‘Syri i Qiellit’ projekti i radhës që betonizon një pjesë të parkut të Liqenit Artificial

Nga Gerard Gega 10 orë më parë

Bashkia Tiranë vazhdon të betonizojë pjesë të parkut të Liqenit pa treguar kujdes për mjedisin, transparencë për projektet që përzgjedh dhe fondet që përdor.

Prej tre javësh në zonën veriore të parkut hidhet beton nga firma Pepa Group shpk për një projekt të quajtur “Pavilioni Syri i Qiellit”, i cili nuk mban logon e Bashkisë dhe nuk rezulton të jetë tenderuar nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit (APR) apo vetë Bashkia Tiranë.

Projekti, që nuk shoqërohet me tabelë informuese, është ideuar nga X-Plan Studio dhe ndodhet në rrugën Skerdilajd Llagami pas Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave.

Kantieri dhe pjesë të projektit të shkëputura nga banderolat e rrethimit.

Ai parashikon ndërtimin e një platforme me shesh dhe strehë betoni në të cilën do të ngrihen disa mure të vendosura në mënyrë të çrregullt në formë labirinthi. Në mes parashikohet një shesh i vogël, i cili do të ndriçohet nga një e çarë rrethore e strehës.

Sipas projektit – jo shumë të detajuar – të shpalosur në kantierin e ndërtimit, parashikohen 3 hapësira: hapësirë filtër, hapësirë frymëzimi, hapësirë aktivitetesh/recitimi.

Në mungesë të transparencës, nuk dihet se sa është kostoja e këtij projekti, kush e financon atë, kur dhe si u vendos të ndërtohej dhe a ka leje ndërtimi.

Në fund të muajit shtator APR postoi në Facebook pa zbuluar asnjë nga këto informacione të volitshme për qytetarët:

Admiruesit e Parkut të Liqenit Artificial do t’i gëzohen një tjetër atraksioni rekreativ. Pavilioni “Syri i Qiellit” do të jetë së shpejti një nga pikat kyçe të Parkut, një vend refleksioni, soditjeje dhe meditimi. Duke qenë i pozicionuar në afërsi të Qendrës Universitare, kjo bisedkë synon të kthehet në një miniqendër sociale për studentët, letrarët e rinj dhe frekuentuesit e parkut.

Postimit iu hoqën 5 fotografi, ndërsa ky rezulton të jetë i vetmi komunikim zyrtar për këtë projekt nga Bashkia Tiranë.

Njoftimi dhe editimi i postimit nga APR./ exit.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne