a u lejohet apo a kanë turp t’i ushqejnë foshnjat në vende publike?

Gjidhënia si proces që duhet të bëhet kurdo që fëmija kërkon, jo vetëm kur krijohen rrethanat qoftë në publik apo në vende private, është mjaft e rëndësishme të kuptohet nga të gjithë se është procesi më natyral që ekziston në rritjen e një fëmije. Personalisht kam pas rastin t’i ushqej fëmijët në vende publike dhe asnjëherë nuk jam ndeshur me ndonjë reagim negativ të dikujt. I kam ushqyer në autobus, në veturë, në parking të punës sime, të fakultetit ku punon bashkëshorti im, në qendër tregtare, në park, në kopështin e fëmijëve, në çdo vend që kam qenë në momentin që ka kërkuar fëmija.

Mirëpo, atë që do të doja të bartë tek nënat është, të kuptojmë se jetojmë në këtë vend dhe përnjëherë nuk mund të ndryshojmë mentalitetin e njerëzve që kemi përreth. Ndryshimi dhe vetëdijësimi nuk bëhet brenda natës apo veç pse ne duam.

Do të na duhen mbase edhe disa dekada deri sa të vetëdijësohet shoqëria jonë se gjidhënia duhet të bëhet kudo kur kërkon fëmiu dhe atë që tjetri duhet të bëj në rast se sheh një nënë që ushqen fëmijun me gji, është t’i ofroj ndonjë ndihmë në qoftë se kërkohet, ose të vazhdoj të kryej punët e veta pa e penguar nënën dhe fëmijun në mbretërinë e tyre. Pra, thjeshtë të vazhdojnë ti kryejnë punët e veta.

Tani s’kemi pse nxisim reagime duke e ekspozuar gjoksin pasi që e dijmë se mund të ketë reaksione. Krejt çka një nëne i duhet në ato çaste është qetësia dhe rehatia. Prandaj, edhe vet nëna mund të dijë a do të nxis reagime apo jo, dhe mundësisht ti përshtatet vendit. Të tilla reagime ka edhe në shtete të zhvilluara, pra nuk është vetëm tek ne. Dhe për të ruajt sigurinë e nënës, sepse është e pamundur të ndryshohen njerëzit tjerë, unë rekomandoj të gjejmë një vend të rehatshëm për t’a ushqyer fëmijun tonë qetë e mirë.

Më e rëndësishmja për ne si nëna është ushqyerja e fëmijëve tanë, apo jo? Pavarësisht kushteve dhe mundësive, ne duhet t’a ushqejmë fëmijun tonë dhe këtë në asnjë mënyrë nuk guxojmë t’a rrezikojmë vetëm pse jashtë mund të ketë njerëz që bredhin rrugëve duke shikuar se kush mund të ekspozoj gjoksin, apo këmbët apo ku e di unë. Ne jemi nëna, dhe për ne më e rëndësishmja është mirëqenia e fëmijëve tanë.

Ushqyerja e fëmijës me gji ndihmon vetëm fëmijën apo edhe nënën?

Me plot bindje e them që gjidhënia përveç fëmijës, ndihmon edhe shëndetin mendor dhe fizik të nënës. Gjidhënia përveç që ndihmon nënën për të krijuar një lidhshmëri të pazëvendësueshme mes nënës dhe bebes, ndihmon edhe në uljen e rrezikshmërisë se kancerit te vëzorëve, ndihmon në uljen e peshës nga shtatzënia, ndihmon tkurrjen e mitrës në madhësinë e parashtatzanisë, ndihmon në uljen e rrezikshmërisë për osteoporozë, etj.

Nga të gjitha këto, nëna përfiton edhe sigurinë që fëmijës së saj po i jep ushqimin më të mirë të mundshëm nga trupi i saj. Kjo ndjenjë ndihmon shëndetin e nënës pa dyshim. Një nënë është e lumtur kur e sheh fëmijën e saj të shëndetshëm dhe të lumtur.

