Studentët e Maqedonisë shpërthejnë në lot kur shohin vuajtjet e shqiptarëve (foto/video)

Qëkur djali i saj me aftësi të kufizuara ndërroi jetë, ajo ja ka dedikuar frymën të pamundurve.

Tashmë 75 vjeçe, Vangjelina drejton një shoqatë të vogël në ndihmë dhe shërbim të familjeve shqiptare në nevojë. Në godinën e vogël të shoqatës mundohet që t’i shërbejë me sa ka mundësi rreth 15 fëmijëve të familjeve të ndryshme.

“Kjo shoqatë për mua është jeta, është gjithçka. E ndjej si obligim për shpirtin e fëmijës tim. Do u qëndroj gjithmonë afër. Unë kujdesem për këta fëmijë. I laj, i ndërroj, i ushqej. Këta fëmijë i kam ngushëllim. Qëkur djali im vdiq, do vazhdoj të jem në shërbim të tyre, deri në fund. ” thotë ajo.

Vangjelina i bëri thirrje emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët” për të dhënë një dorë ndihmë për familjet për të cilat ajo shpesh kujdeset, për ato familje ku ajo e ka parë me sytë e saj dhimbjen.

“Unë kërkoj të sensibilizoj opinion publik, kërkoj që sipërmarrësit të ndihmojnë këtë kategori njerëzish”

“Shqiptarët për shqiptarët” ka ndihmuar disa familje në nevojë dhe kësaj here kanë pritur dhe një sërë të rinj shqiptarë nga Maqedonia, të cilët i janë bashkuar kauzës.

Shumë familje që janë ndihmuar, kanë qenë në kushte miserable. Fëmijë të paushqyer. Shtëpi të shtypura nga i ftohti i dimrit apo familje që jetojnë me vështirësitë e fëmijëve me aftësi të kufizuara.

FAMILJA KAMBERI

Familja e parë ku është shtrirë dora e ndihmës ka qenë ajo e 5 shqiptarëve që jetojnë në zonën e Kombinatit në Tiranë. Familja Kamberi mbahet në këmbë vetëm me paratë që sjell puna e kryefamiljarit.

Ilir Kamberi punon në sektorin e riciklimit të plastikës dhe shprehet se ja nuk ja del dot. Nuk është i shqetësuar për veten, por për 3 fëmijët, të cilët nuk ka me çfarë t’i ushqejë.

Iliri: Nja 130 mijë lekë të vjetra, punoj tek riciklimi, shtypim plastikë… me thënë të drejtën nuk ja dal dot me kaq para. 25 mijë lekë bën çerdhja e vajzës, 100 mijë vetëm shtëpia… çfarë të bëj unë me 20 mijë lekë?

Gruaja e tij ka kryer 6 operacione dhe njërën veshkë e ka hequr. Situata në familjen e Kamberi është mjaft e rëndë.

Kur i pyet vajzat e vogla se çfarë kërkojnë më shumë, nga goja e tyre dëgjohet vetëm një fjalë.

Vajza e madhe: Në shkollë shkoj… ndonjëherë marr bukë ndonjëherë jo. Më mungon, sepse s’kam shumë të ardhura, më mungon të kem më shumë ushqim.

FAMILJA SHAHAJ

Një tjetër familje që jeton me varfërinë në kurriz është familja me 7 anëtarë e Shahajve.

Nëna e fëmijëve Florinda na thotë se jeton në shtëpinë e kunatës, e cila një ditë do të kthehet dhe do të kërkojnë boshatisjen e shtëpisë.

Familja jeton me lëmoshën që jep shteti për fëmijët autikë.

Florinda: Kam nevojë për ndihmë, rroba ushqim, më kërkojnë fëmijët bukë para se ti vinit ju nuk kam me çfarë ti ushqej. Dje fëmijët kanë ngrënë patate të ziera”

FAMILJA ARAPI

Edhe familja Arapi, me 4 anëtarë, jeton me të ardhurat e pakta të djalit te tyre autik.

Trajtimi i posaçëm që kërkon ai nuk ka sesi të merret në konsideratë kur në atë shtëpi ku jeton kjo familje nuk ka as ushqim e veshmbathje. Madje familja po jeton aktualisht në shtëpinë e gjyshes së kryefamiljarit, pasi ata nuk kanë ku të shkojnë.

Familja jeton me pensionin e djalit i cili është me aftësi të kufizuara.  “Të ardhura nuk kemi, djali është autik, burri është pa punë, shtëpi nuk kemi”-shprehet e zonja e shtëpisë.

FAMILJA HARIZI

Familja Harizi jeton pak kilometra larg qendrës së Tiranës, por kushtet e tyre nuk kanë lidhje me zbukurimet që janë vendosur në ndërtesat qeveritare.

Familja Haziri jeton në Kamëz në kushte çnjerëzore, në një shtëpi të copëtuar e cila është ndërtuar 6 dekada më parë. Kur bie shiu,  në shtëpi nuk mund të qëndrosh kurse lagështira e akumuluar ndër vite po hedh në tokë tavanin.

“Vit për vit përmbytemi, mbledh ndonjë hekur për bukën e gojës. Lutemi që mos të bjerë shi… Më vjen keq kur i shikoj fëmijët. Shtëpia është mbushur me buburreca”– thotë Besimi, kryefamiljari i shtëpisë i cili duhet t’i ketë sytë katër pasi bashkëshortja vuan nga depresioni.

Këto ishin disa nga historitë e rënda që kanë prekur zemrat e shumë shqiptarëve. Një grup studentësh të Strugës kanë ndier nevojën që të vijnë me një sërë ushqimesh të blera prej tyre, për t’i dhuruar ato në prag festash.

Studentët shqiptarë kanë kontaktuar me “Shqiptarët për Shqiptarët” dhe janë organizuar për të sjellë ushqimet.

Shumë të rinj kanë shpërthyer në lot kur kanë parë me sytë e tyre kushtet mizerable në të cilat jetonin këto familje.

Studenti: Kemi ardhur tu ndihmojmë me ushqime në prag të festave.

Studentja: U ndjeva sikur ata janë motrat dhe vëllezërit tanë, jemi emocionuar shumë nga këta njerëz. Nuk kisha takuar më parë njerëz të tillë, kaq të varfër.

Një tjetër grua tha “ Jam shumë e prekur, më duket një ëndërr, ju ma mbushët shtëpinë plotë”

Studentët shqiptarë nuk kanë harruar të ndihmojnë dhe zonjës Vangjeli dhe strehën e saj sociale, një gjest për të cilën e moshuara i ka falënderuar nga zemra.

 

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=kmzUZi7Rz1M]

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne