Shqiperia

Të tre dakord për kanabisin. Argumenti: Me çfarë do jetojnë njerëzit

Ish-ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Bernd Borchard, aktualisht ambassador I OSBE-së në Tiranë, ka folur për situatën në vendin tonë në një intervistë me Lutfi Dervishin në emisionin “Përballë” në Telvizioin Publik Shqiptar. Si njohës i mirë i jetës politike shqiptare ai ka bërë komentet e veta duke zbuluar edhe se cilat janë bisedat që politikanët shqiptarë bëjnë kur vjen puna për çështje si droga.

Mendoj se të gjithë përpiqemi të nxjerrim përfundime prej asaj se çfarë ka ndodhur tashmë. Kur gjendesha këtu si ambasadori i Gjermanisë flisja shpesh me qeverinë rreth Lazaratit, pasi një pjesë e madhe e hashashit që prodhohej këtu përfundonte në Gjermani, dhe e dija që qeveria ime priste që unë të ndërhyja dhe kjo ishte një nga çështjet për të cilat m’u kërkua që të ndërhyja.

Juve ju kujtohet që në atë kohë, pra, në vitin 2010, pati një ndërhyrje të kufizuar të forcave të sigurisë dhe më pas zuri të kultivohej përsëri; pra, nuk qe një ndërhyrje aq e fortë sa duhet. Kështu që, në qoftë se do të kisha qëndruar në Shqipëri, do të kisha vazhduar ta nxitja qeverinë që të ndërhynte sërish, sepse një ndërhyrje e vetme qe e pamjaftueshme. Në këtë situatë, natyrisht që kishte shqetësime që shpreheshin nga të dyja anët e spektrit politik se me çfarë do të jetonin njerëzit pasi të shkatërrohej kanabisi. Për mua ky argument asnjëherë nuk qe bindës. Dhe kur flas sot me politikanët, të gjithë më thonë: “E kishim gabim kur e thoshim këtë gjë”. Natyrisht që nevojitet një alternativë zhvillimi, por mungesa e alternativave të zhvillimit nuk mundet assesi të kthehet në shfajësim për krimin, për veprimtaritë kriminale

thotë Borchard.

Ka shumë mënyra për ta interpretuar këtë deklaratë. Sensi praktik i politikanëve i jep oksigjen shumë dukurive negative, por ajo që zbulohet qartë është se askush, as majtas dhe as djathtas nuk kanë patur ndonjë strategji zhvillimi. Të lëmë për një çast llogaritë ekonomike me kanabisin, që u shpalos qartë në mandatin e parë të Edi Ramës. Do të mjaftonte ky qëndrim që i sheh shqiptarët fermerë droge në mes të Europës për të kuptuar se kush ka mbetur në kryen tonë. Borchard vazhdon më tej me lëvdatat për qeverinë e Edi Ramës, sesi ajo po korr suksese në të gjithë drejtimet busullës dhe se Europa ngjan e lumtur nga ky fakt. Një sinjal I mirë për qeverinë, por jo doemos për qyeterët që shohin sesi ata që lejuan dhe fituan nga kanabisi sot trajtohen si njerëzit e duhur kundër trafiqeve.

OPINIONE