Grupin që ju e moderoni, si është perceptimi pro gjidhënies apo kundër gjidhënies duke ushqyer fëmijët me qumësht formulë?

Grupi “Lidhja për gjidhënien – përkrahim nënat”, që nga fillimi i punës (e them punë, sepse vërtetë është punë që kërkon vigjilencë dhe maturi), gjithmonë jam munduar që të “instaloj” një frymë e cila duke përkrahur gjidhënien të mos nxisë urrejtje ndaj zëvendësuesve. Të përkrahësh diçka, nuk është doemos nevoja për urrejtje ndaj diçkaje tjetër. Edhe në këtë rast, gjidhënia mund të përkrahet, por pa ofenduar, pa nxitur polemika, pa pasur nevojë që të përqeshet askush që nuk e kryen një veprim të tillë. Ne kemi parasysh që shumë nëna kanë kaluar nëpër sfida të mëdha kështu duke mos pasur sukses  në realizimin e gjidhënies pavarësisht dëshirës së tyre. Këto nëna në asnjë mënyrë nuk guxojnë të atakohen, sepse ishin thjeshtë viktima të mungesës së përkrahjes përkatëse. Ato nëna janë akoma nëna shumë të përkushtuara që falin shumë dashuri, shumë kujdes fëmijës së tyre. Gjidhënia vërtetë që është një mundësi për ta ushqyer fëmijën mirë, mirëpo në vazhdimësi më së miri e ushqen vet zemra e prindërve duke i falë shumë dashuri, shumë kujdes. Ka mundësi pakufi për ta rritur një fëmijë që të bëhet i vyer për familjen dhe shoqërinë. Nevojitet vetëm gadishmëria e prindërve dhe zemra plot.

Përveç përkrahjes së gjidhënies, tani së fundmi kemi hapur edhe një njësi në kuadër të grupit, që u dedikohet shtatzënave që fillojnë informormimin për gjidhënien. Aty do të kenë mundësi të përcjellin njëra tjetrën dhe të shkëmbejmë mes vete gjëra parapërgaditëse për këtë proces. Dihet se për çdo gjë nevojitet informim paraprakisht, edhe për gjidhënien është mirë të fillohet edhe para se të lindë fëmija.

Në Kosovë, gratë e punësuara e kanë të garantuara me ligj pushimin ditor me pagesë për t’i ushqyer foshnjat e tyre. Sa respektohet ky ligj si në sektorin publik ashtu edhe në privat?

Po. Shteti jonë ka përpiluar Ligjin për mbrojtjen e të ushqyerit me qumësht gjiri, Ligji Nr. 05/L-023, mirëpo se sa po zbatohet sidomos në sektoret private, është një pikëpyetje e madhe që duhet vënë këtu në fund.

Para disa muajve kam dhënë një intervistë për VOA (Zëri i Amerikës), me ç’rast në intervistë ishte edhe një nënë punëtore e një nga sektoret private e cila nuk kishte mundësi të shfrytëzoj këtë ligj. Nëna shprehet se as nuk kemi pas guxim ta kërkojmë të drejtën tonë, se lëre më të na ofrohet. Kjo është për keqardhje, pasi që dihet që në institucione publike po shfrytëzohet kjo e drejtë e madje në disa raste edhe po manipulohet me të.

Shumë nëna as nuk janë në dijeni të këtij ligji. Më duhet ta theksoj sa është e rëndësishme çasja e nënave nëpër grupe të tilla ku promovohet gjidhënia, e sidomos këtu tek ne ku përveç tjerash informohen edhe për këtë ligj. Ne herë pas here e publikojmë, përkatësisht duke e theksuar Nenin 5 me të cilin nëna e punësuar ka të drejtë shfrytëzimin e 2 orëve të lira nga orari i punës në qoftëse është gjidhënëse e fëmiut nën 1 vjeç, përveç pauzës së drekës, dhe 1 orë në qoftë se fëmiu i saj është nga 1 deri 2 vjeç, duke e bërë të mundshme edhe shkarkimin nga faqja e Gazetës Zyrtare të Kosovës.

Ka shumë raste kur nënat për herë të parë aty informohen. Ka edhe raste kur nëna na shkruan duke kërkuar ndihmë si të veproj për ta shfrytëzuar këtë të drejtë. Në këto raste përveç këshillave primare, ne e udhëzojmë të kontaktoj Ministrinë e Shëndetësisë, Divizionin për Nëna dhe Fëmijë e që disa raste kanë rezultuar me sukses.

A ekzistojnë pasoja fizike, apo qoftë dhe psikologjike të një fëmijë, për të cilin mund të themi se “nuk është ushqyer me qumësht gjiri”?

Unë nuk e shoh veten kompetente të flas për pasoja fizike apo psikike, këtë besoj më së miri e bëjnë profesionistët e fushave, mirëpo si nënë mund të them se me dy fëmijët që i kam ushqyer me qumësht gjiri janë të zhvilluar për moshën e tyre dhe janë të gatshëm të vazhdojn në zhvillimin tutje sipas moshës. Mund të them se kanë vetëbesim, imunitet shëndetësor, psiqikë të zhvilluar etj.

Besoj se ushqyerja natyrale ka benefitet e veta, mirëpo nuk d.t.th që një fëmijë që nuk ushqehet me qumësht gjiri ngecë në këto që i përmenda. Mund të ndodh edhe e kundërta. Janë edhe një sërë faktorë të rëndësishëm që duhet ti kenë parasysh prindërit që rrisin fëmijë. Mbi të gjitha është dashuria dhe kujdesi që ua ofrojnë fëmijëve. Ne që jemi të rritur tani e dijmë shumë mirë që më së shumti i mbajmë mend mënyrën se si jemi bërë të ndjehemi e jo çka kemi pasur të veshur, apo se sa e shtrenjtë ka qenë ajo apo kjo gjë që kemi poseduar. Më së shumti i mbajmë mend buzëqeshjet dhe lojërat e fëmijërisë e sidomos me prindërit tanë.

Ju punoni edhe në Postën e Kosovës, studioni dhe jeni edhe nënë e dy fëmijëve. Si e organizoni kohën dhe a bëhet çdo punë në grup në mënyrë vullnetare?

Për të bërë një punë që e don, nevojitet dëshira e madhe për ta bërë. Po, unë punoj që një kohë të gjatë në Postën e Kosovës, në departamentin e Filatëlisë, studioj dhe jam nënë e dy fëmijëve 8 dhe 6 vjeç.

Besoj se dëshira për ta ndarë atë që di me nënat tjera, më ka bërë të gatshme që të bëjë një koordinim i të gjitha këtyre, duke u munduar që të mos mungoj në asnjërën nga këto aktivitete shumë të çmueshme në jetën time. Punën në Postën e Kosovës, përkatësisht në Filateli e dua shumë dhe e bëj me përkushtim dhe mundohem që këto gjëra të mos i përziej, përveç me duhet ta përmend në vitin 2017, duke qenë zyrtare në këtë departament, dhe njëkohësisht pjesë e grupit për aktivitetet e Javës së Gjidhënies, kam inicuar nxjerrjen ne qarkullim të një pulle postare me temën: “Mbështesim gjidhënien”. Autore e kësaj pulle, në mënyrë vullnetare është Njomza Kadriu, nga Inovation Lab, që përkrahej nga UNICEF-i. Pulla postare është mirëpritur shumë nga konsumatorët dhe mund ta them me kënaqësi se sa herë që kërkohej ndjeja emocion të veçantë. Kjo pullë akoma është në qarkullim dhe është në dispozicion të blehet nga kushdo që dëshiron të bëjë ndonjë dërgesë apo kartolinë urimi për ndonjë nënë të re.

Ndihmën më të madhe e kam nga bashkëshorti im, i cili në momentin që e sheh se jam duke biseduar me ndonjë nënë apo kam ndonjë angazhim më intenziv, merret me fëmijët duke më ofruar maksimalisht mundësinë që ta kryej punën time vullnetare me sukses. /tesheshi

OPINIONE